Wednesday, September 11, 2013

Për fjongot rozë dhe blu



Nga Amarildo Fecanji

Një nga fenomenet më negative të lidhura me diskriminimin për shkak të orientimit seksual është orientimi i supozuar, pra mendimi se dikush është gay apo lezbike, kur në fakt është straight por edhe e anasjellta, se dikush është straight kur në fakt është gay apo lezbike. Gjithmonë e më shumë njerëz janë tashmë pjesë e kësaj “loje” të rrezikshme duke përfshirë deri edhe moshat më të vogla. Kuptohet, të supozosh orientimin seksual të dikujt në vetvehte nuk përbën gabim. Të gjithë, në përpjekjet e tyre për të gjetur partnerin apo partneren e duhur duan të dinë sa më shumë për personin që pëlqejnë. E mbase, në kuadër të njohjes dhe respektimit të vlerës së diversitetit, por edhe për të kuptuar nëse ai person është i duhuri  apo jo, të dinë edhe orientimin e tij/saj seksual. Por ka një kufi, dhe kur ky kufi shkelet atëherë ai pasohet nga diskriminimi, veçimi, gjykimi dhe në rastin më të keq dhuna, të cilat ligjërisht në shumë vende konsiderohen si krime urrejtje.

Këto paragjykime “të pafajshme” janë gjithmonë pjesë e të njëjtës lojë dhe kanë të njëtjën rrënjë: vajzat luajnë me kukulla kurse djemtë me makina, vajzat janë të ëmbla, të buta, punëtore dhe nikoqire kurse djemtë janë seriozë, të fortë, me karakter dhe kuptohet nuk prekin asgjë me dorë, aq më pak në shtëpi... Mund të shkruanim gjithë ditën për fjongot rozë dhe blu. Përfundimi është se nëse dikush “devijon” nga këto role të mirëpërcaktuara, atëherë me patjetër ka diçka që nuk shkon me të. Supozimi pothuajse i menjëhershëm është edhe ai më sipërfaqësori, pra një mashkull me një ose disa karakteristika të shoqëruara rëndom me stereotipin femëror rrezikon të quhet gay dhe anasjelltas. 

Por çfarë ndodh në realitet? Në të vërtetë, janë kontekstet kulturore ato që përcaktojnë rolet gjinore në një shoqëri dhe karakteristikat që shoqërohen me to. Kur këto kultura, përfshi edhe atë tradicionalen shqiptare kanë një perceptim kaq të ngurtë të roleve gjinore dhe sjelljes që i pason ato, viktimat e vërteta të diskriminimit nuk janë thjesht personat lesbike, gay, biseksualë, transgjinorë etj, por mbarë shoqëria dhe vetë kultura e një vendi. Shpjegimi, edhe pse pak i hasur, është shumë i qartë; Rolet gjinore, jo pa qëllim quhen “role”. Ashtu si “roli” i një aktori, i cili duhet të luajë aristokratin, kriminelin, mjekun... kur në fakt është ende student, nuk vjen nga një familje aristokrate, nuk ka vrarë një mizë në jetën e tij dhe momenti i vetëm, krejt naiv i të qënurit mjek, me shumë gjasa ka qenë në fëmijërinë e tij duke luajtur “doktorash”. Por çfarë duhet të ketë një rol që të quhet i “besueshëm”? Që aktori të jetë i besueshëm në rolin e tij duhet të ketë tipare estetike sa më të qarta, sjelljen që i shkon për shtat, mjedisin dhe kontekstin ku sillet e jeton, marrëdhënien me njerëzit, ndërveprimin me ta  etj etj... Aktori i talentuar, i suksesshëm dhe madhështor është ai që e hipnotizon në ato nivele shikuesin saqë nuk është më e qartë nëse Mirushi është Sokrati apo Sokrati është Mirushi. Pra mrekullia është e atillë sepse aktori e ka brendësuar në atë nivel “rolin” e tij saqë është i besueshëm dhe kështu, me thelbin e vet ai prek ndërgjegjen e njëkohësisht nën-ndërgjegjen e publikut. Kështu janë edhe rolet shoqërore. Arsyeja përse ne i kuptojmë dhe i ndjejmë më pak se sa do ndienim le të themi mjeshtrin Kabashi në skenë, është sepse ndërgjegjësimi që ne kemi për indoktrinimin tonë, të nisur që në fëmijëri, është shpesh i padukshëm. Kështu, brenda nesh zhvillohet beteja e kahershme: roli i caktuar nga shoqëria dhe mesazhet që përcjellin ato në një anë dhe brendia jonë, ndjesia jonë reale në tjetrën. Për ta bërë më të thjeshtë krahasoni rehatinë midis të ndenjurit me të mbathura në rehatinë e dhomës tuaj të gjumit me sikletin e takave 15 cm apo kravatës mbytëse në një mjedis publik. Në të vërtetë, të gjithë ne, si meshkuj kemi diçka femërore brenda vetes dhe si femra diçka mashkullore. Natyra komplekse njerëzore e ka vërtetuar këtë. Këto karakteristika gjithsesi, nuk janë përcaktuesi ekskluziv i orientimit tonë seksual apo edhe identitetit tonë gjinor. Kjo është edhe arsyeja përse realisht, shoqëria nuk është duke diskriminuar thjesht për orientimin intim dhe privat seksual të një individi, por shpesh, ata më të izoluarit dhe më pak të ekspozuarit nga diversiteti, shohin tek orientimi jo-heteroseksual, lojërat e pafajshme të fëmijërive të tyre, talentin dhe shprehitë e brendshme të cilat nuk arritën ti shprehin kurrë dhe çfarë është më seriozja dhe e rëndësishmja i rebelohen këtij manifestimi, duke treguar qartaz rebelimin që në fakt po i bëjnë të brendshmes së tyre. Ato brenga dhe konflikte të brendshme përbëjnë edhe një nga bërthamat e dramës tonë shoqërore; dhunën në familje, e cila për arsye të tipareve patriarkale të roleve gjinore të shoqërisë sonë, dënon dukshëm, rëndom edhe përditë, fëmijët, gratë, homoseksualët dhe të moshuarit. Këta të fundit, shpesh të lodhur me rolet absurde të jetës së tyre tani në perëndim e kanë braktisur teatrin, dhe kjo i bën jo kot të duken “fëmijënorë”. 

Unë, në punën time të përditshme, në përballjen me një subjekt politik kaq të veçantë dhe sublim siç është tema LGBT, së bashku me kolegë dhe aktivistë i kemi identifikuar shumë nga zgjidhjet dhe alternativat, por si çdo gjë e mirë në këtë botë ato detyrimisht shfaqen ngadalë. 

Një nga ndryshimet më të rëndsësishme është ndalimi i menjëhershëm i indoktrinimit të fëmijëve me koncepte të ngurta të identitetit dhe shprehjes së individualitetit, dhe mos asocimin e tyre me femëroren dhe mashkulloren, me heteroseksualen dhe homoseksualen, me të pranueshmen dhe të papranueshmen. Pranimi dhe njohja e kompleksitetit njerëzor dhe shqyrtimi racional, i kujdesshëm dhe i qytetëruar i koncepteve që shoqërohen me këtë çëshjtje janë pjesë e zgjidhjes. E në fakt zgjidhjet janë të shumta e të panumërta, çka është dhe arsyeja përse çështja LGTB nuk është thjesht çështje e personave LGBT. Jo pa shkak të gjithë “shqetësohen” për këtë teme, dhe jo pa arsye të gjithë, edhe më të pa informuarit kanë diçka për të thënë. Të gjithë jemi në rolin tonë, dhe rëndom nuk duam që atë ta cënojnë të tjerët. Pra në fakt, duke u marrë me fjongot e të tjerëve, ne sigurohemi që të mbrojmë fjongon tonë. Ky kushtëzim na bën kompleksivë dhe nuk na lejon të jetojmë një jetë familjare, profesionale dhe sociale të shëndetshme. Ky kompleksim e ka bërë parlamentin dhe vendim-marrjen të pa-penetrueshme nga gratë dhe grupet e tjera vulnerabël në vite. Ky kompleksim e ka lënë shoqërinë shqiptare pas simotrave të saj europiane.  

I madh Ru Paul thotë gjithmonë “We are all in drag” (të gjithë jemi të maskuar). E rëndësishme është të ndihemi mirë në të... so you better work it!

No comments:

Post a Comment