Tuesday, June 25, 2013

Martesat homoseksuale nuk dëmtojnë martesat heteroseksuale



Një tjetër studim, këtë herë nga Universiteti i Portland në SHBA analizoi të dhënat e dy dekadave të fundit për të zbuluar nëse martesat homoseksuale dëmtonin ato mes gjinive të kundërta.

Një studim me të dhëna mbi martesat në SHBA që nga vitet 1980 zbuloi se martesat gei nuk kanë impakt negativ në shifrat e martesave heteroseksuale.

Studimi i titualluar “Martesa mes seksit të njëjtë dhe sulmi i perceptuar mbi martesat mes gjinive të kundërta” u nis nga argumentat e bëra prej kundërshtarëve të martesave gei të cilët e cilësojnë këtë të fundit si “një mësymje që synon të dobësojë, shkatërrojë dhe dëmtojë martesat heteroseksuale”.

Deklarata të tilla bëhen shpesh nga grupe konservatore politike dhe fetare në SHBA dhe vende të tjera të cilat duan të mbrojnë historinë dhe shenjtërinë e martesës tradicionale.

Autorët e këtij studimi sqaruan se: “ne mësuam se shifrat shtetërore të martesave mes gjinive të ndryshme në SHBA në periudhën 1989-2009 nuk ndryshojnë shumë, dhe shifrat janë të ngjashme si për periudhën kur ligji i martesave gei ishte i aprovuar ashtu edhe kur ky ligj nuk ekzistonte, në kundërshtim me opinionin e grupeve kundërshtare të martesave gei.”

Në studimin e saj skuadra iu referua edhe studimeve të ngjashme të bëra në vende ku martesat mes gjinisë së njëjtë njihen, si Danimarkë, Norvegji, Suedi, Islandë, Hollandë ku u zbulua gjithashtu se nuk ka asnjë ndryshim në shifrat e divorcit para dhe pas hyrjes në fuqi të ligjit për martesat gei.

Në të kundërt, në diskutimin e tyre për statistikat dhe metodat e analizimit të të dhënave, skuadra kërkimore gjeti se në fakt martesat e gjinisë së njëjtë e përforcojnë institucionin e martesës, përshembull duke ulur shifrat e divorceve.

Sipas tyre ‘duke legjitimuar marrëdhëniet brenda gjinisë së njëjtë, çiftet gei dhe lezbike mund të ndihmojnë të ulin numrin e personave heteroseksualë të cilët për arsye të turpit dhe mospranimit jetojnë jetë të dyfishta dhe martohen me njerëz të seksit të kundërt. Kështu, këto ligje mund të ndihmojnë në uljen e martesave të gjinive të kundërta, por ndërkohë do të ulnin numrin e çifteve të divorcuara për shkaqet e mësipërme.”

Studimi gjithashtu mori në konsideratë një tjetër lëvizje të grupeve të ndryshme amerikanësh heteroseksualë të cilët refuzojnë të martohen për aq kohë sa edhe personat homoseksualë e kanë të pamundur të martohen.

Monday, June 24, 2013

Intensifikohet dhuna kundër komunitetit LGBT në Maqedoni



24 Qershor 2013 - Ditët e fundit kanë parë rrikthimin e akteve të dhunës kundër komunitetit LGBT në Maqedoni. Me rasin e Javës së Pride-it, organizata në mbrojtje të këtij komuniteti kishin organizuar aktivitete të ndryshme në qendër të qytetit si dhe pranë mjediseve të tyre. Në një nga këto aktivitete, u sulmua edhe qëndra në mbështetje të komunitetit, LGBTI Centre, pranë Pazarit të Vjetër duke u shkatërruar plotësisht nga huliganët. Mësohet se disa aktivistë brenda qendrës janë dëmtuar gjithashtu. Gjatë këtij sulmi u sulmua edhe një punonjës i Policisë së Shtetit.

Këto akte vandale janë bërë edhe më parë kundër qendrës LGBT, por ndërkohë është hera e parë që sulmbi bëhet ndërkohë që ka njerëz brenda dhe zhvillohej një aktivitet.

Aktivistët LGBT në Maqedoni si dhe organizata të shumta në mbrojtje të të drejtave të njeriut në këtë vend kanë kërkuar që prej vitit të shkuar që institucionet publike, të bëjnë detyrën e tyre në mbrojtje të qytetarëve LGBT, të miratohet ligji anti-diskriminim dhe të ndëshkohen të gjithë ata individe të cilët minojnë të drejtat e njeriut në këtë vend. Por ndërkohë qeveria aktuale konservatore e drejtuar nga Gruevski, jo vetëm që nuk i është përgjigjur kërkesave të qytetarëve të saj dhe rekomandimeve e kërkesave të partnerëve të ndryshëm ndërkombëtarë, por në të kundër gjatë vitit të shkuar ka ndërmarrë një fushatë të fortë homofobike dhe diskriminuese kundër komunitetit LGBT çka u pasua nga një seri sulmesh prej grupesh huliganësh dhe ekstremistësh të ndryshëm.

Në vazhdën e sulmeve aktuale, shumë organizata dhe institucione të ndryshme nga Maqedonia dhe jashtë saj po i bien ziles së alarmit duke kërkuar që Qeveria e shtetit fqinj të mos flejë më mbi dhunën dhe urrejtjen që po vuajnë personat LGBT por të amendojë ligjin anti-diskriminim ku të njohë dhe të ndalojë diskriminimin e qytetarëve të saj për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor si dhe të parashikojë ndëshkime të rrepta për ata qytetarë që kryejnë krime urrejtje bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Organizatat LGBTI në Maqedoni dhe aktivistë të ndryshëm jetojnë nën frikën e izolimit dhe kërcënimit, ndërkohë që institucionet, media dhe shoqëria vazhdojnë të jenë krejt indiferente dhe kërcënuese për sigurinë dhe lirinë e komunitetit LGBT.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri po ndjek me shqetësim këto zhvillime dhe bashkohet me aktivistet dhe organizatat maqedonase, në përpjekjet e tyre për të ndryshuar këtë realitet i cili po pengon avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve LGBT për tu mbledhur, për tu shprehur lirshëm dhe për të qenë të mbrojtur nga krimet dhe fjalimet e urrejtjes.

Ministrat e jashtëm të BE-së miratojnë planin LGBTI për politikën e jashtme


Sot, 27 Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së miratuan planin e politikave në lidhje me çështjet LGBT. Ky është një udhërrefyes LGBTI i cili do t’u qarkullohet të gjithë diplomatëve të BE-së nëpër botë për të mbrojtur të drejtat e personave LGBTI.

Këshilli i Bashkimit Europian, strukturë e cila përfaqëson 27 qeveritë kombëtare të BE-së, kishte aprovuar që në vitin 2010 një manual jo të detyrueshëm për promovimin e të drejtave të personave LGBT. 

Tre vjet më vonë u bë e mundur që manuali të transformohet  në një udhërrëfyes të ri me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave lezbike, gej, transgjinorë dhe interseks (LGBTI). 

Udhërrëfyesi do të jetë i detyrueshëm dhe përpjekjet e diplomatëve europianë nëpër botë, do të përqëndrohen në katër prioritete:

-         Eleminimi i politikave dhe ligjeve diskriminuese, duke përfshirë edhe dënimin kapital me vdekje;
-     Promovimin e barazizë dhe mos-diskriminimit në punë, shërbime shëndetësore dhe arsim;
-          Luftimin e dhunës individuale apo shtetërore kundër personave LGBTI;
-          Mbrojtjen dhe mbështetjen e aktivistëve LGBT.

Gjatë viteve të fundit, edhe në Shqipëri, përkrah organizatave LGBT dhe punës së mjaft institucioneve edhe Delegacioni i BE ka dhënë një mbështetje të fortë politike dhe proaktive në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe komunitetit LGBT në vend.

Tuesday, June 4, 2013

Ambasada PINK raporton pranë BE-së situatën e komunitetit LGBT në vend

30 Maj 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri raportoi zhvillimet e muajve të fundit në lidhje me çështjen LGBT pranë institucioneve kryesore të Bashkimit Europian në Bruksel. Përfaqëuesi i saj Amarildo Fecanji, së bashku me kolegë nga vendet e Ballkanit perëndimor, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnje-Herzegovina dhe Maqedonia prezantuan në mënyrë të detajuar arritjet dhe sfidat kryesore në lidhje me kauzën LGBT në vendet respektive.


Aktivistet ne hyrje te Parlamentit Europian
Me koordinim të ILGA-Europe aktivistët zhvilluan takime pranë Këshillit të të drejtave të njeriut (DROI) dhe LGBT Intergroup në Parlamentin Europian, European External Action Servise, kabinetin e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin e BE-së, Z. Stefano Sannino, EQUINET, Grupin Europian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe grupet përkatëse të punës mbi zgjerimin për çdo shtet.

Në këto raportime Ambasada PINK pasqyroi arritjet më të fundit të Shqipërisë në fushën e reformave dhe punës për përmirësimin e situatës së komunitetit LGBT. Këtu u veçuan puna e Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Plani i Masave të Ministrisë së Punës, amendimet e ligjeve të kodit penal dhe atij të punës etj. Në paralel u evidentuan edhe disa nga problemet kryesore që lidhen me diskriminimin, fjalimet e urrejtjes nga zyrtarët dhe figurat publike, nivelin e ulët të raportimeve nga komuniteti LGBT, hetimin jo-serioz të denoncimeve dhe ankesave të bëra nga komuniteti LGBT pranë institucioneve hetimore dhe policisë etj.

Pas takimin me Drejtorin per Zgjerimin Stefano Saninno
Në tërësi Shqipëria paraqitet si një vend i cili prej disa vitesh ka ndërmarrë hapa seriozë në avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT por ndërkohë shumë punë dhe sfida mbeten në lidhje me implementimin e ligjit si dhe niveli i lartë i homofobisë dhe diskriminimit ku veçohen në mënyrë shqetësuese edhe të rinjtë. Ambasada PINK rekomandoi që Bashkimi Europian duhet të jetë më kërkues dhe këmbëngulës në lidhje me implementimin e reformave dhe ligjeve, një lobim dhe dialog më direkt me politikanët dhe forcat politike shqiptare, në mënyrë që ato të ndryshojnë sjelljen dhe komunikimine tyre publik mbi çështjet LGBT si dhe intensifikimin e punës nga ana e institucioneve sidomos ato në lidhje me arsimin, sigurinë dhe shëndetin, për mbrojtjen dhe garantimin e të drejatve të komunitetit LGBT në Shqipëri.

Monday, June 3, 2013

Mesazh solidariteti me protestat e komunitetit LGBT dhe rinisë në Turqi



Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në emër të lëvizjes dhe të komunitetit LGBT në vend solidarizohet në mbështetje të protestave të qytetarëve dhe rinisë turke në përgjigje të sjelljes autoritare dhe agresive të institucioneve publike dhe policisë së vendit.
 
Ditët e fundit, e kanë parë Stambollin, Ankaranë dhe qytetet kryesore në vend të përfshihen në një vorbull protestash masive, të cilat nisën në Stamboll për të kundërshtuar prishjen e një parku në qendër të qytetit dhe u zgjeruan më tej në një varg protestash pakënaqësie ndaj masave gjithmonë dhe më autoritare dhe konservatore të qeverisë aktuale.  

Në këtë situatë është përfshirë edhe komuniteti LGBT në Stamboll dhe pjesën tjetër të Turqisë. Një nga masat e fundit shtrënguese të qeverisë ishte edhe ndalimi i zhvillimit të manifestimeve dhe çdo lloj aktiviteti tjetër publik në rrugën Istiklal dhe sheshin Taksim të Stambollit, me pretekstin se janë territore në proçes rindërtimi. Këto dy mjedise përbëjnë zemrën e manifestimeve publike të Stambollit dhe simbolin e ushtrimit të lirisë së mbledhjes dhe shprehjes. Në këtë rrugë janë zhvilluar që prej vitit 2003 edhe Paradat e Krenarisë të komunitetit LGBT, i cili në vitin 2012 numëroi mbi 20 mijë pjesëmarrës.

Këtë vit, Parada e Stambollit rrezikohet nga ky vendim i datës 1 Maj 2013 i cili ndalon zhvillimin e manifestimeve. Policia e Shtetit ka qenë e autorizuar të hedhe gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj çdo manifestimi në këto territore, çka është dhe një nga arsyet përse demonstratat aktuale në Stamboll dhe gjithë Turqinë kanë marrë përmasa të tilla.

nga protestat ne qender te Stambollit
Organizatorët e Paradës së këtij viti, kanë vendosur që të vazhdojnë me mbajtjen e marshimit të krenarisë me slloganin: “Rezistenca”. Në një letër dërguar gjithë komunitetit ndërkombëtar, organizatorët kërkojnë mbështetjen dhe solidaritetin e gjithë organizatave LGBT në Europë, dhe gjithë institucione të tjera për të marshuar së bashku me ta në rrugën Istiklal në 30 Qershor 2013.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri është duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të veçantë zhvillimet më të fundit në Turqi dhe shpreh solidaritet me komunitetin LGBT në vend i cili rrezikohet çdo ditë nga forma të panumërta të krimit, diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave.

Ne bashkohemi në solidaritet me aktivistët LGBT dhe qytetarët turq të cilët gjatë këtyre ditëve kanë mohuar sigurinë e tyre personale në emër të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. 

Nderkohe, diten e Enjte, 6 Qershor, Ambasada PINK / LGBT Pro Shqiperi do ti bashkohet organizatave te shoqerise civile ne nje proteste perpara Ambasades se Turqise ne Tirane, ne shenje mbeshtetje ndaj rinise turke. 

Në solidaritet

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri