Wednesday, November 20, 2013

Vajza e mitur perdhunohet pese dite rrjesht, histori e vjeter ne Shqiperi!

Letër e hapur drejtuar të gjithë shqiptarëve: Ndal dhunës dhe përdhunimit të grave e vajzave shqiptare!

20 nëntor 2013 

 nga Delina Fico & Mirela Arqimandriti

Para disa ditësh në media është dhënë një lajm i hidhur: një vajzë, nxënëse shkolle në një qytet në veri të Shqipërisë, u përdhunua për pesë ditë rresht nga shokët e saj në një dhomë hoteli. Ky lajm u bë i ditur vetëm sepse kjo vajzë mori guximin të denoncojë publikisht dhunuesit e saj.

Kjo ngjarje e tmerrshme përveç fajtorëve kryesorë – djemtë që kryen këtë akt kriminal -, ka edhe disa bashkë-fajtorë, të cilët janë pjesë e komuniteteve tona e të cilët mbyllin sy e veshë në situata kur dhunohen gra e vajza. Në këtë rast, të parët bashkë-fajtorë e bashkë-kriminelë janë pronarët dhe personeli i hotelit ku u mbajt e burgosur kjo vajzë, të cilët mbyllën sy e veshë përballë faktit që një vajzë minorene rrinte për pesë ditë rresht pa dalë nga dhoma e hotelit ku hynin djem të ndryshëm. Kjo indiferencë cinike përballë këtij krimi të shëmtuar është shprehje edhe e një mendësie patriarkale të burrave, por dhe grave disa herë, që fajësojnë gratë dhe vajzat edhe kur ato përdhunohen barbarisht e kur mbahen në skllavëri seksuale me forcë e kundër dëshirës së tyre. Indiferencë cinike kanë dëshmuar edhe mësuesit e vajzës, të cilët e kanë për detyrë të dinë se ku është një vajzë minorene, e cila mungon pesë ditë nga shkolla.

Në tërë botën, 16 ditë në  muajin nëntor i dedikohen luftës kundërs dhunës mbi baza gjinore. Por kjo nuk mjafton. Ne duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë çdo ditë, çdo çast për t’i dhënë fund dhunës ndaj shoqeve, mikeve, motrave, nënave, grave, nxënëseve, kolegeve dhe bashkëyqtetareve tona.

Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e përdhunimit të kësaj vajze të mitur dhe dhimbja që ajo e familja e saj përjeton:

I kërkojmë djemve e burrave Shqiptarë të ndalojnë dhunën dhe përdhunimin ndaj vajzave dhe grave Shqiptare.

I kërkojmë çdo shqiptari, burrë apo grua, në qytet apo fshat, të çdo moshe e profesioni, të mos fshehë kokën si struci kur dëgjon ulërimat e një gruaje a vajze për shkak të dhunës në familje dhe përdhunimit, por t’i denoncojë këto raste dhe t’u ofrojë ndihmë viktimave të kësaj dhune, sepse kështu bën detyrën si qenie njerëzore, por edhe kontribuon që ai/ajo vetë dhe familja e tij/saj të jetojë në një mjedis pa dhunë.

U kërkojmë të gjithë shqiptarëve të dënojnë hapur e pa hezitim ngjarje të tilla të shëmtuara duke mos i parë vajzat e gratë si pronë dhe as si viktima të feminilitetit të tyre që mund të ndëshkohen me dhunë e përdhunim.

U kërkojmë nënave e baballarëve, gjysheve e gjyshërve, vëllezërve e motrave të mos lejojnë që vajzat dhe fëmijëria e tyre të nëpërkëmbet për hir të faktit se janë femra.

U kërkojmë mësuesve dhe mësueseve të mbajnë përgjegjësinë që u takon në mbrojtje të të drejtave të çdo nxënësi, të ndihmojnë dhe përkrahin vajzat që bëhen viktima të abuzimit nga bashkëmoshatarët, të luajnë një rol parësor në dënimin e dhunës mes të rinjve dhe të punojnë çdo ditë e me përkushtim për edukimin e të rinjve që të respektojnë thellësisht të drejtat e grave dhe vajzave.

U kërkojmë komuniteteve fetare të ndërgjegjësojnë dhe edukojnë besimtarët e tyre për domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të vajzave e grave në familje, shkollë e komunitet, si një vlerë morale themelore për çdo njeri e anëtar të një komuniteti..

U kërkojmë Policisë së Shtetit, prokurorisë e gjykatave të ushtrojnë detyrën dhe të mos tolerojnë asnjë rast abuzimi ndaj vajzave e grave shqiptare; t’i japin çdo dhunuesi apo përdhunuesi vajzash e grash dënimin maksimal sipas ligjit; t’u japin dënimin e duhur edhe kujtdo tjetër që ka dijeni apo bashkëpunon në rrëmbimin dhe dhunimin e grave dhe vajzave.

Kjo letër është nënshkruar nga dhjetra organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm. Ambasada PINK i bashkohet kësaj fushate sensibilizuese dhe gjithë aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të 16 ditëve të akvitizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.