nga Merita Poni
Ky
material është prezantuar në një tryezë të rrumbullakët të realizuar nga
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në 17 Maj 2013 me rastin e Ditës Ndërkombëtare
kundër Homofobisë, në kuadër të aktiviteteve të “Festivalit të Diversitetit”.
Merita
Poni është një nga personat publike nga fusha e akademisë që ka dhënë dhe
vazhdon të japë një kontribut të çmuar në betejën kundër homofobisë,
paragjykimeve dhe diskriminimit. Në këtë shkrim bëhen të qarta disa nga pikëpamjet
e saj në lidhje me shkaqet e homofobisë dhe një ekspoze e rrënjëve të homofobisë,
e kufijve midis të padukshmes dhe tolerancës duke arritur në konkluzionin jo
fort optimist se homofobia ka gjasa të jetë paragjykimi i fundit që do të
pranohet shoqërisht. Kjo në fakt është edhe një eko e shprehjes së famshme të
aktores transgjinore e Candis Cayne e cila i quajti personat LGBT si
minoritetin e fundit për aq kohë sa ne “mund të përndiqemi haptaz dhe të
ofendohemi në televizion apo çdo media tjetër”.
Ndryshimet në shekullin e XX-të
Që prej viteve 1970 është folur për të
drejtat e homoseksualëve, si pasojë e proçesit coming out në formë politike dhe kolektive. Nga ajo kohë e më pas,
edhe në lëmin akademik, është punuar shumë me identitetin e personit gay, si në letërsinë politike ashtu edhe
atë letrare. Por, gjithsesi, puna akademike nuk është se ka pasur një mbështetje
të mjaftueshme në rrethet universitare, sepse ky lloj identiteti është parë si
formë e veçantë, e pazakontë dhe jotipike. Megjithë interesin që zgjoi koncepti
i identitetit seksual në fund të shekullit të XX-të, tashmë ka zëra që thonë se
ky koncept duhet riparë dhe theksi duhet vënë tek politika e të ndryshmes, ku identiteti
seksual shihet ngushtësisht i lidhur e i ndërvarur prej racës, klasës, gjinisë,
gjë që reflektohet më së shumti në studimet Queer
Theory (term që u fut në akademi për herë të parë në 1913, nga Douglas
McMurtie, për të përshkruar një djalosh homoseksual që quhej queer nga shokët e klasës). Me këtë term
identifikohen LGBTIQ (me “i” përcaktohet grupi i personave intersex). Politika
e diferencës i ka ndihmuar studiuesit të mos merren me çështjen e identitetit
seksual që shkakton ankth sepse e përkufizon personin si mbartës të problemit
dhe jo shoqërinë, por të merren me perceptimet stereotipike heteronormative për
ti çbërë në mënyrë që të mirëpritet diferenca mes njerëzve e jo të ndëshkohet.
Homofobia
Megjithë dukshmërinë në rritje të
homoseksualëve kudo në botë, homofobia nuk është zhdukur, përkundrazi në kontekstin
shqiptar, nga mohimi i pranisë së homoseksualëve dhe kriminalizimi i sjelljes
homoseksuale është kaluar në shfaqje publike të homofobisë dhe në artikulime
homofobike me gjuhën e urrejtjes ndaj homoseksualëve. Diversiteti seksual duket
se është i papranueshëm e për pasojë homofobët e shpallin homoseksualitetin si
sjellje anormale dhe amorale. Lufta mes dy kampeve vazhdon: homoseksualët
luftojnë homofobinë ndërsa homofobët luftojnë pranimin shoqëror të homoseksualëve. Të vendosur që të kundërshtojnë çdo përpjekje
që i kundërvihet heteronormativitetit tradicional, homofobët i shohim të ngrenë
zërin në emër të “ligjit të Zotit dhe të robit”, fesë, shkencës, mjekësisë e
moralit. Megjithatë, kryesisht në perëndim, ka një zbutje të qëndrimit të fesë
ndaj homoseksualitetit pasi shihen si “njerëz me besë e fe” (qëndrime të
shprehura nga kisha peshkopale në SHBA, sinagoga çifute dhe kisha metodiste), përveç
Kishës Katolike Romake që vazhdon me pretendimin se homoseksualiteti është
thyerje e ligjit të natyrës dhe të moralit dhe për një kohë të gjatë ka penguar
martesat mes të njëjtit seks (gjithsesi ka ndryshime edhe në qëndrimin e
popullsisë me besim të krishterë romano-katolik si përshembull në Spanjë apo në
jugun e Hollandës).
Pavrësisht zbutjes në disa qëndrime, fetë
monoteiste vazhdojnë t’i bëjnë rezistencë të madhe homofobe, homoseksualitetit.
Sikurse katolikët konservatorë ashtu edhe protestantët konservatorë, të
krishterët ortodoksë dhe çifutët ortodoksë e dënojnë homoseksualitetin në bazë
të ndalimeve biblike, pasi e konsiderojnë homoseksualitetin si një zgjedhje me
dëshirë të shthurrjes, pra që duan të qëndrojnë jashtë rregullit të natyrshëm
hyjnor. E megjithatë, duke bërë thirrje që të dënohet mëkati, por jo mëkatari,
fetë monoteiste u kërkojnë homoseksualëve që të heqin dorë nga jeta si
homoseksualë dhe të përqafojnë heteroseksualitetin për t’u falur. Praktika
heteroseksuale është si puna e pagëzimit që lan mëkatin, por mund të jetë
martesë sikurse edhe abstenim, madje mund të ndryshojë edhe me anë të lutjeve!!!
Nëse në shoqërinë kristiane ka një rrugë shpëtimi për homoseksualët në shoqëritë
islame situata është e panegociueshme moralisht, pasi sjellja është e ndëshkueshme
ligjërisht dhe moralisht (kriminalizimi i homoseksualitetit).
Ndërsa homofobë të tjerë shfaqen në
trupa legjislativë dhe ekzekutivë duke kundërshtuar legjislacion që ndëshkon
krimet dhe fjalimet e urrejtjes, sepse këto ligje ndëshkojnë krimet me bazë
orientimin seksual. Këto qëndrime homofobe të njerëzve me pushtet shkojnë krah
për krah me qëndrimet e njerëzve homofobë. Me shqetësim, në perëndim, vihet re
një rritje e dhunës verbale dhe asaj fizike, madje në ShBA nga vitet 2000 ka një
rritje të dëmtimit apo gjymtimit fizik të të rinjve homoseksualë nga të rinj
homofobë, të cilët bëhen bashkë në grupe për të rrahur ndonjëherë deri në
vdekje një të ri gay. Duket sikur nuk ka më vend të sigurtë për homoseksualët
prej rritjes së valës së dhunës homofobe. Dhuna vjen ngado, në shtëpi, në rrugë,
në shkollë, në punë, mjedise publike. Dhuna u vjen nga të njohur e të panjohur.
Toleranca
Ka mjaft njerëz heteroseksualë që nuk
janë homofobë. Megjithatë edhe mes këtyre edhe pse ka persona që
intelektualisht e rrefuzojnë homofobinë, emocionalisht nuk e mposhtin dot.
Rezultati është toleranca. Këta njerëz e rrefuzojnë paragjykimin autoritar të
fesë apo të konservatorëve të djathtë. Ata dyshojnë se homoseksualiteti mund të
quhet anormal dhe besojnë se dikush është kështu prej natyre apo mund edhe prej
edukimit! Ata mund të jenë miq të gay-ve dhe
lezbikeve, mund të dalin me ta, shoqërohen, mbështesin kur luftojnë
paragjykimet antihomoseksuale. Shkurt i thonë vetes se nuk janë homofobë. Por
rritja e dukshmërisë së homoseksualëve duket sikur i ka trazuar emocionet e
anti-homofobëve, të cilët në biseda miqsh thonë se janë dakord që dikush të jetë
homoseksual, por të mos na e tregojë të gjithëve: një puthje në lokal e dy
lezbikeve apo një ecje përdore e dy gay-ve është turbulluese për ta, pra dukja
po e gërryen tolerancën (i tillë ishte rasti i Festivalit të Diversitetit 2012,
ku më shumë kishte studentë dhe ambasadorë nga publiku sesa mbështetës
anti-homofobë). Mendoni për idenë e të paturit në punë dikë lezbike apo gay,
apo në derën ngjitur një çift homoseksual. Sigurisht që homofobia ka humbur
terren mbështetës popullor, por ka ngelur në thelb poaq e fortë, e paprekur,
madje e pandikuar nga arritjet e lëvizjeve simotra të homoseksualëve, si ato
kundër racizmit, seksizmit dhe paragjykimeve të tjera. Homofobia si shprehje e
qartë e intolerancës në fakt shpreh apo ripohon vlerat që mbart shoqëria dhe
institucionet shoqërore që qeverisin sjelljen shoqërore (nisur me familjen,
shkollën, shokët, punën, fenë e deri diku tek politika). Sot e kësaj dite,
vazhdon historia e persekutimit për homoseksualët nëse guxojnë të shfaqen,
histori që shitet si varianti i duhur i zbatimit të drejtësisë dhe i mbajtjes së
rregullit shoqëror dhe moralit që na u ndjeka shumë i rrezikuar nga format
subversive të sjelljes seksuale dhe nga këto qenie të rrezikshme seksuale! Nuk
ka nevojë që homofobët të mbrohen me doktrina të vjetëruar fetare e morale për
të mbajtur në këmbë homofobinë, njerëzit vazhdojnë edhe kur nuk vet-quhen
homofobe të kenë frikë nga e ndryshmja, kjo ndjesi është më e thellë edhe se
homofobia dhe ushqen rrënjët e saj.
Përsa kohë kjo frikë nga e ndryshmja nuk
do sfidohet, atëherë homofobia dhe gjithë shfaqjet e saj do ti lenë homoseksualët
në errësirën e qytetarit të dorës së dytë, pa të drejta themelore si ajo e
familjes, e shkollimit, e punësimit, organizimit madje edhe e jetës, megjithë
ligjet anti-diskriminuese që mund të aprovohen formalisht. Ajo çka homoseksualët
kërkojnë nuk janë të drejta civile të veçanta, por të njëjtat të drejta civile
që ka çdo qytetar dhe ata nuk do t’i kenë ato për aq kohë sa sjellja e tyre
shihet si jo e denjë nën dritën e paragjykimeve të padiskutueshme e negative të
mitologjisë shoqërore. Homofobia ka pasoja të tmerrshme në jetën e homoseksualëve
dhe të njereëzve përreth tyre. Homofobia ndan nënë e babë nga djali e vajza,
shokun nga shoku, fqinjin nga fqinji, njerëzit nga njëri-tjetri dhe shoqërisë tonë që ka vuajtur shumë prej ndarjeve me
natyrë paragjykuese nuk i duhen kufij të rinj ndarrës urrejtjeje. Për sa kohë që
homofobia do të legjitimohet prej shoqërisë, fesë dhe politikës, homofobia do
vazhdojë të rritet në forma të dhunshme dhe do mbetet paragjykimi i fundit i
pranuar shoqërisht.