Monday, October 7, 2013

Rrugëtimi i lëvizjes për të drejta dhe homofobia



nga Merita Poni

Ky material është prezantuar në një tryezë të rrumbullakët të realizuar nga Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në 17 Maj 2013 me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, në kuadër të aktiviteteve të “Festivalit të Diversitetit”.

Merita Poni është një nga personat publike nga fusha e akademisë që ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të çmuar në betejën kundër homofobisë, paragjykimeve dhe diskriminimit. Në këtë shkrim bëhen të qarta disa nga pikëpamjet e saj në lidhje me shkaqet e homofobisë dhe një ekspoze e rrënjëve të homofobisë, e kufijve midis të padukshmes dhe tolerancës duke arritur në konkluzionin jo fort optimist se homofobia ka gjasa të jetë paragjykimi i fundit që do të pranohet shoqërisht. Kjo në fakt është edhe një eko e shprehjes së famshme të aktores transgjinore e Candis Cayne e cila i quajti personat LGBT si minoritetin e fundit për aq kohë sa ne “mund të përndiqemi haptaz dhe të ofendohemi në televizion apo çdo media tjetër”.

Ndryshimet në shekullin e XX-të

Që prej viteve 1970 është folur për të drejtat e homoseksualëve, si pasojë e proçesit coming out në formë politike dhe kolektive. Nga ajo kohë e më pas, edhe në lëmin akademik, është punuar shumë me identitetin e personit gay, si në letërsinë politike ashtu edhe atë letrare. Por, gjithsesi, puna akademike nuk është se ka pasur një mbështetje të mjaftueshme në rrethet universitare, sepse ky lloj identiteti është parë si formë e veçantë, e pazakontë dhe jotipike. Megjithë interesin që zgjoi koncepti i identitetit seksual në fund të shekullit të XX-të, tashmë ka zëra që thonë se ky koncept duhet riparë dhe theksi duhet vënë tek politika e të ndryshmes, ku identiteti seksual shihet ngushtësisht i lidhur e i ndërvarur prej racës, klasës, gjinisë, gjë që reflektohet më së shumti në studimet Queer Theory (term që u fut në akademi për herë të parë në 1913, nga Douglas McMurtie, për të përshkruar një djalosh homoseksual që quhej queer nga shokët e klasës). Me këtë term identifikohen LGBTIQ (me “i” përcaktohet grupi i personave intersex). Politika e diferencës i ka ndihmuar studiuesit të mos merren me çështjen e identitetit seksual që shkakton ankth sepse e përkufizon personin si mbartës të problemit dhe jo shoqërinë, por të merren me perceptimet stereotipike heteronormative për ti çbërë në mënyrë që të mirëpritet diferenca mes njerëzve e jo të ndëshkohet.

Homofobia

Megjithë dukshmërinë në rritje të homoseksualëve kudo në botë, homofobia nuk është zhdukur, përkundrazi në kontekstin shqiptar, nga mohimi i pranisë së homoseksualëve dhe kriminalizimi i sjelljes homoseksuale është kaluar në shfaqje publike të homofobisë dhe në artikulime homofobike me gjuhën e urrejtjes ndaj homoseksualëve. Diversiteti seksual duket se është i papranueshëm e për pasojë homofobët e shpallin homoseksualitetin si sjellje anormale dhe amorale. Lufta mes dy kampeve vazhdon: homoseksualët luftojnë homofobinë ndërsa homofobët luftojnë pranimin shoqëror të homoseksualëve.  Të vendosur që të kundërshtojnë çdo përpjekje që i kundërvihet heteronormativitetit tradicional, homofobët i shohim të ngrenë zërin në emër të “ligjit të Zotit dhe të robit”, fesë, shkencës, mjekësisë e moralit. Megjithatë, kryesisht në perëndim, ka një zbutje të qëndrimit të fesë ndaj homoseksualitetit pasi shihen si “njerëz me besë e fe” (qëndrime të shprehura nga kisha peshkopale në SHBA, sinagoga çifute dhe kisha metodiste), përveç Kishës Katolike Romake që vazhdon me pretendimin se homoseksualiteti është thyerje e ligjit të natyrës dhe të moralit dhe për një kohë të gjatë ka penguar martesat mes të njëjtit seks (gjithsesi ka ndryshime edhe në qëndrimin e popullsisë me besim të krishterë romano-katolik si përshembull në Spanjë apo në jugun e Hollandës).

Pavrësisht zbutjes në disa qëndrime, fetë monoteiste vazhdojnë t’i bëjnë rezistencë të madhe homofobe, homoseksualitetit. Sikurse katolikët konservatorë ashtu edhe protestantët konservatorë, të krishterët ortodoksë dhe çifutët ortodoksë e dënojnë homoseksualitetin në bazë të ndalimeve biblike, pasi e konsiderojnë homoseksualitetin si një zgjedhje me dëshirë të shthurrjes, pra që duan të qëndrojnë jashtë rregullit të natyrshëm hyjnor. E megjithatë, duke bërë thirrje që të dënohet mëkati, por jo mëkatari, fetë monoteiste u kërkojnë homoseksualëve që të heqin dorë nga jeta si homoseksualë dhe të përqafojnë heteroseksualitetin për t’u falur. Praktika heteroseksuale është si puna e pagëzimit që lan mëkatin, por mund të jetë martesë sikurse edhe abstenim, madje mund të ndryshojë edhe me anë të lutjeve!!! Nëse në shoqërinë kristiane ka një rrugë shpëtimi për homoseksualët në shoqëritë islame situata është e panegociueshme moralisht, pasi sjellja është e ndëshkueshme ligjërisht dhe moralisht (kriminalizimi i homoseksualitetit).

Ndërsa homofobë të tjerë shfaqen në trupa legjislativë dhe ekzekutivë duke kundërshtuar legjislacion që ndëshkon krimet dhe fjalimet e urrejtjes, sepse këto ligje ndëshkojnë krimet me bazë orientimin seksual. Këto qëndrime homofobe të njerëzve me pushtet shkojnë krah për krah me qëndrimet e njerëzve homofobë. Me shqetësim, në perëndim, vihet re një rritje e dhunës verbale dhe asaj fizike, madje në ShBA nga vitet 2000 ka një rritje të dëmtimit apo gjymtimit fizik të të rinjve homoseksualë nga të rinj homofobë, të cilët bëhen bashkë në grupe për të rrahur ndonjëherë deri në vdekje një të ri gay. Duket sikur nuk ka më vend të sigurtë për homoseksualët prej rritjes së valës së dhunës homofobe. Dhuna vjen ngado, në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në punë, mjedise publike. Dhuna u vjen nga të njohur e të panjohur.

Toleranca

Ka mjaft njerëz heteroseksualë që nuk janë homofobë. Megjithatë edhe mes këtyre edhe pse ka persona që intelektualisht e rrefuzojnë homofobinë, emocionalisht nuk e mposhtin dot. Rezultati është toleranca. Këta njerëz e rrefuzojnë paragjykimin autoritar të fesë apo të konservatorëve të djathtë. Ata dyshojnë se homoseksualiteti mund të quhet anormal dhe besojnë se dikush është kështu prej natyre apo mund edhe prej edukimit! Ata mund të jenë miq të gay-ve dhe lezbikeve, mund të dalin me ta, shoqërohen, mbështesin kur luftojnë paragjykimet antihomoseksuale. Shkurt i thonë vetes se nuk janë homofobë. Por rritja e dukshmërisë së homoseksualëve duket sikur i ka trazuar emocionet e anti-homofobëve, të cilët në biseda miqsh thonë se janë dakord që dikush të jetë homoseksual, por të mos na e tregojë të gjithëve: një puthje në lokal e dy lezbikeve apo një ecje përdore e dy gay-ve është turbulluese për ta, pra dukja po e gërryen tolerancën (i tillë ishte rasti i Festivalit të Diversitetit 2012, ku më shumë kishte studentë dhe ambasadorë nga publiku sesa mbështetës anti-homofobë). Mendoni për idenë e të paturit në punë dikë lezbike apo gay, apo në derën ngjitur një çift homoseksual. Sigurisht që homofobia ka humbur terren mbështetës popullor, por ka ngelur në thelb poaq e fortë, e paprekur, madje e pandikuar nga arritjet e lëvizjeve simotra të homoseksualëve, si ato kundër racizmit, seksizmit dhe paragjykimeve të tjera. Homofobia si shprehje e qartë e intolerancës në fakt shpreh apo ripohon vlerat që mbart shoqëria dhe institucionet shoqërore që qeverisin sjelljen shoqërore (nisur me familjen, shkollën, shokët, punën, fenë e deri diku tek politika). Sot e kësaj dite, vazhdon historia e persekutimit për homoseksualët nëse guxojnë të shfaqen, histori që shitet si varianti i duhur i zbatimit të drejtësisë dhe i mbajtjes së rregullit shoqëror dhe moralit që na u ndjeka shumë i rrezikuar nga format subversive të sjelljes seksuale dhe nga këto qenie të rrezikshme seksuale! Nuk ka nevojë që homofobët të mbrohen me doktrina të vjetëruar fetare e morale për të mbajtur në këmbë homofobinë, njerëzit vazhdojnë edhe kur nuk vet-quhen homofobe të kenë frikë nga e ndryshmja, kjo ndjesi është më e thellë edhe se homofobia dhe ushqen rrënjët e saj.

Përsa kohë kjo frikë nga e ndryshmja nuk do sfidohet, atëherë homofobia dhe gjithë shfaqjet e saj do ti lenë homoseksualët në errësirën e qytetarit të dorës së dytë, pa të drejta themelore si ajo e familjes, e shkollimit, e punësimit, organizimit madje edhe e jetës, megjithë ligjet anti-diskriminuese që mund të aprovohen formalisht. Ajo çka homoseksualët kërkojnë nuk janë të drejta civile të veçanta, por të njëjtat të drejta civile që ka çdo qytetar dhe ata nuk do t’i kenë ato për aq kohë sa sjellja e tyre shihet si jo e denjë nën dritën e paragjykimeve të padiskutueshme e negative të mitologjisë shoqërore. Homofobia ka pasoja të tmerrshme në jetën e homoseksualëve dhe të njereëzve përreth tyre. Homofobia ndan nënë e babë nga djali e vajza, shokun nga shoku, fqinjin nga fqinji, njerëzit nga njëri-tjetri dhe shoqërisë  tonë që ka vuajtur shumë prej ndarjeve me natyrë paragjykuese nuk i duhen kufij të rinj ndarrës urrejtjeje. Për sa kohë që homofobia do të legjitimohet prej shoqërisë, fesë dhe politikës, homofobia do vazhdojë të rritet në forma të dhunshme dhe do mbetet paragjykimi i fundit i pranuar shoqërisht.  

No comments:

Post a Comment