Wednesday, May 8, 2013

Ambasada PINK arrin një tjetër fitore kundër homofobisë

8 Maj 2013 – Lëvizja LGBT shqiptare ka hedhur sot një hap përpara në betejën kundër diskriminit dhe fjalimeve të urrejtjes në media. Ankesës së Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri mbi shkrimin diskriminues dhe denigrues të Z. Artan Lame kundër komunitetit LGBT i është përgjigjur sot Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Pas marrjes në shqyrtim të ankesës nga PINK / LGBT Pro dhe njohjes në detaj me artikullin, Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit ka konstatuar se shprehjet e Z. Lame janë diskriminuese pasi ato paragjykojnë dinjitetin dhe cënojnë sigurinë për mbrojtjen nga dhuna të personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Në datën 23 Mars 2013, në të përditshmen e pavarur “Shqip” u publikua shkrimi i Z. Lame me titullin “Dështimet e Shtetit”. Ky shkrim edhe pse kishte për synim të dënonte një skandal pedofilie dhe të kritikonte institucionet për mënyrën se si u përballën me këtë çështje, e bënte këtë në dëm të një kauze të drejtë sociale dhe të të drejtave të njeriut siç është kauza LGBT. Në argumentimin e saj drejtuar Komisionerit, Ambasada PINK sqaronte se shkrimi i Z. Lame diskriminon hapur komunitetin LGBT duke kërkuar dallimin, kufizimin dhe përjashtimin e komunitetit LGBT në Shqipëri me qëllim bërjen të pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët të të drejtave dhe lirive themelore të njohura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Më tej argumentohej se shkrimi ka përmbajtje denigruese dhe çfarë është më e rëndë ai keqinformon dhe nxit urrejtje dhe paragjykime kundër komunitetit LGBT të cilët ai i barazon me pedofilët. Ndërkohë shkrimi i Z. Lame jo vetëm që është diskriminues por edhe keq-informon publikun dhe penalizon shtetin dhe institucionet për punën e tyre ndërgjegjësuese ndaj kësaj çështje.

Bazuar në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, konventat ndërkombëtare të miratuara nga Shqipëria dhe ligjet në fuqi, Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi sqaron se shkrime në gazeta për çështje të të drejtave dhe lirive të personave me orientim seksual të ndryshëm janë të nevojshme në kushtet kur diskutime për çështje të tilla kanë qenë një tabu. Mosnjohja në mënyrën e duhur të këtyre çështjeve bën që publiku të ketë një reagim të gabuar dhe diskutime të tilla shpesh çojnë në krijimin e paragjykimeve dhe stereotipeve të gabuara të personave për shkak të orientimit seksual. Këtu Komisionerja evidenton mungesën e informacionit të shkaktuar nga kriminalizimi i homoseksualitetit në të shkuarën dhe patologjizimi i tij në mënyrë të pa drejtë për një kohë të gjatë nga mjekësia.

Në argumentimin e saj Komisionerja vëren se Rekomandimet e Këshillit të Europës kërkojnë që shtetet anëtare të marrin masat e duhura për të luftuar të gjitha format e shprehjes, duke përfshirë, në media dhe internet të cilat mund të prodhojnë ose nxisin urrejtje ndaj personave LGBT. Gjithashtu Komisionerja qartëson se shprehjet e përdorura nga Z. Lame nuk mund të mbrohen as nga ligji për mbrojtjen e lirisë së shprehjes sepse ky i fundit kufizohet në interes të të drejtave të të tjerëve sidomos kur ajo cënon liritë dhe të drejtat.

Sipas Komisioneres, cilësia e Z. Lame si figurë publike dhe përfaqësues i politikës shqiptare është faktor i rëndësishëm pasi liria e fjalës për një person të përfshirë në politikë sjell përgjegjësi për të treguar më tepër kujdes dhe për të evituar gjuhën që nxit mos tolerancën dhe diskriminimin. Ndërkohë Komisionerja vlerëson se shprehjet që zoti Lame përdor në artikull janë “aq flagrante dhe përcjellin një gjuhë të urrejtjes të pajustifikuar, saqë mosndëshkimi i një sjellje diskriminuese kaq të hapur, do të minonte rëndë arsyen e vetë ekzistencës së ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, çka e bën të panevojshme nevojën për identifikimin e një ankuesi.

Për rrjedhoje Z. Lame është ngarkuar me detyrimin për të kërkuar publikisht ndjesë brenda 15 ditëve nga marrja në dijeni për këtë vendim dhe të evitojë në të ardhmen përdorimin e gjuhës e cila prodhon efektin e përhapjes, nxitjen e urrejtjes apo të tjera forma të diskriminimit kundër personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor të tyre.

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri falenderon Zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për gjykimin efektiv dhe shumë të saktë të kësaj çështje duke garantuar kështu jo vetëm ekzistencën e ligjit në fjalë por edhe duke dhënë ndihmë në përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin mbi fjalimet diskriminuese dhe të urrejtjes në media nga figura të rëndësishme publike.

No comments:

Post a Comment