Monday, May 13, 2013

Celet ekspozita “Politika e Shpirtit dhe e Trupit – Lëvizja LGBT në imazhe dhe publikime”

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri çeli sot pranë Galerisë “Kledio” ekzpozitën e fotografive dhe imazheve “Politika e Shpirtit dhe e Trupit”, një koleksion fotografish, posterash, videosh sensibilizuese dhe instalacionesh nga tre vite punë të organizatës në përpjekjet e saj për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi të drejtat LGBT.

Kjo ekspozitë, e cila është kuruar nga artisti i ri, Artan Karoli, cel gjithashtu “Javën e Diversitetit” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, 17 Maj, ditë në të cilën festohet vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të hequr homoseksualitetin nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Patologjive. 

Ekspozita në vetvete përmban një larmishmëri mesazhesh dhe tematikash, në varësi të punëve të ndryshme sensibilizuese dhe advokuese të organizatës. Ndër vite, Ambasada PINK / LGBT Pro i ka dërguar publikut mesazhe shumë domethënëse duke kërkuar ndryshimin e mentalitetit, sjelljes dhe opinionit publik mbi cështjet LGBT.

Disa nga mesazhet kryesore të këtyre viteve kanë qenë: “Homoseksualiteti nuk njeh kufij”, “Bëj lëvizjen e duhur, ngri flamurin”, “Ndryshimi ka filluar; Beso, Përfshihu, Ndrysho”, “Voto Diversitetin”, “Këtu Ambasador je ti” etj 

Ndërkohë, java e diversitetit do të jetë e mbushur me një seri aktivitetesh ndërgjegjësuese, sensibilizuese dhe edukative. Në datën 16 Maj, Ambasada PINK do të mirëpresë tryezën e rrumbullakët “Shqipëria kundër homofobisë; Të drejtat LGBT dhe politika, media, të rinjtë dhe plani i veprimit” dhe do të finalizohet me “Panairin e Diversitetit” në bashkëpunim me dhejtra organizata të të drejtave të njeriut në vend.

No comments:

Post a Comment