Tuesday, November 20, 2012

20 Nёntor; Dita e Kujtesёs sё personave Trangjinorё

Sot, ashtu si pёr vite e vite me rradhё, njerёzit paguajnё njё çmim shumё tё lartё kur “shkelin” tabunё e fortё qё shoqёria imponon mbi gjininё biologjike tё njerёzve. Nёse ke lindur mashkull do vdesёsh i tillё dhe anasjelltas.


Prej disa vitesh rrjesht, Dita e Kujtesёs sё personave Transgjinorё ёshtё data 20 Nёntor. Nё kёtё ditё, pra sot, kujtohen ata qindra njerёz tё cilёt kanё humbur jetёn brutalisht nё duart e urrejtjes irracionale tё cilёt besojnё se thyerja e kufijve gjinorё duhet tё ndёshkohet me vdekje.

Kjo ditё ndёrkombёtare ёshtё e rёndёsishme pёr ti dhёnё vizibilitet pasojave qё sjellin pёrjashtimi dhe diskriminimi i imponuar nga pjesa mё e madhe e shoqёrisё ndaj personave transgjinorё (travestit, transeksual etj) dhe stigmatizimi i tyre.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri i bashkohet tё gjithё organizatave LGBT dhe atyre tё tё drejtave tё njeriut nё botё tё cilat sot, pёrfitojnё nga kjo datё pёr tё denoncuar kёtё situatё dhe pёr ti kёrkuar institucioneve dhe opinionit publik shqiptar tё ndryshojnё sjelljen dhe mendimin e tyre ndaj kёtij grupi social.

Ashtu si nё shumё vende tё botёs, edhe nё Shqipёri, diskriminimi, stigmatizimi dhe pёrjashtimi kategorik nga çdo formё organizimi social, i detyron personat transgjinorё tё bёhen punonjёse seksi pёr tё fituar pak tё holla, tё rrezikohen nga infektimi me SST apo HIV/AIDS dhe tё jenё tё ekspozuar, çdo ditё ndaj dhunёs dhe keqtrajtimeve, duke rezultuar nё humbjen e jetёs.

Kёto krime urrejtje, tё bazuara nё identitetin gjinor, kundёr personave transeksualё, travestite dhe transgjinorё janё duke ndodhur çdo ditё nё tё gjithё botёn.

Disa organizata rajonale dhe ndёrkombёtare janё duke punuar çdo ditё e mё shumё pёr mbledhjen e informacioneve pёr dhunёn dhe diskriminimin e pёsuar nga qytetarёt dhe institucionet. Edhe nё Shqipёri, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri, ka mbledhur dhe raportuar me dhjetra denoncime tё personave transgjinorё, pёr raste dhune, diskriminimi, keqtrajtimi, kёrcenimesh etj. Kjo ka bёrё qё me kalimin e viteve, nё vendin tonё, si nё shumё vende tё tjera, problemet e personave transgjinorё tё jenё shumёfishuar. Ata janё totalisht tё pёrjashtuar nga edukimi, punёsimi, drejtёsia dhe shёrbimet mjekёsore. Kёto shёrbime, tё cilat ata duhet ti gёzojnё si tё dreja, ashtu si çdo qytetar tjetёr, u mohoen vetёm pёr shkak tё transfobisё. Edhe kur ata kanё marrё shёrbime tё ndryshme, kanё qenё shpesh tё diskriminuar dhe janё perceptuar si shkelёs tё normave shoqёrore.

Sot, shumё grupe ndёrkombёtare dhe organizata janё duke advokuar pёr heqjen e termit “transeksual” nga katalogu i sёmundjeve mendore tё Organizatёs Botёrore tё Shёndetёsisё. Ata kёrkojnё qё kjo gjendje tё njihet si pjesё e identitetit kompleks seksual tё qenieve njerёzore. Çdo person transgjinor – ashtu si edhe persona jo-transgjinorё – mund tё dёshmojnё se tё jesh transgjinor nuk ёshtё diçka qё kёrkon trajtim psikiatrik: ai ёshtё njё proçes gjatё tё cilit personi pёrkufizon identitetin e tij/saj gjinor.

Sipas aktivistes feministe Silvia Buendia “Homoseksualiteti ёshtё orientim seksual, kur njё person ёshtё i tёrhequr seksualisht nga njё person i tё njёjtit seks. Transeksualiteti ёshtё diçka krejt tjetёr dhe ka tё bёjё me seksin biologjik tё njё personi, i cili mund tё ndodhё qё vet-identifikohet me gjininё tjetёr teksa rritet.

Çmimi qё shumё njerёz po paguajnё pёr kёto barriera tё seksit dhe gjinisё ёshtё shumё i lartё. Tё gjithё ne duhet tё bёjmё diçka pёr ti dhёnё fund.

No comments:

Post a Comment