Wednesday, October 24, 2012

Incidenti me komunitetin LGBT nё Tiranё, shtetasi Renato Maloku pёrfundon nё polici


(VIDEO DHE FOTO) “Do ju q… robt! Mirë ua bënte Hitleri, do ju vras po dolët prapë” - Incidenti me LGBT në Tiranë, përfundon në polici shtetasi Renato Maloku



Nga momenti i demonstrates paqesore
Ditёn e sotme, datё 24 Tetor 2012, njё grup aktivistёsh nga tre organizatat LGBT nё Shqipёri, Aleanca kundёr Diskriminimit LGBT, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri dhe Tё bashkuar pro Kauzёs LGBT manifestuan paqёsisht pёrballё Ambasadёs sё Republikёs sё Maqedonisё nё Tiranё pёr tё dёnuar aktet e dhunёs ndaj aktivistëve në vendin fqinj dhe frymën e urrejtjes që po nxitet nga disa ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë Gruevski.

Protesta u zhvillua nё mёnyrё paqёsore dhe korrekte si shprehje e së drejtës për manifestim dhe për shprehje, ndërsa policia ishte njoftuar paraprakisht, në respekt të ligjit për tubimet.

Pasi mbajtën pankarta në duar që dënonin dhunën e ushtruar së fundmi në Maqedoni ndaj aktivistëve LGBT, përfaqësuesit e tre organizatave hynë në ambasadën e Maqedonisë dhe dorёzuan një deklaratë zyrtare të Rrjetit Rajonal Kundër Homofobisë i përbërë nga 12 shtete nga Ballkani deri në Lindjen e Mesme, përfshirë Shqipërinë.

Shtetasi Renato Maloku gjate konfrontimit me aktivistet
Por në momentin kur dukej se gjithçka përfundoi dhe teksa grupi i aktivistёve po shkonte tё ulej nё njё kafe në rrugën Skëndërbej ku ndodhet blloku i ambasadave një person, rreth 25 vjeç, i quajtur Redon Maloku u afrua pranё grupit duke i sulmuar verbalisht me fjalё denigruese, duke pёrshtyrё dhe duke i kanosur aktivistët me jetë. Fjalët që ai përdori janë: “do ju vras të gjithëve po dolët prapë”, “ju duheni djegur”, “do ju q…. robtë”, “mirë ua bënte Hitleri”, “mirë ua bënë në Serbi, ashtu do jua bëjmë edhe ne po dolët prapë”. 

Në atë moment grupi i aktivistëve kontaktoi 3 herë me qendrën operacionale të policisë dhe mundi të mos e lejonte këtë person të largohej. Pasi policia erdhi në vendgjarje, personi në fjalë u shoqërua në Komisariatin nr. 3, ku aktivistja Xheni Karaj bëri kallëzim për kanosje.  

Personi në fjalë, student në Fakultetin e Ekonomisë Bujqësore, ka qenë, në fakt, edhe herë të tjera i përfshirë në tentativa për të mos lejuar tubimet e komunitetit LGBT në Tiranë, siç ndodhi në rastin e aktivitetit më 17 maj. Disa herë ai kërkoi që aktiviteti të mos zhvillohej, ndërkohë që po aq aktiv ka qenë në rrjete të ndryshme sociale ku ka bërë vazhdimisht thirrje për dhunë dhe ka nxitur urrejtje ndaj këtij komuniteti. Ai vetë deklaronte vazhdimisht edhe në brendësi të komisariatit se është besimtar musliman dhe se “feja i dënon këto që bëni ju, sepse ju jeni të sëmurë”. 

Organizatat LGBT nё vend, Aleanca kundёr Diskriminimit LGBT, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri dhe Tё bashkuar Pro Kauzёs LGBT janë të vendosur që ta ndjekin deri në fund përmes rrugëve ligjore këtë çështje pasi ne besojmë se vetëm duke iu përgjigjur përmes ligjit do të mund të ndalojmë urrejtjen dhe atmosferën kërcënuese që ve në rrezik respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Aleanca kundёr Diskriminimit LGBT
Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri
Tё bashkuar Pro Kauzёs LGBT


No comments:

Post a Comment