Valeria Dedaj
“Gay Parade” pritet të zhvillohet në 17 maj dhe në Tiranë. Kjo
parandë e mundshme e modës së Gay-ve, ka shkaktuar shumë debat në
Shqipëri. Ashtu si në shumë vende të botës, në ditën ndërkombëtare të
homoseksualëve, lesbikeve dhe transeksualëve, në sheshet kryesore të
Tiranës mendohet të ketë aktivitete për njohjen dhe respektimin e të
drejtave të këtij komuniteti. Këto pakica të shoqërisë prej disa kohësh e
kanë ngritur më fort zërin për t’i mbrojtur vetë të drejtat e tyre.
Me këtë paradë përkon dhe përkthimi në shqip i librit autobiografik
të Tiziano Ferros “Trent’anni e una chiacherata con papa” (30 vjeç dhe
një bashkëbisedim me babanë), i përkthyer në shqip nga Xhimi Lazri
(Toena, 2012). Pavarësisht se librat shkruhen dhe përkthehen për arsye
krejt të tjera nga paradat dhe manifestimet, përkthyesi Lazri konfirmon
që “botimi i këtij ditari, ku autori pohon publikisht prirjet e tij
homoseksuale, përkon rastësisht me paradën që përmendet dhe pse përbën
një kontribut të vërtetë, madje shumë serioz e efikas për mbrojtjen e të
drejtave të njeriut në përgjithësi”.
Në “30 vjeç dhe një bashkëbisedim me babanë” Tiziano shkruan mendime
të cilat mund të thuhen vetëm në një ditar. Në libër Tiziano është tepër
i çiltër, i tejdukshëm por edhe i guximshëm. Nuk ka asnjë ngurrim që
të shkruajë për vetminë, dyshimet, komplekset, frikërat, sindromat,
neurozat. Një rrëfim që nis të shkruhet që në 1995-ën, botohet për të
tjerët në një moshë të pjekur, në ditëlindjen e të tridhjetë. Në 400
faqet e këtij libri shkruhet historia e jetës personale të një djali që
pavarësisht se është një artist dhe ai ka probleme, dyshime, shqetësime
dhe pikëpyetje për veten. Turbullira e mendimeve në adoleshencë për
mospranimin e homoseksualitetit, pamundësia për të dashuruar, mund ta
kenë çuar shpeshherë dhe në gjendje depresive.
Publikimi i librit në Itali u bë më 20 tetor 2010, pothuajse në të
njëjtën kur autori deklaron se homoseksualitetin në revistën “Vanity
Fair”. “Mi voglio innamorare di un uomo”, (Dua të dashurohem me një
burrë) ishte titulli i intervistës që nuk mund të mos bënte bujë në
mediat italiane.
Për përkthyesin në shqip vështirësia më e madhe ka qenë në përkthimin
e titujve të disa këngëve, disa termave muzikore moderne.
“Artistët janë shumë më tërheqës kur vënë veten në dyshim veten dhe
artin e tyre, kur pohojnë që shpirtërisht janë si gjithë njerëzit e
tjerë dhe jo superheronj”, thotë përkthyesi dhe vëren që “në Shqipëri
kjo nuk ndodh, pothuajse fare”. Kopertina e librit “Trent’anni e una
chiaçherata con papa” është e bardhë. Titullin i cili zë shumë pak
hapësirë është me të zezë dhe emri e firma e këngëtarit me të kuqe. Dhe
asgjë tjetër. Asnjë detaj të ilustruar me foto nga momentet e jetës së
Tizianos, sepse ai ka qenë gjithmonë një njeri i rezervuar për jetën e
tij private. Ky libër është veçse një konfirmim i asaj ndjesie. Rrugën
drejt muzikës ai e ka pasur të gjatë, por dhe të vështirë. Në moshën
5-vjeçare prindërit i dhuruan një piano për Krishtlindje, e cila më vonë
do t’i çelte të gjitha rrugët si artist. Në ditar tregon historitë e
albumeve dhe këngëve të kompozuara prej tij. Shkruan për udhëtimet e
gjata, shpeshherë të këndshme por dhe të lodhshme nëpër botë. Ai shkruan
për studimet në Meksikë, vendimin për të jetuar në Londër ku shkoi për
t’u fshehur nga ata që e deklaruan se ishte GAY përpara se ai t’ia
pranonte vetes këtë. Tani Tiziano ka dalë nga hija dhe kjo ishte një
zgjedhje personale, edhe për të hequr atë koracë që e rrethonte prej
vitesh. Tiziano nuk është djaloshi që duket në televizion, apo personi
për të cilin kanë shkruar të tjerët. Në fletët e këtij ditari shkruhet
se “111” është pesha maksimale që arriti në adoleshencë dhe jo thjesht
titulli i njërit prej albumeve të tij. Ky është një libër të cilin nuk e
ka menduar, nuk e ka kompozuar, nuk e ka strukturuar. Ka lindur
vetvetishëm, duke ëndërruar, duke qarë, duke qeshur, duke vuajtur, duke
parë, duke ndryshuar, duke shpresuar, duke dëgjuar. Po shkruante një nga
faqet e këtij ditari kur gjeti forcën të shënonte: “Po, unë jam
homoseksual”. Ndërsa për ta thënë me zë u desh të festonte 30-vjetorin e
lindjes e të hidhte hapin e parë që do ta çlironte. Biseda më të atin,
një nga njerëzit më të shtrenjtë që kishte në jetë, ishte vendimtare për
deklaratën e të riut. I ati e pranoi pa kërkuar asnjë shpjegim, vetëm
duke e i thënë: “Mëso të respektosh vetveten.”
Muzika
Tiziano Ferro (1980) është një këngëtar latin. Ai këndon në
spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe portugalisht. Është një nga katër
anëtarët e tjerë të familjes Ferro, dy prindërit dhe vëllai i vogël,
Flavio.
Në moshën shtatë vjeç regjistron këngën “Askush nuk është i vetëm”.
Ndjek mësime për kitarë, kanto, piano dhe bateri. Në vitin 1996 i
bashkohet korit ungjillor latin. Fillon të punojë spiker, drejtues për
disa stacione radiosh lokale në qytetin e tij, Milano, në Radio Muzika
dhe në Radio Luna. Në vitin 1998 këndon me grupin rap ATPC këngën
“Lëkura ime”, nga albumi “Trupi dhe shpirti”. Por e ardhmja e tij si
këngëtar mbetej e paqartë. Prandaj ndjek studimet për Shkenca Komunikimi
në Universitetin “La Sapienza” të Romës.
Sot qarkullojnë pesë albume të tij: “Rosso relativo” (2001), “111” (2003), “Nessuno è solo” (2006), “Alla mia età” (2008) dhe “L’amore è una cosa semplice” (2011).
Mediat për rastin “Tiziano”
Reagimet në media për autobiografinë e Tiziano Ferros kanë qenë më
tepër pozitive. Gazetarët dhe dashamirësit e muzikës në përgjithësi e
kanë përgëzuar kurajën dhe qëndrimin e artistit për të treguar të
vërtetat e jetës së tij. Këngëtari homoseksual Fabri Fibra thotë se
“shumica e mediave ka qenë neutrale në këtë temë, ose ka mbështetur
zgjedhjen e Tizianos”. Gazetari Camillo Langone shkruan: “Sa keq
Tiziano, që ju nuk mundët ta mbanit të fshehtë për vete këtë shije
seksuale. Por ju e ndatë me publikun dhe jeta juaj do të vazhdojë ta
mbajë fshehur motorin e artit tuaj që tani ju e keni djegur…”
Sipas Franco Grillini, gazetar dhe politikan i majtë, shembulli i Tizianos që ka dalë hapur, është për t’u vleërsuar, për kurajën dhe sinqeritetin.
Sipas Franco Grillini, gazetar dhe politikan i majtë, shembulli i Tizianos që ka dalë hapur, është për t’u vleërsuar, për kurajën dhe sinqeritetin.
Në Ballkan
Për herë të parë në botë parada gay është bërë në vitin 1969 në
Grinuiç (Nju Jork, SHBA). Por në Ballkan vetëm Sllovenia dhe Kroacia e
kanë bërë traditë këtë paradë. Në Serbi në vitin 2001 dhe në Sllovaki,
Bullgari kjo paradë përfundoi në përplasje mes policisë e protestuesve.
Në Greqi, që prej vitit 2005 nuk mbahet më një paradë gay. Ndërsa në
Turqi një paradë e tillë u mbajt vjet në qendër të Stambollit. Kjo është
cilësuar si më e madhja e mbajtur në vendet e Evropës Lindore. Në
Bosnje, Maqedoni dhe Shqipëri nuk është mbajtur kurrë një paradë gay.
Debati në Shqipëri
Deklarata më e ashpër ndaj një iniciative të Ambasadës “Pink” për
paradën e flamurit të LGBT në datë 17 maj, dita kundër homofobisë, është
bërë nga kreu i legalitetit dhe zv/ministër i Mbrojtjes, Ekrem
Spahia. “Ne jemi parti konservatore shqiptare, vlerësojmë trashëgiminë
shqiptare si vlerë e rëndësishme për një komb. Unë s’kam ndonjë koment
tjetër, vetëm t’i ‘kap në hu ato’. Hu është fjalë
dialektore, por besoj se kuptohet, ose thënë ndryshe shkop gome”, ka
thënë Zv/ministri i Mbrojtjes dhe kryetari i partisë Lëvizja e
Legalitetit.
Berisha: Nuk e ndalojmë, jemi vend i lirë
Sipas kryeministrit Berisha, Shqipëria është një vend i lirë dhe nuk
pengon asnjë manifestim, i çfarëdo lloji qoftë ai. “Shqipëria është vend
i lirë, nuk mund të mendojë kush se ne do kufizojmë manifestimet,
demonstratat, ky është kusht i lirisë. Ne kemi miratuar një ligj dhe ai
ka qenë i domosdoshëm. Është e vërtetë që pakicat në plane të ndryshme
kanë nevojë për një mbrojtje ligjore”, ka thënë kryeministri i
Shqipërisë.
Parada e LGBT-së
Kreu i “Ambasadës Pink” Altin Hazizaj kërkoi që në Tirane të ngrihet flamuri i LGBT-së dhe t’i dorëzohet kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha në fund të paradës.
Shenim: Ky shkrim eshte prone e autorit te saj dhe Gazetes Shekulli.
Ambasada PINK nuk eshte poseduese e te drejtave te autorit. I vetmi
qellim per replikimin e ketij lajmi eshte tematika qe permban. Link-u
origjinal i shkrimit eshte si vijon:http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/22/per-ata-qe-nuk-jane-si-debora/
No comments:
Post a Comment