Monday, April 23, 2012

Kush fitoi nga debati, shoqëria apo homoseksualët?…

 Nga Gëzim Tushi
(Orientimi seksual, e drejtë humane e patjetërsueshme…)

Në një bisedë e zhvilluara në një prej ekraneve në zë të televizioneve tona, dikush në mënyrë naive, provokative apo për “qëllime vojeristike”, e pyeti bashkëbiseduesin mbrojtës së të drejtës së homoseksualëve, për natyrën personale të orientimit seksual. Sikur kjo të kish ndodhur në rrugë, nuk do bënte shumë përshtypje. Por e bërë publikisht para ekranit, është dëshmi brutale e mentalitetit homofobik, që nuk mund dhe nuk duhet toleruar nga askush. Sepse më së paku është shkelje e rëndë e lirisë dhe të drejtës së njeriut për të patur orientimin e vet seksual. Fakti që njerëzve të veçantë u bën përshtypje ekzistenca e njerëzve homoseksualë dhe që kanë dëshirë patologjike për të ditur se cilët janë, e dëshirë për t’i “numëruar statistikisht” është shenjë e nivelit të emancipimit personal dhe tregues i nivelit kulturor të shoqërisë. Ndaj, jo vetëm është por dhe duhet të kundërshtojmë si të patolerueshme kureshtjen e “njerëzve të sëmurë” për të ditur për qëllime pezhorative orientimin seksual të njeriut. Që në kohën modern është gjëja më intime, e përveçme, e personalizuar.

Ndaj beteja kundër orientimit homofobik nuk është siç mendojnë disa që e konsiderojnë betejë për çështje anësore të shoqërisë apo humbje kohe duke u marrë me pakicat seksuale, por është luftë për të pranuar konceptet e plota të jetës moderne dhe krijimin e kushteve për respektimin e dëshirave të pakicës nga “tirania e shumicës”. Është e vërtetë që natyra homofobike e shoqërisë shqiptare për shkaqe që dihen dhe nënkuptohen në këtë aspekt është e plotë dhe dominante. Kjo do të thotë se shoqëria jonë ka nevojë që të ndryshojë paradigmën tradicionale për konceptimin e homoseksualizmit, të pranojë “pa kushte” të tjera idenë universale të qytetërimit dhe modernitetit, që homoseksualët janë njerëz me të drejta të barabarta, qytetare dhe ekzistenciale. Sipas Jurgen Habermasit qëllimi i kohës moderne është krijimi kushteve për të ndërtuar “shoqërinë e drejtë” e cila …i garanton secilit lirinë e barabartë, të zhvillojë imazh etik për vetveten, për të realizuar më pas një koncepcion personal për jetën e mirë…” (J. Habermas, “Ah Europë”, f 47)

Orientimi i tyre seksual i veçantë, nuk është argument për diskriminim apo ca më keq nuk i jep të drejtën askujt që homoseksualët të trajtohen si njerëz të veçantë, qenie të “dorës së dytë” apo të konsiderohen njerëz që “fataliteti biologjik” dhe orientimi seksual i detyron të shikohen si “nënklasë e shoqërisë”. Njerëzit tanë kanë nevojë të orientohen kulturalisht dhe moralisht drejt, sipas standardeve morale qytetëruese të kohës. Sepse në qëndrimin ndaj homoseksualëve dy kanë qenë historikisht zgjidhjet ndaj tyre. Ose zgjidhjet mesjetare që i trajtonin në mënyrë antinjerëzore, duke i mbyllur në spitale psikiatrike, burgje apo dhe vrarë në kasaphanat e “puritanizmit seksual”, ose trajtimi i tyre në kohën moderne si qenie njerëzore me të drejta të barabarta.
 
Padyshim, për këto çështje në shoqërinë tonë është duke u zhvilluar seriozisht debati ideologjik, fetar dhe moral. Kjo është arsyeja e natyrshme që është rritur intensiteti i debatit për çështjet e orientimit seksual. Është e natyrshme që situata është bërë inkandeshente, nga që ka një përplasje opinionesh dhe parapëlqimesh personale. Njerëzit janë ndarë midis atyre që kërkojnë legalizimin e të drejtës së njeriut, që të ketë por dhe të realizojë i lirë dhe i mbrojtur orientimin e vet seksual, dhe një pjesë vërtetë e konsiderueshme të opinionit shoqëror e moral, i cili duke konsideruar vetëm heteroseksualitetin të moralshëm dhe homoseksualizmin amoral, kërkon të bëjë sundues të drejtën e shumicës heteroseksuale, duke shpërfillur dhe nëpërkëmbur të drejtat e pakicës së njerëzve me orientim homoseksual.

Personalisht kam marrë pjesë dhe e konsideroj të dobishëm debatin, sepse është një mundësi kulturore, rast shumë i mirë sociologjikisht për të bërë në shoqëri lëvizjen e duhur sociale. Qoftë edhe ca të detyruar, por që në thelb po ndikon pozitivisht për të zbutur natyrën homofobike të njerëzve dhe për ndryshuar diçka që ka qenë tabu. Shoqëria jonë nga ky debat për orientimin seksual, të drejtat integralisht humane të homoseksualëve, ka krijuar një shtrat më të gjerë për opinionin publik. Në fakt ai tregon se tashmë më shumë se në këtë çështje individuale apo “problem i pakicës”, pjesëmarrja e opinionit publik është angazhim social tejet parimor dhe ndikues në perceptimin e drejtë të orientimit seksual të individit të lirë, që nuk është nën këmbët e “moralit sundues” apo që nuk nënshtrohet përballë tiranisë së opinionit social homofobik. Pra, debati nuk është thjesht “test” i qëndrimit social ndaj homoseksualëve dhe të drejtës së tyre, por është një nga “testet sociale”, që flet qartë për qëndrimin e shumicës ndaj pakicës, dhe tregues për nivelin e pjekurisë së demokracisë shqiptare. Kjo gjë nuk duhen parë në mënyrë sempliste. Sepse është koha kur duhet treguar se janë kushtet e duhura demokratike që të gjithë pakicat në këtë vend, përfshirë edhe ato me natyrë seksuale kanë të drejtë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të krijojë klimë të re sociale.

Në këtë kontekst debati që po zhvillohet afër 17 majit edhe mund të tensionohet nga pikëpamja sociale, por megjithatë ka rëndësi jo thjesht dhe vetëm që ndikoi për të reformuar apo ndryshuar tiraninë e opinionit dominant heteroseksual, por akoma më shumë është në kohën e duhur dhe shërbeu si “sinjal social” që të mësohemi të luftojmë së bashku për të ndryshuar disa paradigma tradicionale që janë në dëm të pakicave, që ndonjëherë janë reminishente dhe në rastin e qëndrimit ndaj homosekaulizmit kuazi “totalitariste”. Sepse, në disa lloj reagimesh që kanë qënë të veshura me “ambalazhe” të vjetra morale janë shfaqur fare hapur qëndrime personale homofobike. Nuk është fjala që në shoqëri nuk duhet të ketë homofobë.

Por nuk mund nga ana tjetër të pranojmë që ato të bëhen “pranga sociale” apo “instrumente ideologjike” që mbajnë të fortë në shoqërinë tonë një parim social të shëmtuar dhe kundërhuman, të cilin filozofi i shquar i liberalizmit Izaiah Berlin, e quan “parim i përbindshëm”, nga që ka pushtet në shoqërinë tonë, në të cilën akoma për fat të keq mendohet sipas paradigmës, që “opinioni shoqëror është ligj për individin”. (I Berlin, “Idetë filozofike të shekullit XX dhe katër ese për lirinë”, f 289) Jetojmë në kohë të reja dhe besoj se është momenti kur duhen pranuar idetë liberale për “jetë të larmishme” (sipas Xh. S. Mill-it) dhe sidomos për individualitet. Unë besoj se debati i kohëve të fundit për homoseksualizmin më shumë se u ka bërë mirë homoseksualëve në mbrojtjen e të drejtës së orientimit të tyre seksual, i ka bërë shumë mirë shoqërisë shqiptare e cila gradualisht po mësohet të bashkëjetojë me të vërtetat e reja dhe të mësojë dhe pranojë ideologjinë e lirisë dhe individualizmit, që është e koncentruar filozofikisht në idenë se “njerëzimi do të ishte më i fituar po të linte çdo njeri të vepronte ashtu siç i dukej vetë më mirë, se sa ta detyrojmë që të jetonte ashtu siç u duket më mirë të gjithë të tjerëve”.

Në këtë kontekst, e drejta e njeriut për orientim seksual nuk mund të gjykohet dhe paragjykohet nga shoqëria, nga asnjë moral apo tirani seksuale të opinionit mazhoritar të shoqërisë shqiptare. Homoseksualët nuk duhet t’i shikojmë si mjet për të bërë moral apo eksperimente sociale, por si qëllim dhe njerëz që në shoqëri kanë vendin dhe të drejtat e tyre. Kjo është rruga pa kthim e modernitetit që na detyron të njohim dhe pranojmë realitetin e “pluralitetit seksual”, ekzistencën e orientimit seksual me dallueshmëri të personave. Edhe në shoqërinë tonë dikur totalisht homofobike, ka mundësi që të pranohet dhe realizohet situata sociale dhe kushtet morale për të bashkëjetuar në harmoni dhe normalisht njerëzit që kanë orientime të ndryshme seksuale. Në shoqërinë moderne nuk ka më “qenie unike” në kuptimin totalitar, por njerëz me shije dhe orientime të ndryshme, të cilat filozofi Noizik i quan “ekzistenca të ndara”.

Padyshim, në debatin për homoseksualizmin kanë të gjithë të drejtë të ndërhyjnë dhe të marrin pjesë. Por megjithatë që të futesh i sigurt dhe që të ndikosh si duhet në të, së pari duhet të kesh kulturën e qartë dhe nivelin e duhur. Sepse në se hyn me “koncepte të ngurta” morale, sociale dhe filozofike që nuk i përshtaten kohës dhe jo me “konceptet e lëngëzuara” (Jurgen Habermas) atëherë nuk ndihmon dhe nuk sjell gjë të re. Kjo do të thotë që së pari duhet të bësh marrëveshjen e fjalës, duke e konsideruar njeriun me orientim seksual të vecantë së pari dhe mbi të gjitha individ të lirë, i cili e kërkon të drejtën e tij, duke mos pranuar pengesat e moralit seksual shoqëror dhe është kundër detyrimit për denatyrimin e orientimit seksual vetjak, duke u nisur nga parimet e rrënjosura thellë me karakter antihomoseksual dhe teologjik.

Asnjë nuk mund te thotë se homoseksualizmi është dukuri “moderne” apo “primitive”, e natyrshme apo e panatyrshme pa përdorur në këtë rast, gjykime të “parafabrikuara”, që vijnë nga doktrina dhe bindje personale të caktuara, sociale, morale apo fetare. Patjeter, kushdo ka të drejtë të gjykojë dukurinë e homoseksualizmit nga këndshikimi personal i shijeve të veta seksuale. Mbi këtë bazë mund të jetë ose jo dakord, që në jetën e tij të ketë apo jo lidhje me ta. Kjo është çështje krejt private. Por kur gjykojmë për të drejtën e njeriut për të patur orientimin e vet seksual, doemos që largohemi ca nga shijet tona seksuale personale. Aq më pak ato nuk mund të pretendojmë, t’i kthejmë në “norma morale” për të tjerët që mendojnë ndryshe. Kushdo ka të drejtë, të ketë mendimin e vet lidhur me këtë dukuri, që tani edhe në shoqërinë tonë po tenton të fitojë “qytetarinë”, të drejtën e ekzistencës legale, duke e konsideruar si një nga format alternative të realizimit seksualisht të një pakice njerëzish. Në këtë “luftë morale” dhe “betejë ideologjike” secili të përdorë i lirë “armët e tij”, të niset nga një pozicion dhe bindje personale e caktuar. Kështu që ndryshe e gjykon homoseksualizmin dhe është e drejta e tij, një heteroseksual që natyralisht është fare i kundërt, fetari, ateisti, komunisti, puritani, moralisti vulgar, liberali i thekur, konservatori, një i ri apo i moshuar.
Ndaj çfarëdo epiteti që të përdorim në këtë debat për njëri tjetrin duke akuzuar reciprokisht në emër të debatit, si “liberal” apo “konservator”, nuk bëjmë gjënë e duhur në interpretimin e drejtë dhe të duhur të dukurisë së homoseksualizmit që tashmë është temë e realitetit social dhe problem që është në mesin tonë. Qoftë edhe në nivelin “minoritar”. Në qoftë se do të qëndrojmë në pozicionin që të pengojmë dukurinë e shfaqur, duke e “mbajtur kalin nga bishti” nuk besoj se do të bejmë gjë pozitive. Është më mirë sipas mendimit tim, t’i dalim përpara dhe të mundohemi të ndikojmë të ecë “në rrugën e tij”, pa penguar ne të tjerët të ecin në rrugën e tyre.

Padyshim që dukuria e “homoseksualizmit” po sjell konfuzion moral, jo vetëm tek fëmijët por tek te gjithë heteroseksualët, që janë shumica absolute dhe që me siguri që ka për të qenë nga “mazhorancat më të pandryshueshme në kohë”. Por kjo nuk do të thotë që ne të kemi të drejtë të ndalojmë njerëzit me orientim homoseksual. Kjo është shoqëria moderne. Cështjet e “sjelljes seksuale” gjithnjë e me pak po bëhen pjesë e ndërhyrjes së shoqërisë dhe akoma më pak e shtetit. Ato tani po bëhen dhe në të ardhmen e afërt akoma më shumë çështje e perceptimit, shijes dhe moralit personal. Ndoshta e kam gabim, por tendenca duket e qartë, e fortë , e pa kthyeshme. Një gjë nuk duhet harruar. Në këtë çështje sjellja e shumicës nuk është “kriter i së vërtetës”, as kriter moral për të gjithë njerëzit në formë deterministe, absolute. Nuk është normal ngatërrimi i qëllimshëm i homoseksualizmit me format e panatyrshme të perversitetit seksual. Por kjo nuk i jep askujt të drejtën që për të goditur të drejtën e njeriut për të patur orientim seksual të veçantë, të bëjnë qëllimisht paralelizma të panatyrshme të homoseksualizmit me forma të tjera të relacioneve seksuale, që janë me natyrë kriminale dhe anti-sociale. Për të cilat shoqëria dhe shteti kanë detyrë dhe të drejtë ndaluese, për shkak të dëmeve shëndetësore, morale dhe civile që ato shkaktojnë. Në këtë aspekt është e vërtetë që e drejta seksuale e njeriut nuk është e pakufizuar. Për format patologjike të seksualitetit shoqëria dhe shteti ka të drejtë të ndërhyjë edhe me ligje dhe në mënyrë morale. Por homoseksualizmi nuk bën pjesë në këto forma…

Shenim: Ky shkrim eshte prone e autorit te saj dhe Gazetes Tirana Observer. Ambasada PINK nuk eshte poseduese e te drejtave te autorit. I vetmi qellim per replikimin e ketij lajmi eshte tematika qe permban. Link-u origjinal i shkrimit eshte si vijon: http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/16/seksi-qyteti-gjysherit-ekremi-dhe-enkeli/

No comments:

Post a Comment