Friday, April 20, 2012

Seksi, qyteti, gjysherit, Ekremi dhe Enkeli

nga Dorian Matlija 

Me besimin se sjellin para publikut argumentet e gjyshëve të tyre, Ekrem Spahia dhe Enkel Demi po përpiqen të zbukurojnë ekranet tona me thënie pikante kundra atyre që po zhburrërojnë Shqipërinë. Por për hir të së vërtetës këta burra, në emër të dopjo r-së, po hedhin argumenta që pikërisht po i bëjnë gjyshërit e tyre të ncuk ncuk-in me dëshpërim. Ekremi thote se do i kapte me hu ata të 17 majit. Ai harron se spahitë kanë qenë feudale ushtarakë të rangut të lartë në perandorinë otomane dhe kanë pasur një respekt të padyshimtë për institucionin e sulltanit, i cili kishte gati rregullisht dylbera zyrtarë.

Të gjithë e dimë që dylberët kanë qenë shërbëtorë deri në nivel intim të madhërisë së tij. Nuk besoj se ndonjë spahi i kohës së burrave me 2 apo 3 r, të çonte nëpër mend që të kapte sulltanin me hu. Nëse do e mendonin kështu, huri do dilte direkt nga imagjinata e tyre dhe do i kthehej ne formë të pastër fizike drejt e në ato vende që po ajo imagjinatë e tyre nuk e kishte menduar aq keq. Gjyshërit kanë të drejtë. Lërë ore sulltanin të bëjë ctë dojë në dhomën e gjumit.

Ç’të duhet që e kruan me të? Mesa duket Spahisë së kohëve moderne i mjafton fakti që homoseksualët e sotëm janë paqësorë dhe nuk druhet nga ata. Megjithatë nuk do të thosha se është tamam kështu. Dëgjojmë çdo ditë sesi në ushtri apo në burgje hasen sjellje homoseksuale nga individët më të fortë. Në vendin tonë ka shumë burra që madje mburren se kanë dhunuar seksualisht një individ tjetër të të njëjtit seks. Edhe këta të fortë janë homoseksualë në një lloj forme dhe gjyshërit kanë të drejtë kur shqetësohen kur kërkon ti kapësh edhe këta me hu. Gjyshërit shqetësohen edhe për partinë e Ekremit.

Me këto deklarata që lëshon nipçja dhe shokët e tij po rrezikojnë që ta nxjerrin PLL jashtë ligjit. Dhe me të drejtë. Ligji thotë shqip që kur partia ndjek qëllime të jashtëligjshme atëherë ajo duhet të shpërndahet dhe çregjistrohet. Po ç’i duhet nipçeve që kruhen edhe me ligjin tani? Nuk mjaftonin vetëm sulltani dhe të fortët e qytetit? Meqë ra llafi tek qyteti, ka edhe burra që e shohin në planin seksual problemin në fjalë. Enkeli është tipiku i qytetarit që shqetësohet për këtë problem.

Ai tenton të na sjellë argumentet e vitit 1920 për të na bindur që edhe gjyshi i tij e mendon njëlloj dhe se ai është një nipçe i denjë. Enkeli thotë se homoseksualët janë kundra natyrës, sepse burri me burrin nuk riprodhohen dot. Mirë e ka. Burri me burrin nuk bëjnë fëmijë dhe kjo vjen kundra natyrës. Çdo gjë që vjen kundra natyrës duhet ndaluar. Por sipas gjyshërve arkaikë apo modernë, njeriu bën seks ndoshta 5000 herë në jetë.

Nga gjithë këto të shtëna, bën apo s’bën 2-3 fëmijë. Po çfarë ndodh me 4997 herët e tjera? Është e thjeshtë fare. 4997 herët e tjera seksi shërben vetëm për kënaqësi dhe kjo arrihet në forma të ndryshme. Sipas Enkelit po bëre seks me prezervativ, duke mohuar kësisoj qëllimin e natyrshëm të riprodhimit, atëherë ti del kundra natyrës dhe duhesh ndaluar apo dënuar. Ndoshta Enkeli nuk bën seks për qejf, por vetëm për qëllime riprodhimi. Ndoshta edhe seksi me prostituta duhet bërë për të bërë fëmijë. Kështu e mendon Enkeli mbase. Por gjyshërit nuk e mendojnë kështu, e as pjesa tjetër e qytetit.

Ka plotë njerëz që bëjnë seks për qejf. Ca preferojnë variante fetishiste, ca të tjerë vdesin për sado-mazon, etj. Ja që ca prej tyre kanë qejf edhe marrëdhëniet me të njëjtin seks. Edhe një gay mund të riprodhohet po të bëjë seks si Enkeli një apo dy herë në jetë sa për riprodhim dhe pastaj të vazhdojë për qejf marrëdhëniet homoseksuale.

Por, as sulltani i Ekremit dhe as burrat e natyrës së Enkelit nuk besoj se e kanë shumë hallin tek dhoma e gjumit. Madje as Enkeli dhe Ekremi nuk bezdisen fare kur shohin shfaqje gay nga femrat. Ata ndoshta nuk bezdisen as nga personat që preferojnë marrëdhëniet anale me femrat. Ata nuk bezdisen as nga homoseksualët “aktivë”, por vetëm nga ata “pasivët”. Për Ekremin dhe Enkelin problemi qëndron tek shenjtëria e anusit mashkullor.

Ata duhet të ndjejnë njëlloj sikletin edhe kur vjen puna për të bërë ekzaminime mjekësore. Të shkretët ata. Gjyshërit e tyre dhe pjesa tjetër e qytetit shqetësohen më shumë për  paburrnitë e atyre që vrasin në emër të pushtetit. Shqetësohen më shumë për paburrninë e një funksionari garde që shtinë me armë vdekjeprurëse ndaj një demonstruesi që ka duart në xhepa.

Kjo është e dënueshme me kanun dhe me ligj. Duhet të shqetësohemi më shumë edhe për paburrninë e atyre që dhunohen nga gratë, pavarësisht se për cilën arsye natyrore bëjnë seks. Madje duhet të shqetësohemi edhe për dhunën e burrave ndaj grave për shkak të paburrnisë së burrave për t’u imponuar respekt grave pa ushtruar dhunë.

Duhet të shqetësohemi dhe për fëmijët që po rrisim në një ambient pa parime. Burrnia lidhet në rradhë të parë me parimet, me fjalën, me respektin reciprok. Burrnia Ekremo-Enkeliane nuk lidhet me asgjë, përveçse me frikën e këtyre të dyve për t’u dukur dështakë nëse nuk ngrenë zërin kundra gay-ve.

Kështu ata krehin egon e tyre të mëdyshur dhe shpresojnë se do duken më shumë burra duke rikuperuar ndonjë imazh të humbur rrugës. E megjithatë, ashtu sic thoshte Galilei “eppur si muove”, qyteti vazhdon të bëjë seks për qejf dhe vazhdon të luftojë kundër paburrnisë së sunduesve të momentit. Qyteti vazhdon të shqetësohet për ata që vrasin, presin, vjedhin, mashtrojnë, dhunojnë dhe jo për çfarë do bëjnë ca njerëz paqësorë më 17 maj.

Shenim: Ky shkrim eshte prone e autorit te saj dhe Gazetes Tema. Ambasada PINK nuk eshte poseduese e te drejtave te autorit. I vetmi qellim per replikimin e ketij lajmi eshte tematika qe permban. Link-u origjinal i shkrimit eshte si vijon: http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/16/seksi-qyteti-gjysherit-ekremi-dhe-enkeli/
 

No comments:

Post a Comment