Intervista e meposhtme eshte dhene nga Ambasadori i Pare i Ambasades PINK, Z. Altin Hazizaj per gazeten MAPO. Kjo interviste pasoi takimin e Ambasades PINK me Avokatin e Popullit Z. Igli Totozani ne zyren e tij, takim qe u percoll edhe nga mediat. Gjithsesi, keto te fundit, pak edhe per lajm pak edhe nga keqkuptimi i mesazheve bene buje neper ekrane dhe shtyp duke deklaruar se ne 17 Maj, Tirana do kete Parade Gay. Ky eshte nje lajm jo i sakte, duke qene se Festivali i Diversitetit nuk eshte nje parade gay, por nje takim i shoqerise civile, institucioneve dhe organizatave te ndryshme per te festuar diversitetin dhe tolerancen, duke perfshire ketu edhe ate ndaj personave me orientim seksual dhe identitet gjinor te ndryshem.
Jonida Tashi
Për herë të parë këtë vit, edhe në vendin tonë sikurse ndodh në mbarë botën, në Ditën Botërore kundër Homofobisë, komuniteti i personave lesbike, gay, biseksuale dhe transgjinorë (LGBT) nuk do t’i organizojë më “fshehur” aktivitetet në kuadër të kësaj dite, por në një nga sheshet kryesore të Tiranës. Për kreun e Ambasadës Pink/LGBT Pro Shqipëri, Altin Hazizaj, tashmë ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të organizohet “Festivali i Diversitetit”, ku qytetarët ftohen të festojnë të gjithë së bashku, pavarësisht orientimit të tyre seksual. Në këtë intervistë, Hazizaj tregon planin e aktiviteteve që do të organizohen në kryeqytet për 17 Majin, Ditën kundër Homofobisë, midis të cilëve është edhe “parada e flamurit” të komunitetit LGBT, që do të valëvitet përkrah atij shqiptar jo vetëm në festime, pasi sipas Hazizajt, të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe institucionet shtetërore, si Kryeministria, Presidenca, ministritë, Bashkia e Tiranës etj.
Në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, më 17 Maj 2012 Ambasada “Pink” ka planifikuar të organizojë festivalin e diversitetit, që në media u përfol si “parada gay”, çfarë do të përmbajë ky aktivitet?
Në fakt, si një person që vij vetë nga bota e lajmit dhe e gazetarisë, e di se ndonjëherë media i kapërcen kufijtë e lajmit dhe nis e bën edhe vetë lajme. Na ka qëlluar që të gjithëve, ndaj kur kam lexuar dhe shikuar një pjesë të mediave kryesore dje dhe sot, jo pa habi por edhe me kureshtje kam lexuar se takimi i djeshëm që Avokati i Popullit pati me ambasadën “Pink”, ndër të tjera kishte diskutuar edhe këtë çështje. Logjika të shtyn të pyesësh veten se përse do të duhej që këtë çështje ne ta diskutonim me z.Totozani dhe jo ta bënim këtë një fakt publik një ditë tjetër përpara institucioneve që japin leje për sheshin ku mund të organizohej pride. Ka mundësi që dëshira e mediave, që edhe Shqipëria të ketë si çdo vend tjetër në Europë, një gay pride, të ketë qenë më e madhe sesa mundësitë dhe forca e komunitetit LGBT në vend për të organizuar një të tillë. Sigurisht që koha ka për të ardhur që edhe Shqipëria të ketë një Tirana PRIDE, por mendoj se kjo që të realizohet do të duhet edhe pak kohë.
Këtë 17 Maj, në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Ambasada Pink/LGBT Pro Shqipëri është duke planifikuar një sërë eventesh që do të organizohen atë ditë. Të gjitha këto evente do të organizohen nën siglën e “FESTIVALIT TË DIVERSITETIT”, që me pak fjalë do të jetë një ditë që të gjithë qytetarët e këtij vendi mund të festojnë së bashku me ne diversitetin e qenies njerëzore, përfshi edhe diversitetin tonë seksual. Data 17 Maj është dita kur qeveritë në të gjithë botën organizojnë evente publike në mbështetje të komunitetit LGBT në Shqipëri, për të informuar publikun, por edhe për t’i dhënë mundësi komunitetit dhe mbështetësve të tyre për të folur për nevojën e eliminimit të diskriminimit, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për ndarjen e informacionit në lidhje me orientimin seksual dhe identitetin gjinor, për të treguar modele pozitive të tolerancës dhe respektit. Pra, si çdo ditë tjetër ndërkombëtare, edhe kjo është një ditë ku shoqëria civile feston, avokon, informon për të drejtat e një grupi të caktuar të shoqërisë, në rastin konkret komunitetit më shumëngjyrësh të shoqërisë, atij gay, lesbike, biseksual dhe transeksual. Në botë festivale të tilla shoqërohen nga një paradë që shpesh njihet si parada gay, por ne të Ambasadës PINK, përpos dëshirës, nuk planifikojmë ta organizojmë paradën këtë vit. Mbase vitin tjetër, ku i dihet!
Ajo çka është e sigurt është fakti se e gjithë Ambasada Pink/LGBT Pro Shqipëri, mbështetësit e saj, ambasadorët e Pink, vajza e djem nga komuniteti i mrekullueshëm LGBT në Shqipëri dhe në Kosovë, përfaqësues të institucioneve publike dhe atyre të të drejtave të njeriut, do të jenë atë ditë në një nga sheshet kryesore të Tiranës për të informuar qytetarët në lidhje me homofobinë dhe sesa e rrezikshme është ajo për një shoqëri, se çfarë pasojash të rënda prodhon gjuha e urrejtjes dhe mosrespektimi i të drejtave të njeriut. Ne do të informojmë njerëzit për të drejtat seksuale të çdo qytetari, gay dhe jo gay, për punën që shoqëria civile dhe institucionet bëjnë për të eliminuar diskriminimin dhe promovuar tolerancën e diversitetin, për të përforcuar dhe ndarë me qytetarët vlerat më pozitive dhe më të larta të të gjithë komunitetit LGBT. Orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk mund të ndahen nga vlerat e tjera pozitive që prodhon komuniteti; është si ta shohësh Oscar Wilde apo Elton John të ndarë nga letërsia apo muzika, thjesht dhe vetëm sepse janë gay.
Një ndër eventet më interesante të kësaj dite do të jetë ngritja e flamurit LGBT dhe dorëzimi i tij pranë zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë, cila është domethënia e këtij veprimi?
Flamuri është një simbol në shumë shtete, besime, grupe apo edhe familje. Në kulturën shqiptare, ku ka flamur do të thotë që ka një bajrak (shtëpi) dhe në botë, ku ka një flamur do të thotë ka një shtet. Kjo simbolikë e flamurit, pra e të paturit një flamur, në rastin konkret kërkon të tregojë se edhe në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të botës, ka një komunitet, ka një (apo disa) shtëpi (bajraqe) që punojnë për avancimin e një prej grupeve, që ndonëse ka avancuar në drejtimin profesional dhe personal, kur vjen çështja në drejtim të të drejtave të tyre seksuale të jetë po aq i shtypur sa edhe grupe të tjera shoqërore në Shqipëri, si gratë, minoritetet etj. Për ata që nuk e dinë, flamuri LGBT përbëhet nga 7 viza horizontale me ngjyra të ndryshme: e kuqja, portokallia, e verdha, jeshilja, bluja, violetë dhe ngjyra rozë (pink). Flamuri me këto ngjyra (ndryshe njihet me fjalët: me ngjyrat e ylberit) përdoret në mjaft vende dhe kultura për të simbolizuar diversitetin, përfshirjen, shpresën apo kërkesën për diçka.
Ky është viti i 4-t që Ambasada Pink/ LGBT Pro Shqipëri do të organizojnë aktivitete publike, por në konsultim edhe me komunitetin, ne kemi vendosur që të gjitha këto festime të mos bëhen më në mjedise të mbyllura, në salla konferencash apo edhe natën, por të bëhen në një shesh kryesor të Tiranës. Ne në ditët në vijim do të ftojmë zyrtarisht që të gjitha institucionet publike të bëhen pjesë e kësaj dite, jo për të mbështetur Ambasadën Pink, por për të treguar se shteti dhe institucionet e kanë seriozisht luftën e tyre për eliminimin e diskriminimit, stereotipeve dhe homofobisë ndaj komunitetit LGBT. Po në vijim të kësaj, ne do t’iu kërkojmë zyrtarisht të gjitha institucioneve publike si Bashkia e Tiranës, ministritë, Kryeministria dhe Presidenca, që në shenjë respekti ndaj punës, mundit, përpjekjeve, por edhe vuajtjeve të komunitetit LGBT që nga koha e komunizmit e deri më sot, të ngrenë flamurin në shtizat e institucioneve të tyre. Presidenti Barak Obama e ka bërë këtë veprim vjet së bashku me Departamentin e Shtetit, përfshirë edhe takime me komunitetin për të treguar mbështetjen e tyre për kauzën LGBT, ndaj ne nuk shohim pse qeveria dhe institucionet publike shqiptare të mos e ndërmarrin një veprim të tillë. Institucionet janë të të gjithë publikut, përfshirë edhe komunitetin LGBT, ndaj një ditë e vetme nuk ka pse të mos i dedikohet avancimit të barazisë dhe diversitetit të tyre. Në këtë aspekt, edhe ajo çka ne e konsiderojmë “parada e flamurit” (dhe jo të komunitetit) do të jetë një përpjekje më shumë që edhe Kryeministri të tregojë se qeveria shqiptare, e cila ndër të tjera raporton përpara BE-së për statusin dhe të drejtat e komunitetit LGBT në vend, të bëhet pjesë e punës sonë për arritjen e barazisë së vërtetë dhe respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Në disa vende të tjera, si për shembull në Serbi, parada e komunitetit LGBT nuk u mirëprit nga shoqëria. Ju keni frikë se diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe në Shqipëri dhe çfarë masash do të ndërmerrni për të evituar ndonjë problem të mundshëm?
Siç e thashë, ne si Ambasadë Pink/ LGBT Pro Shqipëri nuk planifikojmë të organizojmë një paradë LGBT, pasi atëherë do të na duhej që sigurisht të ngrinim edhe pikëpyetje në lidhje me sigurinë e komunitetit etj. Një gjë që mendoj se duhet sqaruar është se komuniteti LGBT në Shqipëri nuk kërkon asnjë të drejtë më shumë apo më pak se ç’ka pjesa tjetër e shoqërisë, nuk kërkon asnjë ligj të veçantë nga grupimet e tjera shoqërore. Komuniteti kërkon të jetojë dhe të kontribuojë pa diskriminim dhe diferencim në jetën e qytetit dhe shtetit të tyre, si gjithë të tjerët. Në këtë aspekt, të drejtat e komunitetit janë të drejta individuale, si të çdo qenieje njerëzore. Ne si njerëz nuk na bëhet vonë se çfarë është duke bërë komshiu me zonjën që sapo futi në shtëpi, ndaj pse duhet të na bëhet vonë nëse në vend të zonjës ai futi një zotëri në shtëpinë apo shtratin e tij? Këto janë çështje private të çdo individi, pra që ne si të rritur jemi të lirë të zgjedhim partnerët tanë, por kjo nuk do të thotë se për shkak se orientimi seksual i dikujt është drejt gjinisë së njëjtë, duhet të ketë më pak të drejta, pasi në sytë e një pjese të shoqërisë ka bërë zgjedhjen e gabuar. Të drejtat e njeriut janë të drejta universale për të gjithë njerëzit, prandaj ne që të gjithë kemi nevojë që ndonëse jemi të ndryshëm, të jemi të barabartë në të drejta dhe mundësi. Kjo është lufta jo vetëm e Pink, por për mendimin tim, kjo është lufta e çdo qytetari për të mbrojtur të drejtat e tij/saj nga dhunimi.
Në lidhje me Serbinë, mua më vjen keq që ju krahasoni një vend të paqtë si Shqipëria dhe shqiptarët, me një vend, që ka shkaktuar një luftë botërore dhe kushedi sa luftëra europiane, përfshi edhe shfarosjen e njerëzve për shkak se ata ishin të ndryshëm nga pjesa mazhoritare e shoqërisë. Shqiptarët janë viktima të këtij pastrimi etnik që sot gjykohet si krim kundër njerëzimit në Gjykatën e Hagës. Shqiptarët kanë mbrojtur hebrenjtë në kohën që mund të vriteshim si mizat nga gjermanët, kanë një bashkëjetesë shembullore fetare, ndaj unë nuk do mendoja se këtë tolerancë dhe diversitet të mos e shtrijnë edhe tek motrat, vëllezërit, nënat apo baballarët, të afërmit e tyre, që në fund të ditës janë shqiptarë.
Mendoni se tashmë shoqëria shqiptare është e gatshme për ta pranuar një aktivitet të tillë dhe, a do të ketë pjesëmarrje, duke qenë se një pjesë e personave që bëjnë pjesë në komunitetin LGBT e kanë të vështirë ta pranojë publikisht orientimin e tyre seksual?
Çështja e pranimit publikisht të vetë komunitetit të orientimit të tyre seksual do të vijë me kohën, pasi edhe kjo është një çështje besimi e komunitetit ndaj shoqërisë, familjes, shtetit dhe institucioneve të tyre. Shumica e djemve dhe vajzave të komunitetit ia kanë thënë familjeve të tyre dhe e dini se çfarë thonë? I pranojnë fëmijët ashtu siç janë, por nuk duan që ata tia thonë BOTËS, sepse kanë frikë se kjo bota jonë jashtë derës së shtëpisë do t’i shoh ata si njerëz jo normalë, do t’i shoh si alienë, si njerëz të sëmurë, si të mangët nga trutë e inteligjenca, sepse ndonjëherë ka kaq shumë padituri në drejtim të të drejtave seksuale, saqë njerëzit që nuk janë LGBT harrojnë se edhe ata kanë të drejta seksuale, harrojnë që ta pyesin veten sesi do të ndjeheshin në një botë që nuk do të respektonte seksualitetin e tyre. Për më tepër, ne kemi kuptuar, se kjo luftë për të drejtat e njeriut, për shkak të komplekseve që ka ende shoqëria shqiptare në lidhje me seksin në përgjithësi, i bën njerëzit që edhe kur duan të pyesin për gjërat me elementare që kanë lidhje me seksin të kenë komplekse. Unë mendoj se shoqëria, ne si shqiptarë kemi nevojë të çlirohemi nga komplekset gjinore dhe seksuale që na shoqërojnë, pasi janë ato që na pengojnë të jemi njerëz të lirë dhe të synojmë barazinë e vërtete midis burrave dhe grave, gay-ve dhe heteroseksualëve, midis të rriturve dhe të vegjëlve tanë, midis fëmijëve vajza dhe atyre djem.
Ka të dhëna se sa për qind e popullsisë në Shqipëri janë pjesë e komunitetit LGBT dhe si është aktualisht situata e respektimit të të drejtave të tyre?
Jo, nuk ka të dhëna. Ne si Ambasadë Pink/ LGBT Pro Shqipëri mendojmë se studimet shkencore krahasimore, që kanë bërë një pjesë e mirë e vendeve të botës, në Amerikën e Jugut, në SHBA dhe në Europë, janë të mjaftueshme për të treguar se të paktën 5% e popullsisë në çdo vend është gay, se të paktën 1% e popullsisë ka një identitet gjinor të ndryshëm nga ai që ka lindur, se 3-5% e grave pranojnë se kanë orientim drejt gjinisë së tyre. Për t’i rënë shkurt, shkenca thotë që të paktën 10% e popullsisë në çdo shoqëri është LGBT. Unë nuk mendoj se shoqëria shqiptare është e ndryshme nga bota, sepse po ta pranoja këtë do të më duhet të pranoja që ne shqiptarët kemi brirë. Studimet tregojnë sesa më e mbyllur të jetë një shoqëri, aq më e vështirë bëhet deklarimi i seksualitetit, por kur janë bërë matjet në shoqëri të tilla, që me kohë janë hapur, atëherë është parë që përqindjet janë thuajse të përafërta me të gjitha shoqëritë e tjera. Personalisht mendoj se media, por edhe ne si njerëz, nuk duhet të fokusohemi tek numrat, përkundrazi duhet të shqetësohemi që qoftë edhe një qytetar i vetëm nuk gëzon të njëjtat të drejta si unë apo si të tjerët, sepse në atë moment dhe vetëm në atë moment, unë kuptoj që kjo shoqëri, nëse nuk lufton për të drejtat e atij personi, asnjëherë nuk ka për të luftuar edhe kur t’i shkelen të drejtat asaj vetë. Këtë lloj neglizhence unë nuk jam gati ta pranoj.
No comments:
Post a Comment