Monday, July 15, 2013

Destinacionet më të mira verore LGBT në Europë



Mund të jetë ende herët për të parë se cilat do të ishin destinacionet më të mira për komunitetin LGBT brenda Shqipërisë, edhe pse me pak të pyetur mund të gjenden ato pak vende të ashtu-quajtura gay-friendly në bregdetin tonë të bukur. Ndërkohë, anketimet dhe vëzhgimet e shumta të bëra nga agjenci të ndryshme udhëtimi na tregojnë shumë lehtë disa nga destinacionet më të mira turistike për komunitetin LGBT në botë. Për të qenë disi më realistë dhe për të ndryshuar pak natyrën e lajmeve tona, përgjithësisht të fokusuara te politika, të drejtat, problemet dhe shqetësimet tona të panumërta si komunitet, ky shkrim do t’ju tregojë disa nga destinacionet më të mira verore për komunitetin LGBT në kontinentin e vjetër. Cilat janë qytetet, plazhet dhe vendet e pushimit më të mira për komunitetin tonë në Europë? 

 
Pamje nga Parada ne Kanalet e famshme tw Amsterdamit - Kete vit parada do te jete ne daten 3 Gusht http://www.amsterdamgaypride.nl/
 
Do e nisim me atë që njihet nga dhjetra agjensi si destinacioni numër një i komunitetit LGBT në Europë: Amsterdami. I mirënjohur për mundësitë që i ofron komunitetit LGBT, ky qytet ka një të shkuar të lavdishme për lëvizjen. Organizata më e vjetër gei në botë COC, është themeluar pikërisht në Amsterdam në vitin 1946. Lojrat Gay, janë organizuar këtu për herë të parë në vitin 1998, me shumë sukses. Martesat e para gei dhe lezbike në botë u organizuan në Amsterdam në vitin 2001. Ky qytet ofron mbi 100 lokale, bare dhe klube nate, festa speciale gei, performanca arti, madje edhe një plazh shumë afër qytetit. Të gjitha këto kombinohen me shpirtin unik të tolerancës dhe lirisë së Hollandës.

Barcelona Circuit Festival, zhvillohet kete vit ne datat 8-18 Gusht, 11 dite plot festa: guida ne link-un www.circuitfestival.net/
Barcelona, mbetet një nga destinacionet kryesore turistike në Europë, por duke nisur nga viti 2005 qyteti e vendosi veten edhe në harten gei. Atë vit, Spanja katolike legalizoi martesat gei çka tërhoqi vëmendjen dhe interesin e shumë çifteve gei dhe lesbike nga e gjithë Europa. Barcelona ndërkohë ka komunitetin e saj LGBT i cili është aq i madh saqë popullon një nga zonat më të famshme dhe të bukura të qytetit, lagjen Gaixample, i cili u ofron vendasve dhe vizitorëve të shumtë LGBT lokale, hotele, clube dhe mjedise të ndryshme sociale. Ndërkohë 35 km në jug të Barcelonës, në një udhëtim i cili zgjat vetëm 30 minuta me tren, ndodhet një tjetër destinacion shumë i suksesshëm gei – Sitges. Ky është një qytet i vogël bregdetar me një jetë natë brilante, plazhe të bukura, përfshi atë për komunitetin gei, Platja de la Bossa Rodona duke e bërë atë një nga destinacionet më të famshme. 30% të turizmit të këtij qyteti e përbën komuniteti LGBT. 

Lagja "Soho" ne Londer, i njohur si distrikti LGBT i kryeqytetit Britanik
Londra, edhe pse disi më larg se destinacionet e tjera, dhe për shumë prej nesh me detyrimin për tu pajisur me një vizë, përbën një nga destinacionet më të famshme LGBT në Europë dhe botë. Ky qytet ka një nga skenat e jetës së natës më të zhvilluar në botë me mbi 200 klube dhe bare gei, me një nga Festivalet më të famshme Pride, Festivalin Lesbik të Filmit etj dhe tërheq me mijëra turistë LGBT nga e gjithë bota. Londra është në top-listën e pushimeve gei për SHBA-të dhe ndërkohë krenohet me një histori të lavdishme emrash gei si Mbreti Xhejms VI, Elton Xhon, Virxhinia Ulf etj. 

 
Guida Gay e Kroacise per vitin 2013 - mund ta shihni ne PDF ne link-un http://www.friendlycroatia.com/

Përsa i takon destinacioneve verore, ku patjetër përfshihet edhe Barcelona, në listat ndërkombëtare prej disa vitesh është përfshirë edhe nje nga vendet e afërta me ne, Kroacia. Edhe pse ky vend nuk është ende i famshëm për tolerancën dhe mikpritjen që personat LGBT mund të gëzojnë në vende të tjera, gjithsesi një numër gjithmonë e më i madh turistësh po e vizitojnë bregun e tij mahnitës. Sipas aktivistëve LGBT në vend një nga territoret më të mira për komunitetin LGBT mbetet gadishulli i Istrias, veçanërisht qyteti i vogël i Rovinjit i cili po shndërohet gjithnjë e më shumë në destinacion LGBT. 

 
XLISIOR Festival - Mikonos zhvillohet kete vit ne datat 21-25 Gusht - http://www.mykonos-accommodation.com/xlsior-international-gay-festival-mykonos-2013.htm

Greqia, ndërkohë mbetet një nga destinacionet tradicionale më të famshme dhe të vizitueshme për komunitetin LGBT prej më shumë se 30 vitesh. Ishulli i Mikonos, në Egje, mbetet një nga destinacionet kryesore gei në Europë dhe botë. Ishuj të ndryshëm ndërkohë, edhe pse nuk njihen për jetën legjendare të natës që gëzon Mikonos ofrojnë plazhe, qetësi dhe shërbim shumë miqësor ndaj personave LGBT. 

Për tu kthyer sërish në Spanjë. Ishujt vullkanikë të Gran Kanarie dhe Tenerife të pozicionuara disa kilometra larg bregut afrikan janë dy ndër destinacionet më të mira gei në botë ndërkohë që mbeten në top-listën e pushuesve LGBT në Europë.

Edhe pse fillimisht ky ishte një ishull i lirë, me target kryesor artistët me të ardhura të vogla, sot Ibiza është një nga destinacionet më elitare dhe të famshme europiane. Ky ishull mbetet një ndër destinacionet më popullore gei për mbi 20 vite rrjesht. Me kalimin e kohës ishulli është bërë shumë tërheqës edhe për pushuesit amerikanë ndërkohë që vendasit gëzojnë prej vitesh respektin e komunitetit LGBT duke qenë se ky i fundit është një nga burimet kryesore të të ardhurave të tyre si dhe një ndër arsyet më të forta për shndërimin e këtij ishulli në një destinacion ndërkombëtar. 

Dhe me këtë listë, Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri i uron të gjithë  komunitetit LGBT pushime të mbara dhe ditë sa më të bukura me diell, plazh dhe miq. :) 

No comments:

Post a Comment