24 Qershor 2013 - Ditët
e fundit kanë parë rrikthimin e akteve të dhunës kundër komunitetit LGBT në
Maqedoni. Me rasin e Javës së Pride-it, organizata në mbrojtje të këtij
komuniteti kishin organizuar aktivitete të ndryshme në qendër të qytetit si dhe
pranë mjediseve të tyre. Në një nga këto aktivitete, u sulmua edhe qëndra në mbështetje
të komunitetit, LGBTI Centre, pranë
Pazarit të Vjetër duke u shkatërruar plotësisht nga huliganët. Mësohet se disa
aktivistë brenda qendrës janë dëmtuar gjithashtu. Gjatë këtij sulmi u sulmua
edhe një punonjës i Policisë së Shtetit.
Këto akte vandale janë
bërë edhe më parë kundër qendrës LGBT, por ndërkohë është hera e parë që sulmbi
bëhet ndërkohë që ka njerëz brenda dhe zhvillohej një aktivitet.
Aktivistët LGBT në
Maqedoni si dhe organizata të shumta në mbrojtje të të drejtave të njeriut në këtë
vend kanë kërkuar që prej vitit të shkuar që institucionet publike, të bëjnë
detyrën e tyre në mbrojtje të qytetarëve LGBT, të miratohet ligji
anti-diskriminim dhe të ndëshkohen të gjithë ata individe të cilët minojnë të
drejtat e njeriut në këtë vend. Por ndërkohë qeveria aktuale konservatore e
drejtuar nga Gruevski, jo vetëm që nuk i është përgjigjur kërkesave të qytetarëve
të saj dhe rekomandimeve e kërkesave të partnerëve të ndryshëm ndërkombëtarë,
por në të kundër gjatë vitit të shkuar ka ndërmarrë një fushatë të fortë
homofobike dhe diskriminuese kundër komunitetit LGBT çka u pasua nga një seri
sulmesh prej grupesh huliganësh dhe ekstremistësh të ndryshëm.
Në vazhdën e sulmeve
aktuale, shumë organizata dhe institucione të ndryshme nga Maqedonia dhe jashtë
saj po i bien ziles së alarmit duke kërkuar që Qeveria e shtetit fqinj të mos
flejë më mbi dhunën dhe urrejtjen që po vuajnë personat LGBT por të amendojë
ligjin anti-diskriminim ku të njohë dhe të ndalojë diskriminimin e qytetarëve të
saj për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor si dhe të parashikojë
ndëshkime të rrepta për ata qytetarë që kryejnë krime urrejtje bazuar në
orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Organizatat LGBTI në
Maqedoni dhe aktivistë të ndryshëm jetojnë nën frikën e izolimit dhe kërcënimit,
ndërkohë që institucionet, media dhe shoqëria vazhdojnë të jenë krejt
indiferente dhe kërcënuese për sigurinë dhe lirinë e komunitetit LGBT.
Ambasada PINK / LGBT
Pro Shqipëri po ndjek me shqetësim këto zhvillime dhe bashkohet me aktivistet
dhe organizatat maqedonase, në përpjekjet e tyre për të ndryshuar këtë realitet
i cili po pengon avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve
LGBT për tu mbledhur, për tu shprehur lirshëm dhe për të qenë të mbrojtur nga
krimet dhe fjalimet e urrejtjes.
No comments:
Post a Comment