Tuesday, June 4, 2013

Ambasada PINK raporton pranë BE-së situatën e komunitetit LGBT në vend

30 Maj 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri raportoi zhvillimet e muajve të fundit në lidhje me çështjen LGBT pranë institucioneve kryesore të Bashkimit Europian në Bruksel. Përfaqëuesi i saj Amarildo Fecanji, së bashku me kolegë nga vendet e Ballkanit perëndimor, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Bosnje-Herzegovina dhe Maqedonia prezantuan në mënyrë të detajuar arritjet dhe sfidat kryesore në lidhje me kauzën LGBT në vendet respektive.


Aktivistet ne hyrje te Parlamentit Europian
Me koordinim të ILGA-Europe aktivistët zhvilluan takime pranë Këshillit të të drejtave të njeriut (DROI) dhe LGBT Intergroup në Parlamentin Europian, European External Action Servise, kabinetin e Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin e BE-së, Z. Stefano Sannino, EQUINET, Grupin Europian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe grupet përkatëse të punës mbi zgjerimin për çdo shtet.

Në këto raportime Ambasada PINK pasqyroi arritjet më të fundit të Shqipërisë në fushën e reformave dhe punës për përmirësimin e situatës së komunitetit LGBT. Këtu u veçuan puna e Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Plani i Masave të Ministrisë së Punës, amendimet e ligjeve të kodit penal dhe atij të punës etj. Në paralel u evidentuan edhe disa nga problemet kryesore që lidhen me diskriminimin, fjalimet e urrejtjes nga zyrtarët dhe figurat publike, nivelin e ulët të raportimeve nga komuniteti LGBT, hetimin jo-serioz të denoncimeve dhe ankesave të bëra nga komuniteti LGBT pranë institucioneve hetimore dhe policisë etj.

Pas takimin me Drejtorin per Zgjerimin Stefano Saninno
Në tërësi Shqipëria paraqitet si një vend i cili prej disa vitesh ka ndërmarrë hapa seriozë në avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT por ndërkohë shumë punë dhe sfida mbeten në lidhje me implementimin e ligjit si dhe niveli i lartë i homofobisë dhe diskriminimit ku veçohen në mënyrë shqetësuese edhe të rinjtë. Ambasada PINK rekomandoi që Bashkimi Europian duhet të jetë më kërkues dhe këmbëngulës në lidhje me implementimin e reformave dhe ligjeve, një lobim dhe dialog më direkt me politikanët dhe forcat politike shqiptare, në mënyrë që ato të ndryshojnë sjelljen dhe komunikimine tyre publik mbi çështjet LGBT si dhe intensifikimin e punës nga ana e institucioneve sidomos ato në lidhje me arsimin, sigurinë dhe shëndetin, për mbrojtjen dhe garantimin e të drejatve të komunitetit LGBT në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment