8 Maj 2013 – Lëvizja LGBT shqiptare ka hedhur sot
një hap përpara në betejën kundër diskriminit dhe fjalimeve të urrejtjes në
media. Ankesës së Ambasadës PINK / LGBT Pro Shqipëri mbi shkrimin diskriminues
dhe denigrues të Z. Artan Lame kundër komunitetit LGBT i është përgjigjur sot
Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Pas marrjes në shqyrtim të ankesës nga PINK / LGBT
Pro dhe njohjes në detaj me artikullin, Komisioneri për Mbrojtjen kundër
Diskriminimit ka konstatuar se shprehjet e Z. Lame janë diskriminuese pasi ato paragjykojnë dinjitetin dhe cënojnë
sigurinë për mbrojtjen nga dhuna të personave për shkak të orientimit seksual
dhe identitetit gjinor.
Në datën 23 Mars 2013, në të përditshmen e pavarur “Shqip”
u publikua shkrimi i Z. Lame me titullin “Dështimet e Shtetit”. Ky shkrim edhe
pse kishte për synim të dënonte një skandal pedofilie dhe të kritikonte
institucionet për mënyrën se si u përballën me këtë çështje, e bënte këtë në dëm
të një kauze të drejtë sociale dhe të të drejtave të njeriut siç është kauza
LGBT. Në argumentimin e saj drejtuar Komisionerit, Ambasada PINK sqaronte se
shkrimi i Z. Lame diskriminon hapur komunitetin LGBT duke kërkuar dallimin, kufizimin
dhe përjashtimin e komunitetit LGBT në Shqipëri me qëllim bërjen të pamundur të
ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët të të drejtave dhe lirive themelore
të njohura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Më tej argumentohej se
shkrimi ka përmbajtje denigruese dhe çfarë është më e rëndë ai keqinformon dhe
nxit urrejtje dhe paragjykime kundër komunitetit LGBT të cilët ai i barazon me
pedofilët. Ndërkohë shkrimi i Z. Lame jo vetëm që është diskriminues por edhe
keq-informon publikun dhe penalizon shtetin dhe institucionet për punën e tyre ndërgjegjësuese
ndaj kësaj çështje.
Bazuar në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”,
konventat ndërkombëtare të miratuara nga Shqipëria dhe ligjet në fuqi,
Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi sqaron se shkrime në gazeta për çështje
të të drejtave dhe lirive të personave me orientim seksual të ndryshëm janë të
nevojshme në kushtet kur diskutime për çështje të tilla kanë qenë një tabu.
Mosnjohja në mënyrën e duhur të këtyre çështjeve bën që publiku të ketë një
reagim të gabuar dhe diskutime të tilla shpesh çojnë në krijimin e
paragjykimeve dhe stereotipeve të gabuara të personave për shkak të orientimit
seksual. Këtu Komisionerja evidenton mungesën e informacionit të shkaktuar nga
kriminalizimi i homoseksualitetit në të shkuarën dhe patologjizimi i tij në mënyrë
të pa drejtë për një kohë të gjatë nga mjekësia.
Në argumentimin e saj Komisionerja vëren se Rekomandimet
e Këshillit të Europës kërkojnë që shtetet anëtare të marrin masat e duhura për
të luftuar të gjitha format e shprehjes, duke përfshirë, në media dhe internet
të cilat mund të prodhojnë ose nxisin urrejtje ndaj personave LGBT. Gjithashtu
Komisionerja qartëson se shprehjet e përdorura nga Z. Lame nuk mund të mbrohen
as nga ligji për mbrojtjen e lirisë së shprehjes sepse ky i fundit kufizohet në
interes të të drejtave të të tjerëve sidomos kur ajo cënon liritë dhe të
drejtat.
Sipas Komisioneres, cilësia e Z. Lame si figurë
publike dhe përfaqësues i politikës shqiptare është faktor i rëndësishëm pasi
liria e fjalës për një person të përfshirë në politikë sjell përgjegjësi për të
treguar më tepër kujdes dhe për të evituar gjuhën që nxit mos tolerancën dhe
diskriminimin. Ndërkohë Komisionerja vlerëson se shprehjet që zoti Lame përdor
në artikull janë “aq flagrante dhe përcjellin një gjuhë të urrejtjes të
pajustifikuar, saqë mosndëshkimi i një sjellje diskriminuese kaq të hapur, do të
minonte rëndë arsyen e vetë ekzistencës së ligjit “Për mbrojtjen nga
diskriminimi”, çka e bën të panevojshme nevojën për identifikimin e një ankuesi.
Për rrjedhoje Z. Lame është ngarkuar me detyrimin për
të kërkuar publikisht ndjesë brenda 15 ditëve nga marrja në dijeni për këtë
vendim dhe të evitojë në të ardhmen përdorimin e gjuhës e cila prodhon efektin
e përhapjes, nxitjen e urrejtjes apo të tjera forma të diskriminimit kundër
personave për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor të tyre.
Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri falenderon Zyrën
e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për gjykimin efektiv dhe shumë të
saktë të kësaj çështje duke garantuar kështu jo vetëm ekzistencën e ligjit në
fjalë por edhe duke dhënë ndihmë në përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin
mbi fjalimet diskriminuese dhe të urrejtjes në media nga figura të rëndësishme
publike.
No comments:
Post a Comment