Wednesday, February 15, 2012

Një ditё me mundësi tё reja

Nga Enida Bogdani 
Jeta shpesh është shumë interesante, sepse të ofron mundësi të papritura, pa të kërkuar asgjë në këmbim. Kështu erdhi dhe mundësia për pashaportën e Anxhelës. Kuponi i pashaportës iu dhurua nga një fotograf i huaj, pasi bëri një set fotografish për projektin e tij fotografik.  

Nje moment gjate pergatitjes se setit fotografik
Martin është një fotograf nga Zvicra, që po udhëton nëpër botë për të bërë një foto-dokumentar për gjendjen e trasngjinorëve në vende të ndryshme. Udhёtimi i tij i fundit ishte nga Tunizia nё Shqipёri. Duke parë punën e Ambasadës PINK dhe duke lexuar historinë e Anxhelës nëpërmjet portalit elektronik (www.pinkembassy.al), ai vendosi të vizitonte Shqipërinë për të pasur një dëshmi të transgjinorëve nga njё vend ballkanik.

Takimi i Martinit me Anxhelёn u bë në zyrat e Ambasadës PINK, dhe punonjësit e ambasadës ndihmuan në përkthim. Anxhela nuk është e turpshme kur vjen puna për të treguar jetën e saj. Ajo u tregua e gatshme të bashkpunonte për këtë projekt, pasi mendon se historia e saj është një armë shumë e mirë për të kërkuar të drejtat e saj legjitime njerёzore që i mohoen në përditshmëri. Martin, bashkë me një punonjës të ambasadës shoqëruan Anxhelën nëpër rrugët e Tiranës për të dokumentuar një ditë tipike të saj.

Ecja në rrugët e Tiranës me Anxhelën, dhe një fotogaf të huaj, ishte njё arkiv mё vete, për të shkruar mbi transfobinë/homofobinë dhe vendin që zënë transgjinorët në shoqërinë shqiptare. Kishte kalimtarë që shikonin të habitur, të bezdisur, dhe nuk mungonin shikimet tallëse. Por në të njëjtën kohë dhe shumë kalimtarë as që nuk na vinin re, po vazhdonin në punën e tyre.

Anxhela ishte mjaft e lumtur të bënte pjesë në foto-dokumentar dhe të tregonte historinë e saj në mbarë botën. Gjithsesi, gjatë kohës që po ecnim në rrugë, ishte shumë e shqetësuar për sigurinë e shoqëruesve të saj. Ajo mendonte se dikush mund të na sulmonte sepse po shoqërosheshim me Anxhelën.

Gjatë rrugës tonë nëpër pikat ku Anxhela kalon përditshmërinë e saj, ajo takon një zotëri që i ndez cigaren e dhuruar nga një shitës ambulant pak më parë, një mikun e vet, si dhe një shitëse ushqimore që e ndihmonte me ushqime në momentet më të vështira. Pra në vend të sulmit nga njerëzit, po dukej një anë e mirë e njerëzve që e njihnin Anxhelën dhe e ndihmonin, duke e pranuar përtej përcaktimeve kulturore të gjinisë.

Ky aspekt human i shoqërisë shqiptare anashkalohet nga pёrditshmёria, nga pamundësia ekonomike dhe nga pakënaqësia me shtetin dhe vendin tonë në botë. Ato ditë me Anxhelën më kujtuan se shqiptarët nuk janë ekstremistё dhe kanë kulturën të pranojnë shumëllojshmërinë e shoqërisë sё sotme. Kjo nuk fshin të gjitha abuzimet apo fyerjet që Anxhela ka marrë ndër vite, dhe që e bënë atë të ndjente frikë për sigurinë tonë meqë po shoqëroheshim haptazi me të.

Në fund të setit fotografik, Martin i dhuroi Anxhelës një kupon që ajo të pajisej me pashaportë dhe një shumë simbolike parash, duke pasur parasysh pozitën e saj të vështirë ekonomike dhe faktin që është e pa strehë. Anxhela do pajiste me pashaportë biometrike, por me identitetin e saj biologjik, (mashkullor). Mbase ditët nuk janë larg kur legjislacioni, dhe shteti shqiptar akomdon ndryshimin e gjinisë, dhe njohjen e të drejtave humane të transgjinorëve. Deri në atë ditë do vazhdojë puna e Ambasadës PINK, si një instrument, qendër dhe zyrë për të drejtat e njeriut për minoritetet seksuale në Shqipëri. Urojmë akoma më shumë bashkëpunime të tilla në të ardhmen, që të ndihmonhen dhe t’u jepet shpresë sa më shumë njerëzve.

1 comment: