Saturday, April 20, 2013

Ambasada PINK takim pune nё Bashkinё e Korçёs


18 Prill 2013 - Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipёri zhvilloi njё takim pune pranё Bashkisё sё qytetit tё Korçёs, me Kryetarin e saj, Z. Niko Peleshi dhe pёrfaqёsues tё zyrave tё ndryshme brenda kёtij institucioni. E konsideruar si kryeqёndra e Shqipёrisё juglindore, dhe njё nga qytetet mё tё mёdha nё vend, ky takim ishte i pari nё llojin e vet qё prekte tematikёn LGBT dhe rolin qё pushteti vendor dhe institucionet e kёtij rajoni mund tё luajnё nё mbrojtjen dhe avancimin e tё drejtave tё kёtij komuniteti.

Foto nga takimi
Ambasadori i Parё i PINK, Z. Altin Hazizaj fillimisht e falenderoi Z. Peleshi dhe stafin e tij pёr pritjen dhe duke i dhёnё mundёsinё organizatёs tё adresojё nevojat dhe çёshtjet e komunitetit LGBT nё kёtё rajon. Ai dhe grupi i PINK prezantuan pranё kryebashkiakut disa nga iniciativat mё tё rёndёsishme tё lёvizjes LGBT si Manifestin drejtuar pushteteve vendore nё tё gjithё vendin, publikimet e ndryshme kёrkimore dhe informuese dhe raportin e shkeljeve tё tё drejtave tё komunitetit LGBT. Ai gjithashtu specifikoi disa nga detyrimet qё i lindin pushtetit lokal prej Ligjit pёr Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe fushatat e ndryshme qё mund tё ndёrmeren nga pushteti lokal nё kёtё kuadёr.

Duke u njohur mё nga afёr me projektet sociale dhe iniciativat e ndryshme pilot tё Bashkisё sё Korçёs me qёllim pёrmirёsimin e jetesёs sё komuniteteve tё ndryshme, Ambasada PINK i ofroi Bashkisё sё Korçёs kapacitetet dhe iniciativat e saj pёr tё patur mundёsi ti afrohet komunitetit LGBT nё kёtё rajon pёrmes aktiviteteve tё ndryshme informuese, ndёrgjegjёsuese dhe formuese. Ambasada PINK prezantoi gjithashtu iniciativёn e saj mё tё fundit e cila synon shndёrimin e qyteteve kryesore nё vend nё mjedise miqёsore dhe pranuese pёr komunitetin LGBT.

Kryetari i Bashkisё sё Korçёs Z. Niko Peleshi si fillim sqaroi se Bashkia qё ai drejton nuk i trajton çёshtjet e komuniteteve nё mёnyrё hierarkike por merret me çdo cёshtje qё shqetёson qytetarёt. Ai sqaroi se ndёrkohё qё nё tё shkuarёn bashkitё kishin mundёsi tё pakta dhe njё listё emergjente problemesh, tani ka ardhur koha pёr tё zgjidhur çdo problem pёrmes projekteve sociale.

Z. Peleshi dhe stafi i tij duke shfletuar DIVERS 4
Z. Peleshi dhe stafi i tij ishin tё ndёrgjegjshёm se pёr arsye tё qarta komuniteti LGBT nuk ka as zёrin dhe vizibilitetin e duhur nё kёtё territor pёr tё zhvilluar aktivitete sa mё gjithёpёrfshirёse prandaj edhe sugjeroi se duke patur parasysh se Bashkia e Korçёs, ka njё zyrё pёr tё drejtat e komuniteteve, atёherё ajo do jetё e hapur tё punojё nё fushat e promovimit tё tё drejtave tё kёtij komuniteti dhe nё fushёn e mbrojtjes sё tyre nga diskriminimi dhe problemet e tjera qё mund tё hasin nё jetёn e pёrditshme.

Me konkretisht u ra dakord qё Ambasada PINK tё ofrojё njё trajnim pёr stafin e zyrёs sё tё drejtave tё njeriut pranё Bashkisё sё Korçёs si dhe u pa mundёsia e realizimit tё aktiviteteve kulturore qё mund tё rrisin sensibilizimin e shoqёrisё pёr kёtё temё.

Ambasada PINK e falenderojnё pёrzemёrsisht Bashkinё e Korçёs pёr mikёpritjen dhe pёr zhvillimin e njё takimi shumё tё frutshёm, duke treguar edhe njёherё vlerat e kёtij qyteti dhe mbёshtetjen profesionale dhe vizionare qё ai i jep grupeve sociale vulnerabёl dhe nё nevojё. 

No comments:

Post a Comment