Friday, September 14, 2012

Zhvillohet me sukses Shkolla Verore PINK


Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri zhvilloi pёr herё tё parё kёtё vit, shkollёn verore PINK, si njё program edukues dhe argёtues me qёllim rritjen e dijeve tё aktivistёve dhe mbёshtetёsve tё kauzёs LGBT si dhe forcimin e bashkёpunimit dhe solidaritetit mes tyre.

Pёr katёr ditё rrjesht, nё datat 9-12 Shtator, grupi prej trembёdhjetё aktivistёsh u vendosёn nё kampin veror Jalё, nё rivierёn e jugut. Nё kёtё mjedis veror u gёrshetuan orёt e leksioneve me aktivitetet sportive, plazhin dhe shёtitjet nё kёrkim tё vendeve mё tё bukura tё zonёs.  

Leksionet dhe orёt e trajnimit u realizuan falё mbёshtetjes tё njё grupi ekspertёsh kombёtarё dhe ndёrkombёtarё tё cilёt jo vetёm ndanё dijet dhe ekspertizёn e tyre por mbuluan edhe kostot personale duke e lehtёsuar sadopak peshёn e grupit tonё. Mё konkretisht, Amarda Çoku, Eksperte Ligjore pranё Zyrёs sё Komisionerit pёr Mbrojtjen nga Diskriminimi zhvilloi njё leksion pёr ligjin kundёr diskriminimit. Susanne te Braak nga COC Hollandё ndau me aktivistёt eksperiencёn e punёs sё saj me tё rinjtё LGBT nё shkollat e vendit tё saj. Jay Porter, Atashe Politik pranё Ambasadёs sё SHBA-ve, ofroi njё trajnim mbi aktivizmin dhe mobilizimin e komunitetit pёr çёshtje sociale si edhe prezantoi njё historik shumё tё veçantё tё lёvizjes LGBT nё vendin e tij. Altin Hazizaj, Ambasador i Parё i PINK LGBT Pro Shqipёri zhvilloi njё trajnim mbi konceptet LGBT dhe paragjykimet qё shoqёrojnё kёtё grup social. Nё fund, Emira Shkurti, Menaxhere Projektesh dhe eksperte e çёshtjeve gjinore pranё UNDP nё Shqipёri ofroi njё trajnim nё lidhje me ngjashmёritё midis lёvizjes feministe dhe lёvijzes LGBT.

Njё nga karakteristikat e grupit tё aktivistёve ishte shummёllojshmёria e profileve, eksperiencave dhe kёndvёshtrimeve. Ndёr tё tjerё, nё grup kishtё njё aktivist nga Prishtina si edhe njё aktiviste nga komuniteti i personave transgjinorё nё Shqipёri. Perspektiva e tyre nё debat si edhe opinionet e aktivistёve dhe vullnetarёve tё tjerё pasuruan diskursin dhe e bёnё atё mё interesant. Ndёrkohё, leksionet dhe trajnimet nuk zhvilloheshin thjesht si njё dhёnie informacioni por ndёrthureshin me pyetje dhe komente si edhe me pёrfshirje nё grupe pune dhe angazhim individual.

Njё tjetёr element shumё interesant i shkollёs ishte bashkё-organizimi i aktivitetit me njё grup tё rinjsh tё angazhuar nё shoqёrinё civile dhe parti tё ndryshme politike. Disa nga trajnimet dhe njё pjesё e mirё e aktiviteteve sociale u zhvilluan bashkarisht. Kjo nё fakt rezultoi tё ishte njё eksperiencё shumё interesante pёr tё dyja grupimet. Njё nga stereotipet kryesore tё shoqёrisё sonё lidhet me “padukshmёrinё” ose mosnjohjen e personave LGBT. Pёr arsye qё janё tё kuptueshme, shumё shpesh personat LGBT e kanё tё vёshtirё tё pranojnё orientimin e tyre seksual pranё rretheve tё tyre shoqёrore. Por nё kontekstin e shkollёs, kjo rezultoi nё njё kёmbim tё vyer eksperiencash dhe mendimesh. Shumё shpesh gjatё kohёs sё lirё pjesёmarrёs nga tё dy grupet pёrfshiheshin nё diskutime interesante ku arrinin edhe tё ndanin pёrshtypjet e tyre mbi orientimin seksual apo tё mёsonin mё shumё prej dёshmive tё aktivistёve LGBT. Kjo ishte shumё inkurajuese edhe pёr grupin e PINK, duke qenё se njё nga qёllimet tona kryesore ka qenё dhe mbetet informimi i shoqёrisё pёr realitetin LGBT dhe pёr rritjen e mirёkuptimit dhe tolerancёs.

Si eksperiencё e parё, kjo shkollё verore na mёsoi se dijet teorike, puna nё grup dhe zhvillimi i profileve personale janё mё tё suksesshme kur kombinohen me dёshmi reale, me aktivitete tё thjeshta dhe çlodhёse njerёzore, ku tё gjithё kemi mundёsi tё jemi pak mё shumё vetvetja dhe mё tё çliruar nga komplekset e jetёs sё pёrditshme apo aktivizmit shpesh tё ashpёr social dhe politik.

Nё fund tё trajnimit aktivistёt u pajisёn mё çertifikata.

Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri falenderon tё gjithё ekspertёt qё ofruan mbёshtetjen e tyre tё jashtёzakonshme dhe tё gjithё aktivistёt dhe vullnetarёt LGBT pёr kёtё eksperiencё tё paharrueshme.

No comments:

Post a Comment