Tuesday, May 22, 2012

Shqipёri: Komuniteti LGBT bёn histori me Festivalin e Diversitetit!


Festivali i Diversitetit thyen tabutё mbi komunitetin LGBT nё Shqipёri. Shoqёria civile, diplomatёt e huaj dhe qindra qytetarё bashkohen Ambasadёn PINK nё qendёr tё Tiranёs, pёr ti thёnё jo homofobisё!

Tiranё 17 Maj 2012 - Me rastin e Ditёs Ndёrkombёtare kundёr Homofobisё dhe Transfobisё, Shqipёria organizoi pёr herё tё parё njё aktivitet masiv publik nё njё nga sheshet kryesore tё Tiranёs, tё quajtur “Festivali i Diversitetit”, nёn moton: “Bёj Lёvijzen e Duhur. Ngri Flamurin”.

Nёn organizimin e Ambasadёs PINK/LGBT Pro Shqipёri dhe pjesёmarrjen e institucioneve publike, atyre nё mbrojtje tё tё drejtave tё njeriut, organizatave tё shoqёrisё civile dhe misioneve diplomatike nё vend, “Festivali i Diversitetit” theu tabutё mbi komunitetin LGBT dhe organizimeve tё tyre publike.

Aktivitetet e ditёs nisёn herёt nё mёngjes me konferencёn pёr shtyp, gjatё tё cilёs mediave iu prezantua koncepti dhe qellimet e Festivalit. Pёrpara gazetarёve folёn: Ambasadori i Parё i Ambasadёs PINK, z. Altin Hazizaj, Zv. Ministrja e Punёs, Çёshtjeve Sociale dhe Shanseve tё Barabarta, znj. Filloreta Kodra dhe z. Henk van den Dool, Ambasador i Mbretёrisё sё Vendeve tё Ulta nё Tiranё.

Festivali u çel zyrtarisht nё orёn 10:00 pranё sheshit “Vёllezёrit Frashёri”. Por pёrpara hapjes sё festivalit, njё mini-paradё e paparashikuar u organizua rastёsisht, kur pёrfaqёsuesve e Ambasadёs Pink, Qeverisё Shqiptare, Ambasadёs Hollandeze, iu bashkua edhe Avokati i Popullit dhe dhjetra qytetarё, tё cilёt ecёn pёrgjatё Bulevardit Dёshmorёt e Kombit drejt Sheshit “Vёllezёrit Frashёri”, pёr tu bashkuar me miq e kolegё qё prisnin nё shesh.

I dekoruar me flamujt shumёngjyrёsh dhe nёn tingujt e muzikёs, nё shesh ndodheshin disa dhjetra organizata tё shoqёrisё civile dhe institucioneve tё tilla si Ministria e Punёs, Avokati i Popullit dhe Komisionerit pёr Mbrojtjen kundёr Diskriminimit pёrkrah shumё qytetarёve, tё rinjve studentёve dhe vajzave e djemve tё komunitetit LGBT.

Z. Altin Hazizaj, Ambasador i Parё i Ambasadёs Pink, falenderoi publikisht tё gjithё ata persona nga fusha e medias, politikёs, akademisё, shoqёrisё civile etj, tё cilёt me aktivitetin e tyre kanё kontribuar pёr avancimin e kauzёs LGBT dhe diskutimin e saj nё forume tё gjёra, duke dalё kёshtu pёrballё dhe kundёr paragjykimit. Falenderime tё veçanta iu bёnё edhe gjithё organizatave qё iu bashkuan ftesёs pёr tё marrё pjesё nё Festival. Fjalime pёrshendetёse nё mbёshtetje tё kauzёs LGBT u bёnё nga Zv. Ministrja e Punёs, Çёshtjeve Sociale dhe Shanseve tё Barabarta, Znj. Filloreta Kodra, Ambasadori i Mbretёrisё sё Vendeve tё Ulёta, Z. Henk van den Dool, Ambasadori i Shteteve tё Bashkuara, Z. Aleksandёr Arvizu, Z. Clive Rumbold, Shef i Seksionit Politik pranё Zyrёs sё Bashkimit Europian, Z. Igli Totozani, Avokat i Popullit dhe Znj. Irma Baraku, Komisionere pёr Mbrojtjen kundёr Diskriminimit.

Njё nga momentet mё tё bukura tё kёsaj pjese tё parё ishte lёshimi i balonave qё formonin Flamurit LGBT, tё cilat fluturuan nё qiellin gri tё Tiranёs.

Pas kёtij momenti, Ambasada PINK/LGBT Pro Shqipёri dhe Zyra e Komisioneres pёr Mbrojtjen kundёr Diskriminimit, promovuan broshurёn mё tё re informuese/edukuese “Tё drejtat e mia para komisionerit” i cili do i shpёrndahet komunitetit LGBT dhe gjithё qytetarёve pёr tu informuar mbi Zyrёn e Komisioneres dhe pёr mbrojtjen qё ofrohet nga Ligji pёr Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Festivali vazhdoi me çeljen e Ekspozitёs sё Fotografisё “Qyteti i Ngjyrave” pranё EU Info Centre nё Tiranё e pёrgatitur dhe kuruar nga vullnetarёt dhe tё rinjtё e Ambasadёs PINK. Kjo ekspozitё u mirёprit nga z. Clive Rumbold prej Bashkimit Europian, Znj. Eunice Heudt nga COC Hollandё dhe znj. Belioza Çoku, Ambasadore e Dytё e Ambasadёs PINK/LGBT Pro.

Ekspozita pёrmban foto nga mjedise urbane dhe private, shumёngjyrёshe dhe tё larmishme dhe qё ngjasojnё nё njё mёnyrё apo tjetёr me ngjyrat e flamurit tё ylberit. Z. Hoedt u shpreh se “pavarёsisht se kjo ekspozitё nuk pёrmban njerёz, kёto foto tregojnё se ne jemi kёtu, mes jush…”. Ekspozita do tё jetё e hapur deri mё 31 Maj 2012.

Mё tej, Festivali u pёrmbyll me shfaqjen e dy filmave tё shkurtёr shqiptarё, pranё Akademisё “Marubi” me tematika LGBT tё realizuara nga artistёt e rinj Artan Karoli dhe Soena Lame. Filmat flisnin pёr çёshtje tё tilla si bulizmi nё shkolla dhe proçesi coming out tek tё afёrmit.

Pёr Ambasadёn PINK/LGBT Pro Shqipёri, ky Festival pёrbёn kulmin e pёrpjekjeve pёr tё thyer njёherё e pёrgjithmonё tabutё izoluese, pёrçmuese dhe errёsuese tё shoqёrisё sonё, tё cilat deri ditёn e djeshme nuk kishin patur mundёsi tё njiheshin me njё aktivitet tё pёrmasave tё tilla sociale dhe politike, nё njё shesh tё hapur, ku pёrcilleshin mesazhe tё sinqerta tolerance, pranimi dhe dashurie, kundёr homofobisё, transfobisё, urrejtjes, pёrçarjes dhe denigrimit.

Pёr shoqёrinё shqiptare, ky event pёrbёn njё revolucion tё vogёl social, njё dritare tё re prej nga shoqёria shqiptare, edhe pse ngadalё, do duhet tё shohё botёn. Ky Festival synonte tё tregonte dhe ndante me shoqёrinё shqiptare optikёn njerёzore, tё njё komuniteti tё veçuar, izoluar dhe urryer pa tё drejtё, tё njё komuniteti me plot njerёz tё talentuar, qё vijnё nga çdo fushё e jetёs, jetojnё nё çdo cep tё vendit tonё tё cilёt edhe pse nё mёnyrё predominuese tё padukshёm, japin kontribut pёr zhvillimin dhe avancimin e shoqёrisё sonё.

*
*          *








No comments:

Post a Comment