Monday, January 30, 2012

Homoseksualët janë target-i më i kollajtë për burrat namusqarë të Shqipërisë

nga Mustafa Nano

burimi:  http://www.gazeta-shqip.com/opinion/6bf7dccbd0713f09217d3380188ced48.html

Shenim i PINK: Ky lajm nuk eshte prone e Ambasades PINK. Te drejtat e shkrimit i perkasin autorit te saj Z. Mustafa Nano dhe Gazetes SHQIP. Shkrimi eshte i pa-redaktuar dhe te gjitha opinionet dhe mendimet i perkasin autorit te saj.


Të premten po ndiqja programin “The Voice of Albania” në “Top Channel”. Është një nga shumë pak programe që mund të ndjek në televizionet tona, të cilat kanë vulgarizuar çdo gjë, show-n, talk-show-n, informacionin; sidomos informacionin. Por ky është muhabet më vete.
E ndjek atë program, pasi është i ndërtuar mirë në pikëpamje televizive; pastaj është dhe magjia e garës mes ca të rinjve të talentuar në lëmin e këngës; pastaj është dhe juria e përbërë nga katër njerëz, që më janë dukur gjithëherën simpatikë, të ëmbël, të saktë, objektivë, empathikë, skrupulozë, televizivë, të fisëm, qibarë, inteligjentë, dhe ç’është me e rëndësishmja në kontekstin e show-t që po bëjnë, të dijshëm e të aftë në fushën e muzikës. Ia thashë dhe Kel Jotit, drejtorit të përgjithshëm të Top-it, këtë gjë para disa ditësh. “Keni ditur t’i zgjidhni”, i thashë.
Mirëpo parmbrëmë pësova një zhgënjim të fortë; aq i fort ish ky zhgënjim, sa e mbylla televizorin, hapa kompjuterin, e shkrova një ‘news’ me titull ‘Një Parantezë Vulgare dhe Homofobike në Programin the Voice of Albania’ për website-in respublica.al, që bënte kështu (po e riprodhoj pjesërisht, pa ia prekur thelbin): “Show i të premtes mbrëma në ‘Top Channel’, The Voice of Albania, apo the Voice, siç e thërrasin shkurt tanimë, është një nga programet më të mira që mund të jenë bërë në televizionet shqiptare. Dhe një nga faktorët që e ka bërë këtë show ndjellës e të ndjekur, është dhe katërshja e jurisë, Sidrit Bejleri, Alma Bektashi, Miriam Cani dhe Elton Deda. Por sonte, 20 minuta më parë, ata i lejuan vetes një parantezë vulgariteti të skajshëm. Në momentin që Lundrimi, një djalë i ri, konkurrent, i dha fund interpretimit të një prej këngëve të George Michael-it, iu dha fjala Sidritit, dhe ky s’e pati për gjë të bënte një koment të shkujdesur me gjuhë mejhanesh: “Ky [konkurrenti] është burrrrrë, është maaaashkull, ky nuk është si ai këngëtari i origjinalit, për të cilin gojët e liga thonë se…”, tha ai, duke mos e përfunduar frazën medemek prej namuzit. As emrin nuk denjoi t’ia përmendte në atë moment yllit të pop-it e rock-ut botëror, George Michael, i cili është gay i deklaruar. Tre të tjerët zunë të qeshnin me të madhe e në shenjë miratimi me këtë ndërhyrje të kolegut të tyre. Pas tyre, zunë të qeshnin dhe spektatorët. U krijua vetvetiu një harbim homofobik. Ishte një skenë që të fyente; në mos, të bezdiste.”
Në harkun e një ore lajmi ish lexuar nga rreth 500 vetë, e një pjesë syresh kishin pasur kohën dhe ngacmimin për të bërë një koment. Në disa prej këtyre komenteve miratohej shqetësimi im, e në disa minimizohej e përqeshej. Këto komente ishin të llojit: “Ej, po mos e dramatizoni tani situatën. Në fund të fundit secili tregon komplekset e veta, pse duhet të nxjerrim konkluzione kaq të mëdha”, ose “Po sa i ndjeshëm je dhe ti, o Muç, ndaj këtyre gjërave. E pse duhet të jetë hipokrit një njeri, qoftë dhe publikisht, për një gjë që nuk e do? Pse ore me zor do t’i bësh njerëzit që të pranojnë një gjë që nuk duan ta pranojnë?” Ndërsa dikush e bën dalje shqetësimin e qëndrimin tim si një ‘hipokrizi për shkak të detyrës’”.
Po e filloj nga fundi, duke e refuzuar hovshëm këtë lloj hipokrizie që më atribuohet, apo që u atribuohet herë pas here të gjithë atyre që e kanë për profesion të mbajnë qëndrime publike. Nuk është hera e parë që ma thonë këtë gjë. Madje, para ca muajsh ma ka thënë dhe një njeri që ka statusin (dhe meritat, duhet me thënë) e një korifeu të kulturës kombëtare. “Ti nuk i mendon këto që thua për homoseksualët”, më tha ai. Hm, mua më duket qesharake kjo ‘akuzë’, e prandaj nuk di ç’përgjigje të jap. Nuk di si t’ua mbush mendjen këtyre njerëzve. Po bëjnë mirë, ta hajë dreqi, të besojnë se jo të gjithë njerëzit publikë këtyre anëve kanë dy fytyra, njërën ‘moderne’ për ta nxjerrë në publik e për të shitur dëngla, e tjetrën “mesjetare’ për ta shtënë në punë në jetën private. E në duan të dinë, po u them se ka qenë një kohë kur edhe unë, për shkak të formimit sigurisht, nuk “e kisha bërë timen kauzën e gay-ve”; dhe në atë kohë, duhet të jenë të sigurt, nuk kam pasur shqetësime të tilla publike. Tani që i kam, ta dinë se i kam me të vërtetë. Unë mund t’i lejoj vetes – ky është kompromisi që kam bërë me botën shqiptare – të mos them çdo gjë që mendoj, por atë që e them, ta dini që e mendoj.
Ky qëndrim i imi shkon përtej shqetësimit për gay-të, ndonëse edhe ky i fundit, d.m.th. shqetësimi për gay-të, është një kauzë më vete (Po të kuptohemi, nuk është një kauzë që duhet të na bëjë neve të mendojmë se gay-të janë goxhá burra. Jo, do ishte idiotësi ta thoshim këtë e do ishte idiotësi të merrej si mesazh sa herë që flitej në mbrojtje të së drejtës së tyre për t’mos qenë të diskriminuar. Gay-të nuk janë goxhá burra; gay-të janë si gjithë të tjerët, rrjedhimisht mund të jenë të liq, ashtu siç mund të jenë dhe të mirë).
Le të biem dakord për një gjë: secili prej nesh rastësisht nuk është gay (kur nuk është); kjo do të thotë që gay mund të qëllojë të jetë fëmija i secilit, ose njerëz të shtrenjtë për të. Dhe kjo kuptohet pse. Njerëzit nuk janë gay sepse zgjedhin të jenë, por janë gay sepse janë, dhe këtë e them, jo për ta bërë të kuptueshëm kryqëzimin e atyre që ‘zgjedhin’ të jenë të ndryshëm, por për të nxjerrë në evidencë se sa pa mend është ajo e folmja serbes-serbes kundër gay-ve që nuk e kanë në dorë ‘të zgjedhin’. Në këtë kuptim, Sidriti bën mirë ta dijë mirë, se gay mund të ish dhe ai djali që këndoi këngën e George Michael-it, e që Sidriti e mori për burrrrrë, por mund të ishin dhe të tjerë që kanë qenë duke e ndjekur atë shfaqje në TV. Të gjithë këta nuk ia kanë borxh këtë gallatë mbi kurrizin e tyre. Ashtu si nuk ia kanë borxh ca të tjerë, që s’janë gay, por që goditje të tilla kundër gay-ve e kundër atyre që janë të ndryshëm nga kallaballëku, ua bëjnë këtë vend prore të egër e të prapambetur edhe më të egër e më të prapambetur.
Dhe ja ku dola tek ajo që thashë, d.m.th. që qëndrimi im shkon përtej shqetësimit për gay-të. Unë nuk i mbroj gay-të, as ngaqë ata janë gay, as ngaqë unë jam gay. Madje, më shumë se sa mbrojtje, ky qëndrimi im është sulm. Është sulm ndaj atyre që nuk arrijnë të kuptojnë një nga gjërat më elementare të qytetërimit të sotëm: Askush nuk mund të tallet, përçmohet, diskriminohet, përndiqet për shkak të faktit që ai ka lindur, apo është, apo ka zgjedhur të jetë, ndryshe nga ne në pikëpamje gjinore, racore, etnike, fetare, politike, seksuale etj., dhe askush nuk ka të drejtë t’i japë vetes, bazuar tek fakti që është ndryshe, një tagër për të përndjekur, apo përqeshur, apo përbuzur, apo diskriminuar, të tjerët që s’janë si ai.
Sikur thelbin e qytetërimit të sotëm ta kërkonim te një thënie e vetme, personalisht do ndalesha te një frazë e mendimtarit britanik të shekullit XIX, John Stuart Mill, që bart një nga mendimet më të thella që më ka rastisur të lexoj (ngaqë nuk mundem t’jua sjell në mënyrë tekstuale, po jua sjell të perifrazuar): “Në një situatë kur dy palët në kontrast janë nga njëra anë gjithë njerëzimi minus një person, dhe nga ana tjetër ky personi i vetëm, atëherë i gjithë njerëzimi ka të drejtë t’i imponohet këtij robit të vetëm, po aq sa ky i fundit do kish të drejtë t’i imponohej gjithë njerëzimit (nëse do kish mundësi t’i imponohej).” Kjo frazë është apologjia më e mirë e tolerancës, mirëkuptimit dhe e empathisë ndaj atyre ‘anormalëve’ që janë, apo që kanë qëlluar të jenë, ndryshe nga ne ‘normalët’. E kush e bën të vetin këtë mendim, me siguri që nuk do jetë më i aftë ta ndajë botën në ‘normalë’ e në ‘anormalë’.

No comments:

Post a Comment