Monday, September 26, 2011

Intervistë me Altin Hazizaj – Ambasadori i Parë i Ambasadës PINK



Intervista e mëposhtme është botuar në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare me Ambasadorin e Pare te PINK, z. Altin Hazizaj. Ndër të tjera në të preken disa tema të rëndësishme si shkeljet e të drejtave të komunitetit LGBT në vend, kodi i familjes,.mendësia e opinionit publik shqiptar dhe politikanëve të saj si dhe përcillen disa mesazhe shumë të rëndësishme. 


"Ne e dimë se sjellja është nje fenomen social i mësuar dhe edukuar ndërsa ndjenjat lindin bashkë me njeriun dhe ne nuk zgjedhim dot se cilat ndjenja duhen pasur në shpirt dhe mendje dhe cilat jo"

Zoti Hazizaj, jeni Ambasadori i Parë i Ambasadës PINK. Në raportin për 2010-2011 ka mjaft shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT, edhe pse ekziston ligji kundër diskriminimit. Përse ndodh kjo? 

Ligji kundër Diskriminimit është miratuar në Shkurt të vitit 2010, dhe një ligj i ri kërkon kohë që të zbatohet.  Ai do kohën e tij që të shtrojë rrugën, ku njerëzit e thjeshtë dhe institucionet do të ndërtojnë praktikën e ankesave, të punës së zbatimit të tij dhe mbi të gjitha të eleminimit të diskriminimit. Në këtë aspect mund të thuhet që periudha 2010-2011 është një kohë që përkon me ngritjen e institucioneve e mekainzmave të rinj për eleminimin e diskriminimit, ndërgjegjësimit dhe trajnimit të institucioneve publike për zbatimin e këtij ligji të rëndësishëm, pajisjen e shoqërisë civile me mjete për ankimimin e rasteve dhe mbi të gjitha, ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për respektimin ndër të tjera të komunitetit LGBT, që për më shume se 50 vjet ka jetuar nën frikën e burgosjes, përjashtimit, denigrimit dhe dhunës, vetëm sepse dashurojnë gjininë e njëjtë me ta. 

Nëse bota që nga viti 1968 e në vijim ka nisur të ndryshojë dhe të përmirësojë sjelljen dhe respektimin e të drejtave të çdo personi LGBT, në Shqipëri kjo nisi vetëm në vitin 2010. Sigurisht që ne nuk do të na duhen 42 vjet që të respektojmë të drejtat e njeriut, por ka ende shumë për të bërë në drejtim të ndryshimit të perceptimit shoqëror që të duash një njeri të gjinisë së njëjtë është e gabuar. Sipas mendimit tim të dashurosh asnjëherë nuk është e gabuar, por është jo humane të bësh të kundërtën. 

Në shumicën e rasteve në këtë raport vihen re shkeljet ndaj komunitetit transgjinor. Po komunitete të tjera nuk kanë pësuar dhunë apo diskriminim?

Ka vetëm një komunitet që është ai LGBT (lezbike, gay, biseksual dhe transeksual). Brenda këtij spektri të gjerë të komunitetit gjen sigurisht grupe që për shkak të rrethanave jetësore, përkatësisë së tyre, pamjes dhe organizimit të jetës janë shumë herë më të rrezikuar që të dhunohen dhe diskriminohen në çdo moment të ditës e të natës sësa anëtarët e tjerë të komunitetit. 

Komuniteti i vogël i transgjinorëve në Shqipëri jeton thuajse i gjithi i braktisur në rrugë, duke prostituuar, lypur e fjetur përjashta. Ata janë të lënë në mes të katër rrugëve nga familjet e tyre, pasi nuk mund të pranojnë që djali i tyre të ndjehet se është vajzë. Ata janë të përjashtuar nga shoqëria, e cila ende nuk arrin ta kuptojë se transgjinorët janë djem apo vajza në paraqitje, por nga Brenda tyre ata kanë një identitet gjinor të kundërt. Ata janë tërrësisht të harruar nga shteti i tyre, i cii nuk u ofron as mbrojtje, as strehim as siguri. Për më tepër rasti i fundit i Paomës, tregoi se shteti në disa raste i dhunon në mënyrë çnjerëzore vetëm sepse ata janë transgjinorë. Të gjendur përballë kësaj situate ekstreme të shkeljes së të drejtave të tyre individuale është e kuptueshme që komuniteti transgjinor ka shumë herë më tepër ankesa të paraqitura pranë Ambasadës PINK sesa personat lezbike, gay apo bi.

Nga ana tjetër personat bi, gay apo lezbike janë shumë më të integruar në shoqërinë shqiptare sesa transgjinorët. Të jesh gay, bi apo lezbike nuk do të thotë që je i ndryshëm nga pjesa tjetër e shoqërisë në aftësi, identitet, inteligjencë, moral, botëkuptim apo sjellje. Për këtë shkak ndërveprimi i komunitetit me pjesën maxhoritare të shoqërisë është më i lehtë dhe më pak përjashtues, për aq kohë sa pjesa tjetër nuk e di për orientimin seksual të tyre. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka problem. Që prej hapjes së Ambasadës PINK, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me djem dhe vajza të komunitetit, kam kuptuar që drama më e madhe e tyre ka të bëjë me familjen e tyre. Ka shumë familje, që kur e marrin vesh, mendojnë se është e turpshme dhe e papranueshme për fëmijët e tyre që të thonë se janë gay, bi apo lezbike pasi ata e dinë mirë që në këto 50 vjet personat LGBT janë përndjekur, vrarë e dhunuar dhe ata nuk duan që fëmijët e tyre të kalojnë këto vuajtje. Pse do të duhet që ata të vuanin? Kjo është arsyeja që pjesa më e madhe e personave LGBT nuk flasin kurrë për orientimin e tyre seksual, por e mbajnë atë të fshehtë për shumicën e njerëzve dhe vetëm miqtë e mikeshat e tyre e dinë për ta.

Në këtë aspekt i mbetet shoqërisë të tregojë se është e hapur të pranojë dhe respektojë diversitetin e qenies njerëzore. Të jesh gay, bi apo lezbike nuk është zgjedhje, pra nuk është sit ë thuash: Ah sot u zgjova nga gjumi dhe ndjehem heteroseksual dhe nesër u çova homoseksual. Edhe në raportin e fundit të Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës shpjegohet shumë qartë se “Orientimi seksual i refereohet kapacitetit të çdo personi për të shprehur ndjenjat e tij/saj emocionale, të dashurisë dhe tërheqjes seksuale për individët e gjinisë së kundërt, të të njëjtës gjini apo për të dyja gjinitë.”

Në raport përmendet vetëm një rast përballje me politikanët dhe qëndrimi i tyre. A ka pasur raste të tjera, që ndoshta jo publikisht politikanët të kenë fyer këtë komunitet në Shqipëri dhe cilat janë ato?

Në fakt ka patur dy raste, por me kalimin e kohës une mendoj që edhe Parlamenti ka nisur të kuptojë se të përgatisësh e të miratosh nuk do të thotë që nuk ke për detyrë t’i zbatosh ato. Unë mendoj se politikanët duhet të jenë udhëheqësit e barazisë dhe të respektit të të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët shqiptarë. Kam marrë vesh së fundmi se kur disa anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste donin që të shtonin në programin e zgjedhjeve vendore edhe çështjet e respektimit të LGBT, ka patur një alarmim të anëtarëve të tjerë të partisë deri në kufijtë e qesharakes, me kërcenime të tipit “o unë në parti o çështja LGBT”. Në partinë Demokratike nuk di të ketë pasur ndonjëherë ndonjë diskutim për këtë çështje, pra është njësoj sikur ajo të mos ekzistojë. Këtu kauzat e mëdha të të drejtave të njeriut personalizohen deri në atë masë sa politikanët tanë e bëjnë veten qesharakë përpara qytetarëve të tyre, por edhe përpara botës. Nga njëra anë ata thonë se punojnë për Shqipërinë e civilizuar dhe nga ana tjetër nuk kanë civiizimin e nevojshëm për ti pranuar njerëzit ashtu siç janë. Nisur edhe nga zgjedhjet e fundit lokale në Tiranë, nëse njëra apo tjetra parti do kishin patur një program më specific për mbështetjen e komunitetit LGBT, grave apo të rinjve, mendoj se diferenca në vota nuk do kishte qenë 80 apo 90 por me mbi 10-20 përqind differencë. Politikanët shqiptarë kanë shumë për të mësuar nga politikanët europianë, nëse një ditë duam jo të jemi fizikisht por mendërisht dhe shpirtërisht europianë.

Pse e kemi kaq të vështirë që të pranojmë një komunitet të tillë, ndërkohë që historia jonë i njeh këto raste, jo si komunitet, por si individë, madje të lartësuar edhe në letërsinë e hershme?

Historia, letërsia por edhe shumë shkenca dhe mbi të gjitha jeta jonë është e ndërtuar mbi të qenurit të ndryshëm. Një pjesë e madhe e fiozofëve grekë që ne i mesojmë në shkolla kanë jetuar haptazi si homoseksualë. Një numër po kaq i madh i mbretërve e perandorëve grekë dhe romakë kanë qenë publikisht të dashuruar apo kanë jetuar me të dashurit e tyre. Perandori Hadrian, një ndër perandorët më të famshëm të Romës së lashtë, për nder të dashurisë së tij për një mashkull, ndërtoi për të një qytet të tërë në Greqi. Historitë sublime të dashurisë asnjëherë s’kanë munguar e s’do të mungojnë. Nëse flasim për Shqipërinë edhe ne kemi historinë tonë në këtë drejtim. Ka patur e ka politikanë, artistë, këngëtarë, balerinë, shkrimtarë e njerëz të thjeshtë e të nderuar që kanë preferuar të jetojnë në heshtje për seksualitetin e tyre, sepse kanë menduar se po të thonë që janë gay apo lezbike, nuk do të gjykohen për punën apo krijimin e tyre, por për atë që bëjnë në krevat. Qenia një vend i vogël dhe me plot tabu në lidhje me seksin e seksualitetin na bën më të mbyllur e mos pranues si njerëz. Historia jonë si komb është historia e një mbijetese qindra-vjeçare dhe kjo kujtesë historike e bën shpesh të vështirë diskutimin rreth të drejtave seksuale, që për një pjesë të njerëzve janë të drejta bazë e për disa të tjerë për shkak të konceptit të gabuar duken si të drejta luksi. Sidoqoftë mendoj se ka edhe eksperienca positive që duhen përshëndetur. Rasti i Klodit dhe mbështetja që tregoi familja e tij për të, për mua duhet të shërbejë si një inkurajim për të gjithë djemë dhe vajzat që duan të flasin haptazi familjeve dhe miqve për orientimin e tyre seksual apo identitetin gjinor.

A mendoni se ndërgjegjësimi i qytetarëve nuk është ai i duhuri për të pranuar këtë komunitet apo kjo vjen se shqiptarët jnë shumë besimtarë të Zoti?

E para unë nuk mendoj se ne shqiptarët jemi shumë besimtarë tek Zoti. Është i vetmi vend që i ka kënduar vetes me fjalët “Feja e shqiptarit është shqiptaria”! Së dyti feja dhe seksualiteti nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi shkojnë krah për krah. Feja, si një fenomen social, kulturor dhe politik e pranon qenien njerëzore ashtu siç është duke kërkuar të përmirësojë sjelljen e njeriut. Ne e dimë se sjellja është nje fenomen social i mësuar dhe edukuar ndërsa ndjenjat lindin bashkë me njeriun dhe ne nuk zgjedhim dot se cilat ndjenja duhen pasur në shpirt dhe mendje dhe cilat jo. Siç e thashë më sipër, historia jonë e respektit për të drejtat e njeriut nis shumë vonë, ndaj na duhen ende disa vite që ne të përmirësojmë sjelljen tonë dhe të mësojmë sjellje të reja, të cilat rrënjosin tek çdo njeri respektin për të drejtat e gjithësecilit. Nëse njerëzit janë mjaftueshëm mendjehapur dhe syhapur do shohin se bota është më e bukur kur është e ndryshme. E fundit që dua të përmend këtu është fakti se njerëzit që janë në paqe me seksualitetin e tyre nuk kanë probleme me orientimin seksual të personave të tjerë, përkundrazi e respektojnë këtë të drejtë, sepse shoqëria nuk mund të ketë dy standarte për orientimin seksual atë të pranimit të njërës, por jo të të tjerëve. Historia ka treguar se njerëzit më fanatikë dhe më kundër personave LGBT kanë qenë vetë homoseksualë dhe lezbike, por që asnjëherë skanë gjetur forcën t’ia pranojnë vetes këtë fakt e jo më familjes apo të dashurve të tyre.

Ky komunitet e shkel të drejtën bazë qoftë fetare apo shoqërore për krijimin e një familjeje mbi baza të shëndosha?

Sipas të gjitha ligjeve kombëtare apo ndërkombëtare që unë kam lexuar, qoftë edhe të Biblës apo doktrinave të feve të tjera, unë nuk di të jetë shkruar diku që një e drejtë bazë të zbatohet ndryshe për dy persona të ndryshëm. Kjo do të ishte njësoj si të pranonim se unë gëzoj të drejtën e shprehjes e dikush tjetër jo. Apo se ti si grua gëzon më pak të drejta se unë! Të gjithë njerëzit  lindin të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Kjo do të thotë se unë gëzoj një të drejtë dhe gjitë të tjerët kanë detyrë ta respektojnë atë. Dihet botërisht se është shumica ajo që ka tendencë të shkelë të drejtat e pakicës, dhe jo e kundërta. Secili prej nesh gëzon të drejtën të rritet në një familje, të martohet dhe të krijojë familjen e saj/tij. E drejta e krijimit të familjes është një e drejtë natyrore ndaj ajo nuk mund t’i jepet apo hiqet njeriut, pasi ka lindur bashkë me të. Në këtë aspekt unë kam kënaqësinë të ndaj me ju faktin se Ambasada PINK është duke përgatitur tashmë një Padi për shpalljen të pavlefshme të të gjitha neneve në Kodin e Familjes që bien ndesh me të drejtën bazë të çdo njeriu për të krijuar familjen e tij, siç shprehet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Neni 53 i Kushtetutës thotë: “Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.” Kjo e drejtë kushtetuese nuk  mund ti mohoet askujt ndaj ajo duhet të gjejë një zbatim në linjë hierarkike në të gjithë legjislacionin shqiptar, duke filluar nga Kodi i Familjes e në vijim.

Në vendet e tjera, sigurisht me kulturë tjetër, ka një vetëdije tjetër, sa edhe politikanët, drejtuesit e shtetit, pranojnë publikisht që i përkasin një orientimi tjetër seksual. Mendoni se nëse hidhet ky hap i parë publikisht, njerëzit do e kenë më të lehtë ti pranojnë si komunitet.

Pa diskutim. Para rreth dy javësh isha i ftuar me Komisioneren kundër Diskriminimit, nga Qeveria e Malit të Zi dhe një organizatë që punon për të drejtat e komunitetit LGBT për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare që vetë Qeveria e Podgoricës e organizonte në mbështetje te komunitetit. Më ka bërë përshtypje Zv. Kryeministri malazez i cili, ashtu siç duhet të flaës lideri i vërtetë i një vendi, pranoi publikisht perceptimin e gabuar që vend i tij kishte patur ndaj komunitetit dhe premtoi se ajo periudhë kishte marrë fund një herë e mirë. Unë mendoj se qytetarët e Malit të Zi duhet të ndjehen krenarë për politikanët e tyre, pasi ata kanë kurajon që jo vetëm të pranojnë gabimet e tyre, por edhe ti japin shoqërisë dhe qytetarëve një vizion për të ardhmen ku ata duan të ecin së bashku. Në Shqipëri kjo nuk ndodh pasi politika në përgjithësi është homophobe. Ajo është ngritur mbi konceptin e gabuar të shfrytëzimit të njerëzve dhe jo të respektimit të të drejtave të tyre. Është ironike që politikanë nga Shqipëria, që shprehen kundër komunitetit nuk duan të humbasin mundësinë për të  bërë një foto me politikanë të rëndësishëm europianë që janë haptazi gay apo lezbike. Sot në Europë ka një numër të konsiderueshëm kryeministrash, zv.kryeministrash, deputetë e kryetarë të bashkive të mëdha që janë të njohur publikishit si gay dhe qytetarët i votojnë për punën që ata bëjnë dhe jo për të dashurin/ën që ata mbajnë në krah. Unë kam shpresë që deputetët e rinj në Kuvend do të bëjnë diferencën për avancimin e komunitetit. Në këtë kuadër pa diskutim që sa më shumë njerëz publikë dhe të suksesshëm në jetën e tyre të pranojnë publikisht që janë gay, bi, lezbike apo transgjinorë, aq më e lehtë është pranimi i anëtarëve të tjerë të komunitetit në jetën e përditshme.

A ka shumë nga komuniteti LGBT që kërkojnë të largohen jashtë, pra të kërkojnë strehim diku ku jeta e tyre është më e lehtë?

Ky është një shqetësim i drejtë. Një pjesë e djemve dhe e vajzave që vinin në PINK, me heqjen e vizave janë larguar për në Itali, Spanjë, Hollandë apo edhe vendeve të tjera. Diferenca në trajtimin dhe respektin për të drejtat e njeriut bën që secili nga ne ta kuptojë se kemi një jetë dhe atë duam ta jetojmë të lirë, të qetë dhe të respektuar në dinjitetin tonë. Por nga ana tjetër kjo dërgon sinjalet më të gabuara tek shoqëria jonë këtu dhe pa diskutim edhe në Europë, pasi vazhdon t’i portretizojë shqiptarët si njerëz që edhe pas 20 vjetësh tranzicion në demokraci ende nuk kanë mësuar se si të respektojnë njëri-tjetrin, ata që janë të ndryshëm, gra, burra, fëmijë a të moshuar. Nëse ne nuk arrijmë të ndërtojmë një marrëdhënie të drejtë dhe të barabartë midis gjithë qytetarëve të këtij vendi, atëherë do të jetë e vështirë që ne të përparojmë qytetërimin tonë modest dhe për më tepër do të vazhdojmë të mbetemi si delja e zezë, duke prodhuar vetëm kriza, prapambetje dhe probleme. Kombet e qytetëruara dhe të zhvilluara kanë kohë që i kanë eleminuar të gjitha këto forma diskriminimi dhe përjashtimi ndaj unë nuk kam arsye të mendoj apo të besoj se ne shqiptarët nuk duam të arrijmë të njëjtën gjë: liri-barazi-vëllazëri.

No comments:

Post a Comment