Wednesday, November 20, 2013

Vajza e mitur perdhunohet pese dite rrjesht, histori e vjeter ne Shqiperi!

Letër e hapur drejtuar të gjithë shqiptarëve: Ndal dhunës dhe përdhunimit të grave e vajzave shqiptare!

20 nëntor 2013 

 nga Delina Fico & Mirela Arqimandriti

Para disa ditësh në media është dhënë një lajm i hidhur: një vajzë, nxënëse shkolle në një qytet në veri të Shqipërisë, u përdhunua për pesë ditë rresht nga shokët e saj në një dhomë hoteli. Ky lajm u bë i ditur vetëm sepse kjo vajzë mori guximin të denoncojë publikisht dhunuesit e saj.

Kjo ngjarje e tmerrshme përveç fajtorëve kryesorë – djemtë që kryen këtë akt kriminal -, ka edhe disa bashkë-fajtorë, të cilët janë pjesë e komuniteteve tona e të cilët mbyllin sy e veshë në situata kur dhunohen gra e vajza. Në këtë rast, të parët bashkë-fajtorë e bashkë-kriminelë janë pronarët dhe personeli i hotelit ku u mbajt e burgosur kjo vajzë, të cilët mbyllën sy e veshë përballë faktit që një vajzë minorene rrinte për pesë ditë rresht pa dalë nga dhoma e hotelit ku hynin djem të ndryshëm. Kjo indiferencë cinike përballë këtij krimi të shëmtuar është shprehje edhe e një mendësie patriarkale të burrave, por dhe grave disa herë, që fajësojnë gratë dhe vajzat edhe kur ato përdhunohen barbarisht e kur mbahen në skllavëri seksuale me forcë e kundër dëshirës së tyre. Indiferencë cinike kanë dëshmuar edhe mësuesit e vajzës, të cilët e kanë për detyrë të dinë se ku është një vajzë minorene, e cila mungon pesë ditë nga shkolla.

Në tërë botën, 16 ditë në  muajin nëntor i dedikohen luftës kundërs dhunës mbi baza gjinore. Por kjo nuk mjafton. Ne duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë çdo ditë, çdo çast për t’i dhënë fund dhunës ndaj shoqeve, mikeve, motrave, nënave, grave, nxënëseve, kolegeve dhe bashkëyqtetareve tona.

Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e përdhunimit të kësaj vajze të mitur dhe dhimbja që ajo e familja e saj përjeton:

I kërkojmë djemve e burrave Shqiptarë të ndalojnë dhunën dhe përdhunimin ndaj vajzave dhe grave Shqiptare.

I kërkojmë çdo shqiptari, burrë apo grua, në qytet apo fshat, të çdo moshe e profesioni, të mos fshehë kokën si struci kur dëgjon ulërimat e një gruaje a vajze për shkak të dhunës në familje dhe përdhunimit, por t’i denoncojë këto raste dhe t’u ofrojë ndihmë viktimave të kësaj dhune, sepse kështu bën detyrën si qenie njerëzore, por edhe kontribuon që ai/ajo vetë dhe familja e tij/saj të jetojë në një mjedis pa dhunë.

U kërkojmë të gjithë shqiptarëve të dënojnë hapur e pa hezitim ngjarje të tilla të shëmtuara duke mos i parë vajzat e gratë si pronë dhe as si viktima të feminilitetit të tyre që mund të ndëshkohen me dhunë e përdhunim.

U kërkojmë nënave e baballarëve, gjysheve e gjyshërve, vëllezërve e motrave të mos lejojnë që vajzat dhe fëmijëria e tyre të nëpërkëmbet për hir të faktit se janë femra.

U kërkojmë mësuesve dhe mësueseve të mbajnë përgjegjësinë që u takon në mbrojtje të të drejtave të çdo nxënësi, të ndihmojnë dhe përkrahin vajzat që bëhen viktima të abuzimit nga bashkëmoshatarët, të luajnë një rol parësor në dënimin e dhunës mes të rinjve dhe të punojnë çdo ditë e me përkushtim për edukimin e të rinjve që të respektojnë thellësisht të drejtat e grave dhe vajzave.

U kërkojmë komuniteteve fetare të ndërgjegjësojnë dhe edukojnë besimtarët e tyre për domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të vajzave e grave në familje, shkollë e komunitet, si një vlerë morale themelore për çdo njeri e anëtar të një komuniteti..

U kërkojmë Policisë së Shtetit, prokurorisë e gjykatave të ushtrojnë detyrën dhe të mos tolerojnë asnjë rast abuzimi ndaj vajzave e grave shqiptare; t’i japin çdo dhunuesi apo përdhunuesi vajzash e grash dënimin maksimal sipas ligjit; t’u japin dënimin e duhur edhe kujtdo tjetër që ka dijeni apo bashkëpunon në rrëmbimin dhe dhunimin e grave dhe vajzave.

Kjo letër është nënshkruar nga dhjetra organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë të ndryshëm. Ambasada PINK i bashkohet kësaj fushate sensibilizuese dhe gjithë aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të 16 ditëve të akvitizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Tuesday, October 29, 2013

PYETËSOR: Qëndrimet e personave LGBT mbi shërbimet shëndetësore

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri fton gjithë personat e komunitetit LGBT dhe ata të cilët nuk janë pjesëtarë të këtij komuniteti, por që njihen me problemet dhe nevojat e tij, të plotësojnë në mënyrë anonime pyestësorin e mëposhtëm. Ky pyetësor është pjesë e një studimi që ka për qëllim vlerësimin e çështjeve që lidhen me aksesin në cilësinë e shërbimeve shëndetësore për personat LGBT.

Informacioni i mbledhur do të jetë shumë i vlefshëm për vlerësimin e situatës aktuale lidhur me këtë çështje por edhe për identifikimin e rekomandimeve të mundshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në përmbushje të nevojave dhe të drejtave të personave LGBT.

Informacioni do të mbetet anonim dhe konfidencial.

Studimi do të japë rekomandime shumë specifike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim përmirësimin e aksesit në shërbime dhe cilësinë e tyre për personat e komunitetit LGBT.

Për të kaluar te pyetësori klikoni linkun e mëposhtëm:

BARAZI NË MARTESË PËR ÇDO QYTETAR SHQIPTAR!


Tiranë, 28 Tetor 2013 - Ambasada PINK po ndjek me vemendje debatin e hapur rishtazi në lidhje me martesën në gjini të njejtë, të inicuar nga një deklaratë e Zyrës së Avokatit të Popullit në Shqipëri, në vijim të propozimeve të tij për ndryshime legjislative të cilat përmirësojnë statusin dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri, në veçanti të grupeve të margjinalizuara të shoqërisë.

Ne duam t’i kujtojmë opinionit publik se Ambasada PINK ishte organizata e parë e shoqërisë civile në Shqipëri, që përpara tre vjetësh i kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që të merrnin në konsideratë miratimin e ndryshimeve në Kodin e Familjes, të cilat do të mundësonin eleminimin e një diskriminimi të hapur ligjor, atë të mos gëzimit në mënyrë të barabartë të të drejtës për t’u martuar dhe krijuar familje të të gjithë shtetasve që jetojnë në Shqipëri.

Barazia në martesë, edhe pse në dukje nuk është kërkesa më emergjente e komunitetit LGBT në vend, është gjithsesi një ndër kërkesat kryesore në vend dhe në botë në emër të garantimit të të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet edhe ajo për të krijuar një familje dhe për të përmbushur të gjithë të drejtat që rrjedhin prej saj, pavarësisht orientimit seksual apo gjinisë së partnerit me të cilin/cilën ai/ajo dëshiron të lidhë jetën. Kjo e drejtë civile në asnjë aspekt të saj nuk cënon as të drejtat e individëve të tjerë dhe as të drejtën kanonike për të kurorëzuar martesa. Ajo i jep mundësi çdo anëtari të shoqërisë sonë të gëzojë të drejta të barabarta dhe pa diskriminim. 

Sot në Europë janë 10 shtete që zyrtarisht kanë pranuar të njohin barazinë në martesë edhe në gjini të njëjtë dhe mëse 13 shtete të tjera njohin bashkëjetesën ose forma të përafërta me martësën civile. Eksperienca në këto shtete ka treguar se martesa dhe krijimi i familjeve LGBT, përkundër paragjykimeve, i ka forcuar shoqëritë duke i bërë ato më tolerante dhe më demokratike.

Ka një serë faktesh që hedhin poshte edhe mitet që shoqërojnë debatin publik në lidhje me martesën në gjini të njejtë. Shqipëria është një vend ku martesa civile, që prej krijimit të shtetit shqiptar, ka mbizotëruar në lidhjet martesore civile, krahasuar me ato kanonike ose të bazuara në fe. Nga ana tjetër, të dhënat nga Ministria e Drejtësisë dhe Census 2011, tregojnë se martesa heteroseksuale është duke përjetuar një krizë. Nga 20.282 persona të martuar në këtë vit rreth 7.280 persona janë divorcuar ose përafërsisht jnë prishur 36% e martesave heteroseksuale. Studimet në vendet ku është lejuar martesa e barabartë për të gjithë, tregojnë se martesa si institucion civil ëshë forcuar dhe është bërë më e qendrueshme, sesa në vendet që nuk e kanë lejuar atë. 

Kushtetuta e Shqipërisë garanton barazinë e martesës për të gjithë qytetarët pa përjashtim, ndërkohë që kjo e drejtë në mënyrë të kundraligjshme nuk iu është garantuar personave LGBT në Kodin e Familjes. 

Nisur nga ky përjashtim ligjor, Ambasada PINK, në mbështetje të nismës së Avokatit të Popullit, do të dorëzojë pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën e saj për ndryshime dhe përmirësimë në Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë. Kjo kërkesë do të vendosë në provë mbi të gjitha deputetët e Kuvendit të Shipërisë dhe Qeverinë shqipare për të parë sesa i gatshëm është sistemi ynë parlamentar dhe i qeverisjes për të bërë realitet të drejta të barabarta për çdo qytetar shqiptar.

Monday, October 7, 2013

Rrugëtimi i lëvizjes për të drejta dhe homofobia



nga Merita Poni

Ky material është prezantuar në një tryezë të rrumbullakët të realizuar nga Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri në 17 Maj 2013 me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, në kuadër të aktiviteteve të “Festivalit të Diversitetit”.

Merita Poni është një nga personat publike nga fusha e akademisë që ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të çmuar në betejën kundër homofobisë, paragjykimeve dhe diskriminimit. Në këtë shkrim bëhen të qarta disa nga pikëpamjet e saj në lidhje me shkaqet e homofobisë dhe një ekspoze e rrënjëve të homofobisë, e kufijve midis të padukshmes dhe tolerancës duke arritur në konkluzionin jo fort optimist se homofobia ka gjasa të jetë paragjykimi i fundit që do të pranohet shoqërisht. Kjo në fakt është edhe një eko e shprehjes së famshme të aktores transgjinore e Candis Cayne e cila i quajti personat LGBT si minoritetin e fundit për aq kohë sa ne “mund të përndiqemi haptaz dhe të ofendohemi në televizion apo çdo media tjetër”.

Ndryshimet në shekullin e XX-të

Që prej viteve 1970 është folur për të drejtat e homoseksualëve, si pasojë e proçesit coming out në formë politike dhe kolektive. Nga ajo kohë e më pas, edhe në lëmin akademik, është punuar shumë me identitetin e personit gay, si në letërsinë politike ashtu edhe atë letrare. Por, gjithsesi, puna akademike nuk është se ka pasur një mbështetje të mjaftueshme në rrethet universitare, sepse ky lloj identiteti është parë si formë e veçantë, e pazakontë dhe jotipike. Megjithë interesin që zgjoi koncepti i identitetit seksual në fund të shekullit të XX-të, tashmë ka zëra që thonë se ky koncept duhet riparë dhe theksi duhet vënë tek politika e të ndryshmes, ku identiteti seksual shihet ngushtësisht i lidhur e i ndërvarur prej racës, klasës, gjinisë, gjë që reflektohet më së shumti në studimet Queer Theory (term që u fut në akademi për herë të parë në 1913, nga Douglas McMurtie, për të përshkruar një djalosh homoseksual që quhej queer nga shokët e klasës). Me këtë term identifikohen LGBTIQ (me “i” përcaktohet grupi i personave intersex). Politika e diferencës i ka ndihmuar studiuesit të mos merren me çështjen e identitetit seksual që shkakton ankth sepse e përkufizon personin si mbartës të problemit dhe jo shoqërinë, por të merren me perceptimet stereotipike heteronormative për ti çbërë në mënyrë që të mirëpritet diferenca mes njerëzve e jo të ndëshkohet.

Homofobia

Megjithë dukshmërinë në rritje të homoseksualëve kudo në botë, homofobia nuk është zhdukur, përkundrazi në kontekstin shqiptar, nga mohimi i pranisë së homoseksualëve dhe kriminalizimi i sjelljes homoseksuale është kaluar në shfaqje publike të homofobisë dhe në artikulime homofobike me gjuhën e urrejtjes ndaj homoseksualëve. Diversiteti seksual duket se është i papranueshëm e për pasojë homofobët e shpallin homoseksualitetin si sjellje anormale dhe amorale. Lufta mes dy kampeve vazhdon: homoseksualët luftojnë homofobinë ndërsa homofobët luftojnë pranimin shoqëror të homoseksualëve.  Të vendosur që të kundërshtojnë çdo përpjekje që i kundërvihet heteronormativitetit tradicional, homofobët i shohim të ngrenë zërin në emër të “ligjit të Zotit dhe të robit”, fesë, shkencës, mjekësisë e moralit. Megjithatë, kryesisht në perëndim, ka një zbutje të qëndrimit të fesë ndaj homoseksualitetit pasi shihen si “njerëz me besë e fe” (qëndrime të shprehura nga kisha peshkopale në SHBA, sinagoga çifute dhe kisha metodiste), përveç Kishës Katolike Romake që vazhdon me pretendimin se homoseksualiteti është thyerje e ligjit të natyrës dhe të moralit dhe për një kohë të gjatë ka penguar martesat mes të njëjtit seks (gjithsesi ka ndryshime edhe në qëndrimin e popullsisë me besim të krishterë romano-katolik si përshembull në Spanjë apo në jugun e Hollandës).

Pavrësisht zbutjes në disa qëndrime, fetë monoteiste vazhdojnë t’i bëjnë rezistencë të madhe homofobe, homoseksualitetit. Sikurse katolikët konservatorë ashtu edhe protestantët konservatorë, të krishterët ortodoksë dhe çifutët ortodoksë e dënojnë homoseksualitetin në bazë të ndalimeve biblike, pasi e konsiderojnë homoseksualitetin si një zgjedhje me dëshirë të shthurrjes, pra që duan të qëndrojnë jashtë rregullit të natyrshëm hyjnor. E megjithatë, duke bërë thirrje që të dënohet mëkati, por jo mëkatari, fetë monoteiste u kërkojnë homoseksualëve që të heqin dorë nga jeta si homoseksualë dhe të përqafojnë heteroseksualitetin për t’u falur. Praktika heteroseksuale është si puna e pagëzimit që lan mëkatin, por mund të jetë martesë sikurse edhe abstenim, madje mund të ndryshojë edhe me anë të lutjeve!!! Nëse në shoqërinë kristiane ka një rrugë shpëtimi për homoseksualët në shoqëritë islame situata është e panegociueshme moralisht, pasi sjellja është e ndëshkueshme ligjërisht dhe moralisht (kriminalizimi i homoseksualitetit).

Ndërsa homofobë të tjerë shfaqen në trupa legjislativë dhe ekzekutivë duke kundërshtuar legjislacion që ndëshkon krimet dhe fjalimet e urrejtjes, sepse këto ligje ndëshkojnë krimet me bazë orientimin seksual. Këto qëndrime homofobe të njerëzve me pushtet shkojnë krah për krah me qëndrimet e njerëzve homofobë. Me shqetësim, në perëndim, vihet re një rritje e dhunës verbale dhe asaj fizike, madje në ShBA nga vitet 2000 ka një rritje të dëmtimit apo gjymtimit fizik të të rinjve homoseksualë nga të rinj homofobë, të cilët bëhen bashkë në grupe për të rrahur ndonjëherë deri në vdekje një të ri gay. Duket sikur nuk ka më vend të sigurtë për homoseksualët prej rritjes së valës së dhunës homofobe. Dhuna vjen ngado, në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në punë, mjedise publike. Dhuna u vjen nga të njohur e të panjohur.

Toleranca

Ka mjaft njerëz heteroseksualë që nuk janë homofobë. Megjithatë edhe mes këtyre edhe pse ka persona që intelektualisht e rrefuzojnë homofobinë, emocionalisht nuk e mposhtin dot. Rezultati është toleranca. Këta njerëz e rrefuzojnë paragjykimin autoritar të fesë apo të konservatorëve të djathtë. Ata dyshojnë se homoseksualiteti mund të quhet anormal dhe besojnë se dikush është kështu prej natyre apo mund edhe prej edukimit! Ata mund të jenë miq të gay-ve dhe lezbikeve, mund të dalin me ta, shoqërohen, mbështesin kur luftojnë paragjykimet antihomoseksuale. Shkurt i thonë vetes se nuk janë homofobë. Por rritja e dukshmërisë së homoseksualëve duket sikur i ka trazuar emocionet e anti-homofobëve, të cilët në biseda miqsh thonë se janë dakord që dikush të jetë homoseksual, por të mos na e tregojë të gjithëve: një puthje në lokal e dy lezbikeve apo një ecje përdore e dy gay-ve është turbulluese për ta, pra dukja po e gërryen tolerancën (i tillë ishte rasti i Festivalit të Diversitetit 2012, ku më shumë kishte studentë dhe ambasadorë nga publiku sesa mbështetës anti-homofobë). Mendoni për idenë e të paturit në punë dikë lezbike apo gay, apo në derën ngjitur një çift homoseksual. Sigurisht që homofobia ka humbur terren mbështetës popullor, por ka ngelur në thelb poaq e fortë, e paprekur, madje e pandikuar nga arritjet e lëvizjeve simotra të homoseksualëve, si ato kundër racizmit, seksizmit dhe paragjykimeve të tjera. Homofobia si shprehje e qartë e intolerancës në fakt shpreh apo ripohon vlerat që mbart shoqëria dhe institucionet shoqërore që qeverisin sjelljen shoqërore (nisur me familjen, shkollën, shokët, punën, fenë e deri diku tek politika). Sot e kësaj dite, vazhdon historia e persekutimit për homoseksualët nëse guxojnë të shfaqen, histori që shitet si varianti i duhur i zbatimit të drejtësisë dhe i mbajtjes së rregullit shoqëror dhe moralit që na u ndjeka shumë i rrezikuar nga format subversive të sjelljes seksuale dhe nga këto qenie të rrezikshme seksuale! Nuk ka nevojë që homofobët të mbrohen me doktrina të vjetëruar fetare e morale për të mbajtur në këmbë homofobinë, njerëzit vazhdojnë edhe kur nuk vet-quhen homofobe të kenë frikë nga e ndryshmja, kjo ndjesi është më e thellë edhe se homofobia dhe ushqen rrënjët e saj.

Përsa kohë kjo frikë nga e ndryshmja nuk do sfidohet, atëherë homofobia dhe gjithë shfaqjet e saj do ti lenë homoseksualët në errësirën e qytetarit të dorës së dytë, pa të drejta themelore si ajo e familjes, e shkollimit, e punësimit, organizimit madje edhe e jetës, megjithë ligjet anti-diskriminuese që mund të aprovohen formalisht. Ajo çka homoseksualët kërkojnë nuk janë të drejta civile të veçanta, por të njëjtat të drejta civile që ka çdo qytetar dhe ata nuk do t’i kenë ato për aq kohë sa sjellja e tyre shihet si jo e denjë nën dritën e paragjykimeve të padiskutueshme e negative të mitologjisë shoqërore. Homofobia ka pasoja të tmerrshme në jetën e homoseksualëve dhe të njereëzve përreth tyre. Homofobia ndan nënë e babë nga djali e vajza, shokun nga shoku, fqinjin nga fqinji, njerëzit nga njëri-tjetri dhe shoqërisë  tonë që ka vuajtur shumë prej ndarjeve me natyrë paragjykuese nuk i duhen kufij të rinj ndarrës urrejtjeje. Për sa kohë që homofobia do të legjitimohet prej shoqërisë, fesë dhe politikës, homofobia do vazhdojë të rritet në forma të dhunshme dhe do mbetet paragjykimi i fundit i pranuar shoqërisht.  

Wednesday, September 11, 2013

Për fjongot rozë dhe blu



Nga Amarildo Fecanji

Një nga fenomenet më negative të lidhura me diskriminimin për shkak të orientimit seksual është orientimi i supozuar, pra mendimi se dikush është gay apo lezbike, kur në fakt është straight por edhe e anasjellta, se dikush është straight kur në fakt është gay apo lezbike. Gjithmonë e më shumë njerëz janë tashmë pjesë e kësaj “loje” të rrezikshme duke përfshirë deri edhe moshat më të vogla. Kuptohet, të supozosh orientimin seksual të dikujt në vetvehte nuk përbën gabim. Të gjithë, në përpjekjet e tyre për të gjetur partnerin apo partneren e duhur duan të dinë sa më shumë për personin që pëlqejnë. E mbase, në kuadër të njohjes dhe respektimit të vlerës së diversitetit, por edhe për të kuptuar nëse ai person është i duhuri  apo jo, të dinë edhe orientimin e tij/saj seksual. Por ka një kufi, dhe kur ky kufi shkelet atëherë ai pasohet nga diskriminimi, veçimi, gjykimi dhe në rastin më të keq dhuna, të cilat ligjërisht në shumë vende konsiderohen si krime urrejtje.

Këto paragjykime “të pafajshme” janë gjithmonë pjesë e të njëjtës lojë dhe kanë të njëtjën rrënjë: vajzat luajnë me kukulla kurse djemtë me makina, vajzat janë të ëmbla, të buta, punëtore dhe nikoqire kurse djemtë janë seriozë, të fortë, me karakter dhe kuptohet nuk prekin asgjë me dorë, aq më pak në shtëpi... Mund të shkruanim gjithë ditën për fjongot rozë dhe blu. Përfundimi është se nëse dikush “devijon” nga këto role të mirëpërcaktuara, atëherë me patjetër ka diçka që nuk shkon me të. Supozimi pothuajse i menjëhershëm është edhe ai më sipërfaqësori, pra një mashkull me një ose disa karakteristika të shoqëruara rëndom me stereotipin femëror rrezikon të quhet gay dhe anasjelltas. 

Por çfarë ndodh në realitet? Në të vërtetë, janë kontekstet kulturore ato që përcaktojnë rolet gjinore në një shoqëri dhe karakteristikat që shoqërohen me to. Kur këto kultura, përfshi edhe atë tradicionalen shqiptare kanë një perceptim kaq të ngurtë të roleve gjinore dhe sjelljes që i pason ato, viktimat e vërteta të diskriminimit nuk janë thjesht personat lesbike, gay, biseksualë, transgjinorë etj, por mbarë shoqëria dhe vetë kultura e një vendi. Shpjegimi, edhe pse pak i hasur, është shumë i qartë; Rolet gjinore, jo pa qëllim quhen “role”. Ashtu si “roli” i një aktori, i cili duhet të luajë aristokratin, kriminelin, mjekun... kur në fakt është ende student, nuk vjen nga një familje aristokrate, nuk ka vrarë një mizë në jetën e tij dhe momenti i vetëm, krejt naiv i të qënurit mjek, me shumë gjasa ka qenë në fëmijërinë e tij duke luajtur “doktorash”. Por çfarë duhet të ketë një rol që të quhet i “besueshëm”? Që aktori të jetë i besueshëm në rolin e tij duhet të ketë tipare estetike sa më të qarta, sjelljen që i shkon për shtat, mjedisin dhe kontekstin ku sillet e jeton, marrëdhënien me njerëzit, ndërveprimin me ta  etj etj... Aktori i talentuar, i suksesshëm dhe madhështor është ai që e hipnotizon në ato nivele shikuesin saqë nuk është më e qartë nëse Mirushi është Sokrati apo Sokrati është Mirushi. Pra mrekullia është e atillë sepse aktori e ka brendësuar në atë nivel “rolin” e tij saqë është i besueshëm dhe kështu, me thelbin e vet ai prek ndërgjegjen e njëkohësisht nën-ndërgjegjen e publikut. Kështu janë edhe rolet shoqërore. Arsyeja përse ne i kuptojmë dhe i ndjejmë më pak se sa do ndienim le të themi mjeshtrin Kabashi në skenë, është sepse ndërgjegjësimi që ne kemi për indoktrinimin tonë, të nisur që në fëmijëri, është shpesh i padukshëm. Kështu, brenda nesh zhvillohet beteja e kahershme: roli i caktuar nga shoqëria dhe mesazhet që përcjellin ato në një anë dhe brendia jonë, ndjesia jonë reale në tjetrën. Për ta bërë më të thjeshtë krahasoni rehatinë midis të ndenjurit me të mbathura në rehatinë e dhomës tuaj të gjumit me sikletin e takave 15 cm apo kravatës mbytëse në një mjedis publik. Në të vërtetë, të gjithë ne, si meshkuj kemi diçka femërore brenda vetes dhe si femra diçka mashkullore. Natyra komplekse njerëzore e ka vërtetuar këtë. Këto karakteristika gjithsesi, nuk janë përcaktuesi ekskluziv i orientimit tonë seksual apo edhe identitetit tonë gjinor. Kjo është edhe arsyeja përse realisht, shoqëria nuk është duke diskriminuar thjesht për orientimin intim dhe privat seksual të një individi, por shpesh, ata më të izoluarit dhe më pak të ekspozuarit nga diversiteti, shohin tek orientimi jo-heteroseksual, lojërat e pafajshme të fëmijërive të tyre, talentin dhe shprehitë e brendshme të cilat nuk arritën ti shprehin kurrë dhe çfarë është më seriozja dhe e rëndësishmja i rebelohen këtij manifestimi, duke treguar qartaz rebelimin që në fakt po i bëjnë të brendshmes së tyre. Ato brenga dhe konflikte të brendshme përbëjnë edhe një nga bërthamat e dramës tonë shoqërore; dhunën në familje, e cila për arsye të tipareve patriarkale të roleve gjinore të shoqërisë sonë, dënon dukshëm, rëndom edhe përditë, fëmijët, gratë, homoseksualët dhe të moshuarit. Këta të fundit, shpesh të lodhur me rolet absurde të jetës së tyre tani në perëndim e kanë braktisur teatrin, dhe kjo i bën jo kot të duken “fëmijënorë”. 

Unë, në punën time të përditshme, në përballjen me një subjekt politik kaq të veçantë dhe sublim siç është tema LGBT, së bashku me kolegë dhe aktivistë i kemi identifikuar shumë nga zgjidhjet dhe alternativat, por si çdo gjë e mirë në këtë botë ato detyrimisht shfaqen ngadalë. 

Një nga ndryshimet më të rëndsësishme është ndalimi i menjëhershëm i indoktrinimit të fëmijëve me koncepte të ngurta të identitetit dhe shprehjes së individualitetit, dhe mos asocimin e tyre me femëroren dhe mashkulloren, me heteroseksualen dhe homoseksualen, me të pranueshmen dhe të papranueshmen. Pranimi dhe njohja e kompleksitetit njerëzor dhe shqyrtimi racional, i kujdesshëm dhe i qytetëruar i koncepteve që shoqërohen me këtë çëshjtje janë pjesë e zgjidhjes. E në fakt zgjidhjet janë të shumta e të panumërta, çka është dhe arsyeja përse çështja LGTB nuk është thjesht çështje e personave LGBT. Jo pa shkak të gjithë “shqetësohen” për këtë teme, dhe jo pa arsye të gjithë, edhe më të pa informuarit kanë diçka për të thënë. Të gjithë jemi në rolin tonë, dhe rëndom nuk duam që atë ta cënojnë të tjerët. Pra në fakt, duke u marrë me fjongot e të tjerëve, ne sigurohemi që të mbrojmë fjongon tonë. Ky kushtëzim na bën kompleksivë dhe nuk na lejon të jetojmë një jetë familjare, profesionale dhe sociale të shëndetshme. Ky kompleksim e ka bërë parlamentin dhe vendim-marrjen të pa-penetrueshme nga gratë dhe grupet e tjera vulnerabël në vite. Ky kompleksim e ka lënë shoqërinë shqiptare pas simotrave të saj europiane.  

I madh Ru Paul thotë gjithmonë “We are all in drag” (të gjithë jemi të maskuar). E rëndësishme është të ndihemi mirë në të... so you better work it!

Monday, August 26, 2013

Ndahen çmimet e Konkursit të Gazetarisë mbi çështjet LGBT



Pjesa e parë e këtij viti u mbyll për stafin e PINK / LGBT Pro me një aktivitet shumë pozitiv gjatë të cilit u ndanë tre çmimet për fituesit e konkursit të gazetarisë të lançuar vitin e shkuar nga organizata jonë në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ceremonia u zhvillua në mjediset e Ambasadës, me pjesëmarrjen e aktivistëve, fituesve të konkursit dhe me një takim suprizë me Ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, Z. Aleksandër Arvizu. 

Konkuris i çelur vitin e shkuar, pati një prurje shumë pozivite shkrimesh, artikujsh dhe opinionesh nga gazetarë, sociologë dhe opinionistë. Të gjitha mbulonin një sërë tematikash dhe çëshjesh të tilla si homofobia, pargjykimet, aktivietete të ndryshme, analiza dhe histori. Dy grupe të ndryshme jurish, njëra e PINK / LGBT Pro dhe tjetra e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë përzgjodhen me një sistem pikësh prej 1, 2 dhe 3, shkrimet më të mira. Si rezultat, fituesit e konkursit u shpallën, çmimi i tretë, Z. Gëzim Tushi, sociolog me shkrimin “Kush fitoi nga debati, shoqëria apo homoseksualët?”, çmimi i dytë për Znj. Laureta Roshi, gazetare, me shkrimin “Të rifitosh fëmijën në bregun e gurtë” dhe çmimi i parë për Znj. Beti Njuma, gazetare me shkrimin “Jam homoseksual dhe jam i lirë ta them.”. Këto çmime u vlerësuan për mesazhet e tyre domethenëse, për krijimtarinë dhe veçantinë e përmbajtjes së tyre. Vlerësimi u bë në mënyrë anonime, pra anëtarët e jurive nuk i dinin emrat e autorëve  të shkrimeve. 

Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri dëshiron të falenderojë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë për mbështetjen e tyre dhe për çmimet vlerësuese për gazetarët. Fituesit u vlerësuan me dhurata simbolike me qëllim që ti ndihmonin edhe më shumë në punët e tyre, përkatësisht me një iPad, iPhone dhe një kamera dixhitale. Gjithashtu PINK dëshiron të urojë dhe falenderojë fituesit për punën e  tyre fisnike, mbështetjen e tyre për kauzën LGBT si edhe gjithë gazetarët dhe opinionistët e tjerë të cilët morrën pjesë në këtë konkurs. 

Ky aktivitet u parapri vitin e shkuar nga një trajnim dy-ditor i realizuar me gazetarë të mediave kryesore elektronike dhe vizive në vend, mbi çështjet LGBT dhe etikën e raportimit të lajmeve për çështje sociale në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias dhe trajnues dy ekspertë të mirënjohur të çështjeve LGBT, Z. Altin Hazizaj dhe atyre mediatike Znj. Iris Luarasi.