Nga Amarildo Fecanji
Një nga fenomenet më negative të lidhura me diskriminimin për
shkak të orientimit seksual është orientimi i supozuar, pra mendimi se dikush është
gay apo lezbike, kur në fakt është straight por edhe e anasjellta, se dikush është
straight kur në fakt është gay apo lezbike. Gjithmonë e më shumë njerëz janë
tashmë pjesë e kësaj “loje” të rrezikshme duke përfshirë deri edhe moshat më të
vogla. Kuptohet, të supozosh orientimin seksual të dikujt në vetvehte nuk përbën
gabim. Të gjithë, në përpjekjet e tyre për të gjetur partnerin apo partneren e duhur
duan të dinë sa më shumë për personin që pëlqejnë. E mbase, në kuadër të
njohjes dhe respektimit të vlerës së diversitetit, por edhe për të kuptuar nëse
ai person është i duhuri apo jo, të dinë
edhe orientimin e tij/saj seksual. Por ka një kufi, dhe kur ky kufi shkelet atëherë
ai pasohet nga diskriminimi, veçimi, gjykimi dhe në rastin më të keq dhuna, të
cilat ligjërisht në shumë vende konsiderohen si krime urrejtje.
Këto paragjykime “të pafajshme” janë gjithmonë pjesë e të njëjtës
lojë dhe kanë të njëtjën rrënjë: vajzat luajnë
me kukulla kurse djemtë me makina, vajzat janë të ëmbla, të buta, punëtore dhe
nikoqire kurse djemtë janë seriozë, të fortë, me karakter dhe kuptohet nuk
prekin asgjë me dorë, aq më pak në shtëpi... Mund të shkruanim gjithë ditën për
fjongot rozë dhe blu. Përfundimi është se nëse dikush “devijon” nga këto role të
mirëpërcaktuara, atëherë me patjetër ka diçka që nuk shkon me të. Supozimi
pothuajse i menjëhershëm është edhe ai më sipërfaqësori, pra një mashkull me një
ose disa karakteristika të shoqëruara rëndom me stereotipin femëror rrezikon të
quhet gay dhe anasjelltas.
Por çfarë ndodh në realitet? Në të vërtetë, janë kontekstet
kulturore ato që përcaktojnë rolet gjinore në një shoqëri dhe karakteristikat që
shoqërohen me to. Kur këto kultura, përfshi edhe atë tradicionalen shqiptare
kanë një perceptim kaq të ngurtë të roleve gjinore dhe sjelljes që i pason ato,
viktimat e vërteta të diskriminimit nuk janë thjesht personat lesbike, gay,
biseksualë, transgjinorë etj, por mbarë shoqëria dhe vetë kultura e një vendi. Shpjegimi,
edhe pse pak i hasur, është shumë i qartë; Rolet gjinore, jo pa qëllim quhen
“role”. Ashtu si “roli” i një aktori, i cili duhet të luajë aristokratin,
kriminelin, mjekun... kur në fakt është ende student, nuk vjen nga një familje
aristokrate, nuk ka vrarë një mizë në jetën e tij dhe momenti i vetëm, krejt naiv
i të qënurit mjek, me shumë gjasa ka qenë në fëmijërinë e tij duke luajtur
“doktorash”. Por çfarë duhet të ketë një rol që të quhet i “besueshëm”? Që
aktori të jetë i besueshëm në rolin e tij duhet të ketë tipare estetike sa më të
qarta, sjelljen që i shkon për shtat, mjedisin dhe kontekstin ku sillet e
jeton, marrëdhënien me njerëzit, ndërveprimin me ta etj etj... Aktori i talentuar, i suksesshëm
dhe madhështor është ai që e hipnotizon në ato nivele shikuesin saqë nuk është
më e qartë nëse Mirushi është Sokrati apo Sokrati është Mirushi. Pra mrekullia është
e atillë sepse aktori e ka brendësuar në atë nivel “rolin” e tij saqë është i
besueshëm dhe kështu, me thelbin e vet ai prek ndërgjegjen e njëkohësisht nën-ndërgjegjen
e publikut. Kështu janë edhe rolet shoqërore. Arsyeja përse ne i kuptojmë dhe i
ndjejmë më pak se sa do ndienim le të themi mjeshtrin Kabashi në skenë, është
sepse ndërgjegjësimi që ne kemi për indoktrinimin tonë, të nisur që në fëmijëri,
është shpesh i padukshëm. Kështu, brenda nesh zhvillohet beteja e kahershme:
roli i caktuar nga shoqëria dhe mesazhet që përcjellin ato në një anë dhe
brendia jonë, ndjesia jonë reale në tjetrën. Për ta bërë më të thjeshtë
krahasoni rehatinë midis të ndenjurit me të mbathura në rehatinë e dhomës tuaj
të gjumit me sikletin e takave 15 cm apo kravatës mbytëse në një mjedis publik.
Në të vërtetë, të gjithë ne, si meshkuj kemi diçka femërore brenda vetes dhe si
femra diçka mashkullore. Natyra komplekse njerëzore e ka vërtetuar këtë. Këto
karakteristika gjithsesi, nuk janë përcaktuesi ekskluziv i orientimit tonë
seksual apo edhe identitetit tonë gjinor. Kjo është edhe arsyeja përse
realisht, shoqëria nuk është duke diskriminuar thjesht për orientimin intim dhe
privat seksual të një individi, por shpesh, ata më të izoluarit dhe më pak të
ekspozuarit nga diversiteti, shohin tek orientimi jo-heteroseksual, lojërat e
pafajshme të fëmijërive të tyre, talentin dhe shprehitë e brendshme të cilat
nuk arritën ti shprehin kurrë dhe çfarë është më seriozja dhe e rëndësishmja i
rebelohen këtij manifestimi, duke treguar qartaz rebelimin që në fakt po i bëjnë
të brendshmes së tyre. Ato brenga dhe konflikte të brendshme përbëjnë edhe një
nga bërthamat e dramës tonë shoqërore; dhunën në familje, e cila për arsye të
tipareve patriarkale të roleve gjinore të shoqërisë sonë, dënon dukshëm, rëndom
edhe përditë, fëmijët, gratë, homoseksualët dhe të moshuarit. Këta të fundit,
shpesh të lodhur me rolet absurde të jetës së tyre tani në perëndim e kanë
braktisur teatrin, dhe kjo i bën jo kot të duken “fëmijënorë”.

Një nga ndryshimet më të rëndsësishme është ndalimi i menjëhershëm
i indoktrinimit të fëmijëve me koncepte të ngurta të identitetit dhe shprehjes
së individualitetit, dhe mos asocimin e tyre me femëroren dhe mashkulloren, me
heteroseksualen dhe homoseksualen, me të pranueshmen dhe të papranueshmen.
Pranimi dhe njohja e kompleksitetit njerëzor dhe shqyrtimi racional, i kujdesshëm
dhe i qytetëruar i koncepteve që shoqërohen me këtë çëshjtje janë pjesë e
zgjidhjes. E në fakt zgjidhjet janë të shumta e të panumërta, çka është dhe
arsyeja përse çështja LGTB nuk është thjesht çështje e personave LGBT. Jo pa
shkak të gjithë “shqetësohen” për këtë teme, dhe jo pa arsye të gjithë, edhe më
të pa informuarit kanë diçka për të thënë. Të gjithë jemi në rolin tonë, dhe rëndom
nuk duam që atë ta cënojnë të tjerët. Pra në fakt, duke u marrë me fjongot e të
tjerëve, ne sigurohemi që të mbrojmë fjongon tonë. Ky kushtëzim na bën
kompleksivë dhe nuk na lejon të jetojmë një jetë familjare, profesionale dhe
sociale të shëndetshme. Ky kompleksim e ka bërë parlamentin dhe vendim-marrjen
të pa-penetrueshme nga gratë dhe grupet e tjera vulnerabël në vite. Ky
kompleksim e ka lënë shoqërinë shqiptare pas simotrave të saj europiane.
I madh Ru Paul thotë gjithmonë “We are all in drag” (të gjithë jemi të maskuar). E rëndësishme është
të ndihemi mirë në të... so you better
work it!